E-TJERA

Zgjedhjet, Dom Gjergj Meta thirrje qytetarëve: Nuk është rasti të votohen kandidatët me të kaluar të dyshimtë

Zgjedhjet, Dom Gjergj Meta thirrje qytetarëve: Nuk është rasti
Dom Gjergj Meta

Pak ditë para zgjedhjeve, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në emër të Kishës Katolike të Shqiprisë ka përcjellë një mesazh për qytetarët. Duke theksuar se Kisha Katolike i cilëson të rëndësishme zgjedhjet, ai iu bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime.

"Në vigjilje të zgjedhjeve, pra ne, Udhëheqësit Shpirtëror, do donim para së gjithash t’i ftonim të gjithë të merrnin pjesë në këtë moment të jetës demokratike të vendit. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, është një detyrë dhe një e drejtë e çdo qytetari për ta ushtruar sipas ligjeve në fuqi dhe me liri të plotë. Prandaj, pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë", tha Dom Gjergj Meta në një deklaratë për mediat.

Ky i fundit ka folur edhe për integritetin e kandidatëve dhe për shit-blerjen e votës, për të cilën tha se është një plagë e madhe që duhet të zhduket.

"Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet.

Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi", shtoi Dom Gjergj Meta.

Ai u ndal edhe te sfidat që ka sot vendi, si funksionimi i institucioneve të drejtësisë, largimi masiv të shqiptarëve, cilësia e arsimit dhe korrupsioni.

"Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament.

Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë. Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit.

Më pas, na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës. Shumë familje akoma po vuajnë pasojat e tërmetit të vitit 2019 një prioritet me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta.

Nevojitet një angazhim i të gjithëve për të eliminuar korrupsionin, që sikurse e kanë nënvizuar edhe në ditët e kaluara institucionet ndërkombëtare, mbetet sërish një grackë e rrezikshme në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi", tha ndër të tjera Dom Gjergj Meta.

Të fundit