Flash News

E-TJERA

Transparenca e çmimit të karburanteve, si e shpërfilli qeveria rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës në 2015

Transparenca e çmimit të karburanteve, si e shpërfilli qeveria

Rritja e çmimit të karburanteve, kryesisht të naftës e cila kapi nivele rekord brenda 4 ditëve, ngjalli zemërim te qytetarët të cilët u ngritën në protesta prej 9 Marsit.

Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku zhvilluan një takim me furnizuesit e naftës në kuadër të zgjidhjes së situatës. Rama njoftoi krijimin e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, i cili do të administrojë dhe përcaktojë çmimin e tregtimit të karburanteve në treg.

BKAK do të shërbejë edhe si kontrollues në transparencën ditore të çmimeve të shitjes me shumicë.

Problematikat që lidhen me konkurrencën në treg i ka bërë shpesh objekt monitorimesh dhe hetimesh edhe Autoriteti i Konkurrencës. Monitor tregon se në vitin 2015, një hetim i AK evidentoi se të njëjtët sipërmarrës janë të pranishëm thuajse në të gjitha nivelet e tregut duke filluar nga importi , magazinimi, e deri te tregtia me shumicë dhe me pakicë.

Bazuar në problematikat e evidentuara AK, miratoi disa rekomandime për qeverinë ku ndër kryesoret ishte “krijimi i bazës ligjore dhe infrastrukturës administrative të nevojshme, për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve, në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5-15 minutash njësinë përkatëse dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës.”

Ky rekomandim bazohej në praktikat e ndjekura nga institucionet garantë të konkurrencës në vendet e zhvilluara dhe kryesisht të Autoritetit të Konkurrencës në Gjermani.

Rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nga AK, nuk u morën parasysh dhe u shpërfillën nga qeveria shqiptare dhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Madje ministri asokohe, u shpreh se çështjet në fjalë nuk hynin në punë Autoritetit të Konkurrencës.

Nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës në vitin 2015 rezultoi se pjesa dërrmuese e kompanive importuese i blenë ngarkesat e karburantit jashtë vendit në mënyrë të përbashkët duke rritur mundësitë edhe për një sjellje të bashkërenduar të përcaktimin e çmimeve.

Reagimi i kryeministrit Rama ishte i vonshëm, fill pasi vendi u përfshi në protesta masive jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë. Fermerë, pronarë biznesesh, studentë, aktivistë, artistë, gazetarë dhe qytetarë të zakonshëm iu bashkuan revoltës për të kundërshtuar rritjen e pafrenuar të çmimeve.

Rama u shpreh ‘i fyer’ nga protesta qytetare duke theksuar se “është turp që të protestosh për pasojat e luftës”.

Dy ditë më parë, qeveria miratoi edhe Paketën e Rezistencës Sociale nga e cila përfitojnë 434 mijë qytetarë të cilët do të marrin 90mijë lekë per tre muaj si një formë kompensimi për rritjen e çmimeve.

Të fundit