Flash News

Ditari i Maxhorancës

Çuçi ‘injoron’ protestën për Jonadën, duartroket operacionin antidrogë në Vlorë

Çuçi ‘injoron’ protestën për Jonadën,

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është një nga dy ministrat për të cilët kërkohet dorëheqja, si përgjegjës në thyerjen e rregullave për drejtimin e motorëve të ujit, një prej të cilëve i mori jetën 7-vjeçares Jonada Avdia në Himarë.

Megjithatë, Çuçi nuk ka bërë asnjë reagim për vogëlushen edhe pse kanë kaluar plot 7 ditë nga tragjedia. Ministri i Brendshëm ka përgëzuar sot operacionin antidrogë ku u sekuestruan 1 ton marijuanë në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza.

Teksa i bën jehonë operacionit, Çuçi shkruan në Facebook se “qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë.”

“Operacioni i sotëm ndërkombëtar në Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza për goditjen e një grupi të trafikut të drogës me mjete lundruese dhe sekuestrimin e një rreth 1 ton marijuanë, është një tjetër dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar. Përgëzime të gjithë oficerëve shqiptarë e italianë që morën pjesë në këtë operacion të mirëkoordinuar nga ajri, deti dhe toka. Qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë”, shkruan Çuçi.

Edhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro reagoi 24 orë pas tragjedisë. Kumbaro shprehu ngushëllime për familjen dhe kërkoi dënim maksimal për autorin. Megjithëse kërkesa e shoqërisë civile për dorëheqjen e saj ishte bërë një ditë më parë, ministrja nuk iu përgjigj.

“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme! Me vetëdijen se nuk ka fjalë të shërbejë sado pak si ngushëllim për prindërit,familjen për gjëmën që pësuan,kërkesa shkon për Drejtësinë që të bëjë punën e saj, pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet e përbashkëta dhe rregullat dhe rrezikon të shkaktojë humbje jete, në tokë a në ujë qoftë! Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu, për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës. Jonada e vogël u prehsh ne paqe”, shkroi Kumbaro në Twitter.

Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa ndodhej në breg të plazhit të Potamit në Himarë. 7-vjeçarja u godit për vdekje me skaf nga Arjan Tase, ish-efektiv i Policisë së Shtetit. Tase u la në burg nën akuzën e “Vrasjes me dashje”. 

Sot në orë 19:00 para Ministrisë së Brendshme do të zhvillohet protesta e radhës për të kërkuar drejtësi për Jonadën.

Të fundit