Flash News

E-TJERA

Trazirat e finales/ Policia bën bilancin: 19 efektivë të plagosur, 60 tifozë të shoqëruar, u sekuestruan thika e leva

Trazirat e finales/ Policia bën bilancin: 19 efektivë të
Foto Ilustrues

Zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishi, ka komunikuar në një deklaratë për mediet blancin e  trazirave të një dite më parë në rrugët e Tiranës nga tifozët e Romës dhe Feyenoord-it.

Dervishi bëri me dije se janë 19 punonjës policie të plagosur si pasojë e përleshjes me tifozerinë, ndërsa veprimet e dhunshme të huliganëve holandezë kanë dëmtuar 4 automjete policie.

10 shtetas i janë drejtuar spitalit për mjekim mjekësor, mes tyre 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë. Të paktën 60 tifozë nga të dyja skuadrat janë shoqëruar teksa gjatë kontrolleve janë sekuestruar leva, gurë, thika dhe lëndë piroteknike.

“Gjatë mbrëmjes së djeshme një grup tifozësh të njërës nga skuadrat kanë lëvizur drejt Air Albania me qëllim për tu përplasur me tifozët e skuadrës tjetër.

Policia ka tentuar të ndalojë tifozët e Feyenoord, por ata kanë goditur me sende të forta policinë. Një grup tjetër i tifozësh të Romës kanë lëvizur drejt urës së policisë së Tiranës dhe më pas drejt fakultetit të Inxhinierisë duke u përplasur me policinë

Si pasojë e dhunës së ushtruar, janë plagosur 19 punonjës policie, njëri prej të cilëve është plagosur me thikë. Janë dëmtuar 4 automjete policie. Për sa më sipër në qendrat spitalore janë dërguar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, 5 shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë. Shërbimet e Policisë së Shtetit, bazuar në procedurat standarde të punës, i kanë bërë thirrje tifozëve për të ndërprerë përdorimin e dhunës.

Në raport me sjelljen e kundërveprimin e tifozëve, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre. Janë shoqëruar 60 tifozë problematikë nga të dyja skuadrat, 48 italianë dhe 12 holandezë. I janë sekuestruar leva, gurë, thika, lëndë piroteknike. Gjithashtu apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike. Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë evropianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet”, deklaroi Dervishi.

Të fundit