Flash News

E-TJERA

Të hënën nisin punë 28 hetuesit e BKH, zv ambasadori Smith: Askush nuk është mbi ligjin, punoni për të përmbysur korrupsionin

Të hënën nisin punë 28 hetuesit e BKH, zv ambasadori Smith:

Hetuesit e BKH do të nisin punë zyrtarisht të hënën. Janë 28 hetues të përzgjedhur të cilët përmbyllën fazën e trajnimit. Zëvendës ambasadori i SHBA, Demian Smith ka mbajtur sot një fjalim në aktivitetin për trajnimin e kandidatëve të BKH.

Smith tha se 28 hetuesit e BKH duhet të punojnë fort në mënyrë që t’i sigurojnë sukses SPAK-ut në përmbysjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai e ka cilësuar ditën e sotme një hap përpara në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, duke theksuar se BKH do të tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai do të zbatohet njësoj në të gjithë.

“Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.

Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar.

Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së” , ka thënë zëvendës ambasadori.

Të fundit