Flash News

E-TJERA

Situatë kritike me përmbytjet, urdhërohet evakuimi urgjent i banorëve në Novoselë, Durrës e Fier

Situatë kritike me përmbytjet, urdhërohet evakuimi urgjent i

Vjosa ka arritur pikën kulmore, pas reshjeve të dendura të shiut. Lumi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar banesat.

Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Bashkinë Vlorë, në Njësinë Administrative Novoselë, si pasojë e situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Autoritetet bëjnë me dije se prioritet absolut në procesin e evakuimit do të kenë: fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet që ndodhen në zona të izoluara.

Sa i përket strehimit të qytetarëve të evakuuar, Ministria e Mbrojtjes sqaron se menaxhimi i tyre do të kryhet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës. Gjatë këtij procesi do të realizohet regjistrimi i të evakuuarve në ambientet e strehimit të përkohshëm, sigurimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si dhe informimi periodik mbi ecurinë e situatës”, thuhet në njoftim.

Urdhri për evakuim është dhënë edhe për Bashkinë e Durrësit, konkretisht për Sukthin dhe Katundin e Ri, ku është kërkuar evakuimi i menjëhershëm i banorëve.

Pak më parë në Durrës, u shënua edhe viktima e parë nga moti i keq. Astrit Hysenaj, punonjës i Komunales, kishte dalë në terren për të inspektuar zonën kur është marrë nga rrjedha e fortë e një kanali.

Edhe në Fier situata paraqitet kritike, konkretisht në fshatin Ferras. Bashkia e Fierit ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve, për shkak të përmbytjeve.

Të fundit