Flash News

E-TJERA

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

2020-a ishte një vit i vështirë dhe gjatë këtij viti Shqipëria humbi emra shumë të njohur e të rëndësishëm të fushave të ndryshme. Disa nga COVID-i e disa nga shkaqe të tjera po dhe natyrale por që ndikimi i tyre dhe trashëgimia e tyre do të ngelet gjithmonë.

Nexhmije Pagarusha

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 7 shkurt, Nexhmije Pagarusha, legjenda e muzikës shqiptare, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.

Bilbili i Kosovës u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë - një fshat në afërsi të Malishevës - Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare. Ajo i dha fund karrierës në vitin 1984 pas një koncerti në Sarajevë.

Xhevdet Ferri

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, Xhevdet Ferri ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, më 16 janar, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Në një postim më vonë, e bija e aktorit, Bora, u shpreh se ai kishte simptoma të ngjashme me COVID.

Xhevdet Ferri ka lindur në Durrës, më 26 nëntor 1960. Filmi i tij i parë ka qenë gjatë kohës kur ai ishte akoma një student, ndërsa i fundit ishte filmi “Delegacioni”. Roli më i njohur për publikun është ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika. Ferri ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër dhe kontributi i tij në kinematografinë shqiptare do mbetet i paharruar.

Avni Mula

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Kompozitori i njohur Avni Mula, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare në tetor të këtij viti. Ai është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme. Ai është kompozitor i këngëve të famshme si “Nënë moj do pres gërshetin”; “Këngët e atdheut tim”; “Valsi i lumturisë”; “Një djep në barrikadë” etj.

Rikard Ljarja

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 20 prill, një nga ikonat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Rikard Larja, lindi në Shkodër në 1 prill të vitit 1943, ku mbaroi dhe shkollën e mesme. Më pas ai u diplomua në shkollën e aktrimit “A.Moisiu” në Tiranë. Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin "Migjeni" në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar. Ai do të mbahet mend për filmat e luajtur, ku padyshim të gjithë shqiptarët e kujtojnë për rolin e “Dedës” te filmi “Rrugë të Bardha”.

Evgjeni Harizi

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 22 mars, Evgjeni Harizi, gruaja që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në kulinarinë shqiptare, u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme në Rochester, New York.

Harizi, e lindur në Pojan të Fierit më 1939-n, i kreu studimet e larta pjesërisht në Rusi dhe më pas ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës si Inxhiniere Teknologe e Ushqimit Social. Më pas, u emërua në Ndërmarrjen e Ushqimit Social ku punoi si teknologe dhe njëkohësisht ushtroi edhe profesionin e pedagoges në Shkollën e Ushqimit. Gjatë viteve kur qe aktive, Harizi botoi disa libra me gatime, si “Si të gatuajmë”, “Pastiçeria në familje”, “1000 receta gatimi”, “Gatime me perime dhe gjellë tradicionale shqiptare” etj., libra të cilët janë ribotuar disa herë.

Maks Velo

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 7 maj arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare. Para se të jepte frymën e fundit, Velo ishte i shtruar prej disa ditësh në QSUT, pasi vuante nga anemia.

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Ishte autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura " etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Moikom Zeqo

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Me 15 qershor u nda nga jeta studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Moikom Zeqo. Zeqo mbylli sytë për shkak të një sëmundje e rëndë, leucemi akute, nga e cila vuante prej kohësh.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Arsimin fillor e nisi në Libohovë. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. Është doktor i shkencave dhe mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Besim Zekthi

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 28 qershor, mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Gëzim Kruja

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 5 prill, aktori i humorit, një nga ikonat e komedisë shkodrane, Gëzim Kruja u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Humoristi shkodran u nda nga jeta pas problemeve shëndetësore që i vuante prej kohësh në heshtje, në pamundësi për të folur. Ishte vetëm 13 vjeç kur u ngjit në skenë. Ndonëse u diplomua në vitin 1979 në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër, Gëzim Kruja kishte vendosur të hynte në shtëpitë e shqiptarëve për të dhuruar të qeshura për 6 dekada me radhë. Aktori i njohur i dhuroi publikut mbi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, teksa interpretoi edhe mbi një mijë role në skeçe të ndryshme. I vlerësuar me disa çmime, mes të cilëve “Krenari e Qytetit” të Shkodrës në vitin 2004, titull që u pasua me “Naim Frashëri i Artë” në 2005 dhe “Mjeshtër i Madh” në 2010, mjeshtëri e cila do të mbetet e memorizuar në humorin që Gëzim Kruja la pas.

Koço Devole

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Më 8 nëntor, aktori dhe regjisori Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas infektimit me COVID-19 i cili i ndërlikoi gjendjen shëndetësore sepse vuante nga leucemia.

Devole, i lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945, ishte një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar. Ndër rolet e tij më të njohura përmendim ato në telekomeditë "Të gjallë apo të vdekur", "Çanta me një milion", "Oreksi i madh", "Mos shko o trim", "Revolja e heroit", "Pushime në Romë" etj. Në karrierën e tij, aktori u vlerësua edhe për karikaturat e njohura (revista Hosteni). Që prej vitit 2009, Devole ishte pjesë e “Fiks Fare”, ku krijimtaria e tij spikati në rubrikat “Koço Kiçi Shoë” dhe “Monitorime”. Në vitin 2013, u bë pjesë e serialit “O sa mirë”, ndërsa në 2019-n ishte pjesë e kastit të aktorëve të komedisë romantike "Dy gisht mjaltë".

25 mjekë humbën jetën teksa ishin në vijën e parë të luftës me Covid-19

Shqiptarët e njohur që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2020

Bilancit me mbi 1000 viktima që nga shpërthimi i pandemisë në vendin tonë përmban edhe një listë të bluzave të bardha që nuk e fituan dot betejën me virusin. Në këtë përballje kanë humbur jetën mjeke që janë infektuar në vendin e punës por edhe disa qe ishin në pension.

Arian Pushi, mjek hematolog

Hysni Shkaju, mjek familje

Anibal Byberi, pneumolog dhe drejtor i Spitalit të Tropojës

Vilson Topulli, epidemiolog

Zyliha Kraja, kirurge

Memo Boçi, epidemiolog

Agron Menzelxhiu, kirurg

Sefer Dervishi

Esat Pashaj

Astrit Haziri, mjek i përgjithshëm dhe mjek familje

Ilirjan Ndraçi, mjek gastro-hepatolog

Shaqir Shehu, kirurg ortoped

Ibrahim Kaziu, pneumolog

Bledi Nini, mjek ORL

Elmaz Eltari

Drini Dobi, mjek neurolog

Muharrem Xhepexhiu

Hidajet Deda

Eduart Dhamo

Myftar Zemani

Ferdinant Shkrepa

Leonard Kamberi

Raimonda Lengu

Flututa Hashorva

Mihal Kërçi

Të fundit