Flash News

E-TJERA

SPAK lëshon 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes tyre Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto

SPAK lëshon 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës,

 Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lëshuar sot 15 urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës.

Mësohet se arrest në burg është kërkuar për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj, kurse arrest shtëpie për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Kujtojmë se në gusht të këtij viti, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë që operon kontratën kontroverse të incineratorit të Tiranës, pasi njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

Kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh.

Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë arritën në 2.6 miliardë lekë.

Bilanci i vitit 2022 nuk është depozituar deri më tani në QKB, por të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se nga 1 janari 2022 deri më sot, kompania ka përfituar edhe 2 miliardë lekë të tjera. Duke marrë parasysh këtë, dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro.  

Të fundit