Flash News

E-TJERA

Zbulohen 3 parcela me kan*bis në Shkodër, arrestohen babë e bir

Zbulohen 3 parcela me kan*bis në Shkodër, arrestohen babë e bir

Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit antidrogë të koduar “Koordinata”, duke zbuluar dhe asgjësuar në total 1,723 bimë të dyshuara kanabis në disa njësi administrative të qarkut.

Në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, u arrestuan një 64-vjeçar dhe djali i tij 32 vjeç, pasi në tokën pranë pronës së tyre u gjetën 165 bimë kanabis. Arrestimi i tyre erdhi si pjesë e një aksioni më të gjerë, ku vetëm në njësinë administrative Kastrat u sekuestruan 521 bimë narkotike.

Policia bën me dije se në njësitë Shosh, Pult, Postribë dhe Shalë u gjetën dhe u asgjësuan gjithsej 1,060 bimë kanabis. Për këto raste, procedimi në gjendje të lirë nisi për gjashtë kryetarë fshatrash, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Ata janë: kryetari i fshatit Plan, N. Sh.; i Kir, D. V.; i Palaj, K. K.; i Pecaj, D. V.; i Nenmavriq, L. L.; dhe i Gimaj, P. Sh.

Ndërkohë, në njësinë administrative Temal, u gjetën dhe u shkatërruan edhe 142 bimë të tjera.

Policia e Shtetit thekson se kontrollet në kuadër të operacionit “Koordinata” do të vijojnë me intensitet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

 

Të fundit