Flash News

E-TJERA

Vlefshmëria e 30 Qershorit, a do t’i shpallë zgjedhjet? Meta: Nuk kam vendim zyrtar nga Kushtetuesja

Vlefshmëria e 30 Qershorit, a do t’i shpallë zgjedhjet? Meta:

Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Por a do t’i shpallë presidenti zgjedhjet për ato bashki ku mungojnë kryetarët?

Presidenti Ilir Meta tha për RTV Ora, se aktualisht nuk ka asnjë vendim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese, por ka vetëm raportin e OSBE/ODIHR-i.

Presidenti u shpreh se do të presë vendimet e Kushtetueses dhe do t’i studiojë, për të dhënë një verdikt në përputhje me Kushtetutën.

“Presidenti i Republikës është këtu për t’i shërbyer respektimit të Kushtetutës. Për çështjen që ju folët, Presidenti i Republikës nuk ka asnjë vendim të zbardhur zyrtar, me vulë, pa vulë, me firmë nga Gjykata Kushtetuese apo ndonjë institucion tjetër për këtë çështje! Deri tani Presidenti i Republikës ka vetëm raportin e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje. Institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar për vlerësimin e zgjedhjeve, por edhe për një çështje të tillë si kjo, madhore, siç është ajo e këtyre zgjedhjeve. Kaq ka Presidenti! Se nuk mund të niset nga lajme gazetash, me lajme lart e poshtë. Do ta shikojë me shumë vëmendje, pa dyshim! Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm në një shtet të së drejtës, që është realisht shtet i së drejtës. Për këtë arsye Presidenti i Republikës ka bërë një luftë të jashtëzakonshme prej më shumë se katër vitesh. Jo vetëm si President, por edhe në vitin e fundit që isha Kryetar i Parlamentit, se shorti i parë u hodh në atë kohë, dhe që nisën debatet dhe bllokimet e qëllimshme të KED-së për ta lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese për vite të tëra dhe për ta bërë atë proces ashtu siç u bë. Nuk po hy këtu. Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse padyshim që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë”, tha Meta.  

Të fundit