Flash News

E-TJERA

Vakanca në Kushtetuese, konkluzionet e KED për tre kandidatët në garë

Vakanca në Kushtetuese, konkluzionet e KED për tre kandidatët

Tre kandidatët që mbeten në garë janë anëtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi; ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami; dhe ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa. Ata iu nënshtruan vlerësimit për meritat profesionale, morale dhe organizative e drejtuese.

Në secilin prej këtyre blloqeve u përcaktuan indikatorët përkatës. Për aspektin profesional u vlerësuan vjetërsia, arsimimi, pesë dokumente të prodhuara nga kandidatët dhe njohja e gjuhëve të huaja. Për moralin u vlerësua integriteti dhe reputacioni, ndërsa për bllokun organizativ u shqyrtua platforma dhe vizioni i paraqitur nga kandidatët.

Më shumë pikë ka siguruar anëtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, i cili sipas pikëzimit paraqet rezultat më të mirë në titujt dhe gradat që zotëron. KED konstaton se Vokshi ka një përvojë gjyqësore mbi 19-vjeçare në tre nivele; formim të avancuar dhe zotërim të gjuhës së huaj me certifikim ndërkombëtar; si dhe se dallon për një produkt gjyqësor të nivelit të lartë si relator në vendime njësuese në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, ai ka angazhime akademike dhe pjesëmarrje në projekte me impakt. Në vendimin e arsyetuar të vlerësimit dhe pikëzimit, thuhet se Vokshi ka paraqitur një platformë operative të matshme, ku theksohet cilësia e arsyetimit, respekti ndaj jurisprudencës, efikasiteti dhe besueshmëria e vendimeve. Në përfundim, Vokshi ka grumbulluar 805.5 pikë në total nga vlerësimet e të gjithë anëtarëve të KED, dhe nga mesatarja kolegjiale vlerësohet me 89.5 pikë, duke u renditur i pari.

Ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, renditet e dyta me një diferencë të papërfillshme. Sipas arsyetimit të KED, Llagami pasqyron profilin institucional si ish-drejtuese e KLGJ-së me përgjegjësi të gjera në qeverisje dhe politikëbërje gjyqësore. Këshilli konkludon se ajo ka produkte analitike dhe trajnime që transpozojnë standardet evropiane në praktikë, zotëron aftësi të dokumentuara gjuhësore, si dhe gëzon cilësi të larta morale dhe organizative. Sipas pikëzimit, Llagami kryeson në vlerësimin cilësor e sasior, ku një pjesë e mirë e dokumenteve të vlerësuara janë projekt-akte të KLGJ-së. KED çmon se Llagami ka përparësi në kriteret e aftësive për të marrë vendime, angazhimin në shoqërinë civile, komunikimet dhe përfaqësimet publike, si dhe në platformën dhe vizionin e paraqitur. Në përfundim, ajo ka grumbulluar gjithsej 804 pikë, duke u vlerësuar përfundimisht me 89.3 pikë.

Kandidati Florian Ballhysa, i cili është pikëzuar me 77.83 pikë, kryeson në kriterin e integritetit etik dhe moral. KED çmon se Ballhysa reflekton profilin e kandidatit si Komisioner Publik, me produkt gjyqësor avokatorial para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, konkretisht me ankimet dhe konkluzionet e paraqitura në çështjet e vetingut. Në vendim vlerësohet se ai zotëron cilësi të mira argumentimi, me qartësi, saktësi, analizë dhe referencë të standardeve, si dhe me fokus në të drejtat e njeriut. Po ashtu, konstatohet se zotëron komunikim institucional dhe ekspertizë materiale, të fituar nga praktika para një organi me rang kushtetues.

Një prej tre kandidatëve do të përzgjidhet për vendin e Zaçajt, përmes një votimi të fshehtë nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë./BIRN

Të fundit