Flash News

E-TJERA

Vetingut po i mbaron mandati, PS-së i duhet opozita për të ndërhyrë në Kushtetutë; a ka sinjale për bashkëpunim nga PD?  

Vetingut po i mbaron mandati, PS-së i duhet opozita për të

PS nuk humbi kohë, por mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar mbi punën që do të nisë për ndryshimet kushtetuese lidhur me zgjatjen e mandateve të organeve të vetingut.

Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë mbaron në qershor të vitit që vjen. Më pas vettingu do të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Por kjo parashikohet të sjellë vështirësi që procesi i rivlerësimit të përfundojë në kohë. Kjo sepse deri më tani, nuk janë rivlerësuar as gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Ndaj PS kërkoi sot zgjatjen e mandateve të vetingut. Por për të realizuar ndërhyrjet në Kushtetutë nevojitet dhe opozita.

Disa ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja foli për këtë çështje dhe tha se, “ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës që mandati i KPK dhe i KP të zgjatet deri në përfundim të procesit të vetingut, pra deri në vetimin e plotë të të gjitha subjekteve të shortuara, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë".

Por dorën e shtriu dhe kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi bashkëpunim nga opozita, jo vetëm për këtë çështje, por dhe për përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Që Kushtetuta të preket duhen të paktën 94 vota dhe PS nuk i disponon. Realizimi i kësaj reforme kërkon uljen në tryezë të PS dhe PD dhe arritjen e një kompromisi.

Kujtojmë që kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama kanë dhënë sinjalet e para të bashkëpunimit për Reformën Territoriale.

Sinjali i parë nga demokratët për një tryezë të përbashkët mes PS dhe PS, erdhi nga Roland Bejko, i zgjedhur nga radhët e PD-së si përgjegjës në procesin e reformës territoriale. Ai u shpreh se opozita është e gatshme të ulet dhe të diskutojë lidhur me reformën territoriale.

“Ne mendojmë se 2/3 e bashkive ku krijuan për interesa politike. Prandaj ne themi ulemi në një tryezë, së bashku me shoqërinë civile dhe të diskutojmë mbi ndarjen e re territoriale, siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë”, ka thënë më herët Bejko.

Kjo gjë mund të ndodhë edhe me ndryshimet Kushtetuese. Basha ka artikuluar shpesh herë nevojën për ndryshime në Kushtetutë, pasi sipas tij ndërhyrjet e 2008-ës nuk i përshtaten më nevojave të vendit. Ndoshta PD do të propozojë edhe ndonjë ndryshim tjetër, nëse ulet në tryezë.

Të fundit