Flash News

E-TJERA

U plagos dy ditë më parë në Shkodër/ Pranga Vinçens Pirolit dhe shoqëruesit të tij

U plagos dy ditë më parë në Shkodër/ Pranga
Në foto/ Vinçens Piroli

Vinçens Piroli dhe personi që e shoqëroi atë në Spitalin e Lezhës, pas plagosjes me armë më 3 janar, janë vënë në pranga nga policia.

Sipas informacionit të uniformave blu, Piroli dhe Marjan Marku akuzohen për veprat penale "Moskallëzim i krimit" dhe " Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

"Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në Shkodër, ku persona ende të paidentifikuar dyshohen se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin V. P., 34 vjeç, i cili është transportuar nga vendi i ngjarjes në spitalin e Lezhës, me automjet, nga shtetasi M. M., specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë bërë ndalimin për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të shtetasve:

M. M., 29 vjeç dhe V. P., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Zhejë, Kurbin.  Shtetasi M. M., më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, ka transportuar nga lagjja Bahçallëk, Shkodër, në Spitalin Rajonal Lezhë, shtetasin V. P., dhe më pas është larguar, pa njoftuar Policinë.  Shtetasi V. P., i cili aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, nuk ka njoftuar Policinë për ngjarjen dhe ka penguar organet e Policisë për zbardhjen e saj, duke mos deklaruar rrethanat.  Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e rrethanave të saj", ka njoftuar policia e Shkodrës.

Kujtojmë se Vinçens Piroli u plagos me armë me silenciator pasditen e 3 janarit në Shkodër. Ai mori tre plumba, një në shpatull dhe dy në gjoks. I afërmi që e shoqëronte, Marjan Marku, dëshmoi për policinë se i plagosuri i kishte kërkuar ta shoqëronte në Spitalin e Lehës, pasi aty ndjehej më i sigurt.

Vinçens Piroli ishte shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit malazez Momçillo Gjurishiç në Mal të Zi, në korrik të vitit 2021.

Të fundit