Flash News

E-TJERA

Zëvendësimi i Holta Zaçajt/ KED interviston 6 kandidatët, nesër publikohen pikët

Zëvendësimi i Holta Zaçajt/ KED interviston 6 kandidatët,

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi këtë të martë intervistat me kandidatët për vakancën në Gjykatën Kushtetuese, pas largimit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Në garë kanë mbetur 6 kandidatë:

Alban Toro, ish-anëtar i KLGJ-së

Alma Faskaj, ish-komisionere e vettingut

Asim Vokshi, gjyqtar i lartë

Florian Ballhysa, ish-komisioner publik

Genta Bungo, ish-kryetare e KPK-së

Naureda Llagami, ish-kryetare e KLGJ-së

Të gjithë ata prezantuan platformat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së mbi përvojën profesionale dhe vizionin si gjyqtarë kushtetues.

Të mërkurën, më 17 shtator, KED do të publikojë pikët për secilin kandidat dhe më pas lista me tre emrat më të vlerësuar do t’i përcillet Gjykatës së Lartë, e cila do të zgjedhë njërin prej tyre për t’u emëruar në Kushtetuese.

 

Njoftimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe atyre zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve të ftuar në përputhje me pikën 2 të nenit 233 të Ligjit nr. 115/2016, zhvilloi të martën, më datë 16.09.2025, mbledhjen e radhës, në bazë të rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar të datës 11.09.2025.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli zhvilloi intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore dhe që vijojnë garën për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke paraqitur qasjen e tyre mbi rolin e një gjyqtari kushtetues dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm. Gjithashtu, ata iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të fokusuara në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për rolin e ardhshëm si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli do të vijojë të mërkurën, datë 17.09.2025 me procesin e pikëzimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi.

Të fundit