Flash News

Bota

Mes kritikave, BE-ja pret talibanët për herë të parë në Bruksel

Mes kritikave, BE-ja pret talibanët për herë të parë

Bashkimi Evropian po përgatitet të presë për herë të parë talibanët në Bruksel për “bisedime teknike” mbi kthimin e afganëve në vendin e tyre, pavarësisht kritikave të ashpra nga grupet për të drejtat e njeriut dhe shenjave se sundimtarët e Afganistanit po e shtojnë edhe më tej shtypjen ndaj grave.

Blloku prej 27 anëtarësh nuk e njeh Qeverinë e udhëhequr nga talibanët, por ka planifikuar të takohet në qershor, me shumë gjasë më 22 ose 23 qershor, me një delegacion të regjimit islamist afgan të udhëhequr nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Abdul Qahar Balkhi.

Delegacioni që do të vizitojë Brukselin do të takohet me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe përfaqësues të disa shteteve anëtare, përfshirë Suedinë.

Përgatitjet për këto bisedime kanë shkaktuar kundërshtime të mëdha, veçanërisht pas zbulimeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se pothuajse 3.8 milionë vajza afgane vazhdojnë të jenë të ndaluara nga arsimi, ndërsa rreth 250.000 të tjera përjashtohen çdo vit.

Një zëdhënës i BE-së përsëriti gjatë një konference të fundit për media se “angazhimi nuk nënkupton njohje”.

Por, kjo bëri pak për të zbutur kritikat ndaj takimeve, të cilat shihen si pjesë e nismave në të gjithë bllokun për të lehtësuar politikat e emigracionit dhe për të rritur kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës.

“Kjo është një gabim i rëndë”, tha Shagofah Ghafori nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), një institut i pavarur kërkimor me seli në Bruksel.

“Në rastin më të mirë, Brukseli po i nënshtrohet presioneve të ngushta politike; në rastin më të keq, po normalizon një regjim të aparteidit gjinor dhe terrorit – dhe e gjithë kjo në këmbim të një ‘zgjidhjeje’ afatshkurtër për migrimin, në kurriz të vlerave themelore dhe sigurisë afatgjatë”, tha ajo.

Talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, kur forcat ndërkombëtare u tërhoqën nga Afganistani, dy dekada pasi militantët ishin rrëzuar nga pushteti.

Udhëheqësit talibanë premtuan se afganët do të kishin më shumë liri dhe të drejta sesa nën regjimin e mëparshëm të rreptë të tyre. Por, qeveria e udhëhequr nga talibanët nuk i ka mbajtur këto premtime, duke ndërmarrë shtypje të ashpër ndaj shumë grupeve, veçanërisht ndaj grave.

Në shenjën më të fundit të thellësisë së kësaj shtypjeje, javën e kaluar autoritetet talibane raportohet se arrestuan ose ndaluan një numër të pacaktuar grash në provincën perëndimore Herat, duke i akuzuar se nuk kishin respektuar siç duhet rregullat e talibanëve për mbajtjen e mbulesës.

Të nesërmen, policia e moralit e talibanëve hapi zjarr ndaj grave në qytet pasi ato organizuan një protestë kundër mungesës së të drejtave dhe lirive të tyre. Dëshmitarët raportuan vdekjen e të paktën një protestueseje gjatë trazirave. Talibanët nuk kanë konfirmuar viktima apo arrestime.

Saskia Bricmont, deputete nga Belgjika dhe një nga nismëtaret e një letre drejtuar qeverisë, ku argumentohet se regjimi taliban është përgjegjës për “shkelje masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut”, që prekin gratë, vajzat, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe pakicat, tha se lejimi i përfaqësuesve talibanë në Bruksel do të dërgonte një sinjal politik “thellësisht shqetësues”.

“Angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike duhet të mbetet i panegociueshëm”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Hannah Neumann, një tjetër anëtare e Parlamentit Evropian, shkroi në rrjetet sociale se duke lejuar praninë e talibanëve në Bruksel, “ne do të legjitimonim një regjim që shtyp sistematikisht gratë në skenën ndërkombëtare”.

Si shenjë se shtypja nga talibanët nuk po tregon shenja zbutjeje, regjimi i linjës së ashpër në fund të majit miratoi një ligj të ri që legalizon martesën e vajzave në moshën 9-vjeçare. Udhëheqësi i izoluar i talibanëve, Mullah Haibatullah, raportohet gjithashtu se ka nxjerrë udhëzime të reja që ndalojnë përdorimin e telefonave inteligjentë.

Më herët, autoritetet talibane urdhëruan mbylljen e edhe tri stacioneve të tjera radiofonike për atë që regjimi e quajti mospagesë të taksave, mungesë licence dhe transmetim nën standard.

Në të njëjtin urdhër, talibanët u kërkuan radiove të tjera që transmetimet e tyre t’i përshtatin me “parimet dhe etikën islame”.

Sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), Afganistani i udhëhequr nga talibanët renditet në vendin e 175-të në edicionin më të fundit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit. Më poshtë janë renditur vetëm Arabia Saudite, Irani, Kina, Koreja e Veriut dhe Eritrea.

Raporti i RSF-së thotë se 43 për qind e mediave në Afganistan janë mbyllur që nga viti 2021, viti kur talibanët morën me forcë Kabulin. Që atëherë, sipas RSF-së, më shumë se 165 punonjës të mediave janë arrestuar – përfshirë 25 në vitin 2025 – dhe “gazetaria është mbytur nga censura e pandërprerë”.

Më 8 qershor, zëvendëspërfaqësuesja e posaçme e OKB-së dhe shefja e Misionit të OKB-së në Afganistan, Georgette Gagnon, i tha Këshillit të Sigurimit se rreth 3.8 milionë vajza afgane të moshës 7 deri në 18 vjeç janë jashtë shkollës.

Ajo tha se rreth 250.000 vajza të tjera përjashtohen përgjithmonë nga arsimi i mesëm çdo vit, duke krijuar një “brez të humbur talentesh dhe potenciali”.

Faqja evropiane e lajmeve Euractiv pretendon se një vizitë e zyrtarëve të BE-së dhe Belgjikës në Kabul në janar të këtij viti krijoi bazën për një takim pasues me përfaqësuesit talibanë në Evropë.

Në një artikull të publikuar më 3 qershor në gazetën The Guardian, ish-deputetja afgane Fawzia Koofi shkroi se po përgatitej t’u drejtohej diplomatëve të BE-së për të kërkuar mbështetje për lirimin e anëtarëve të familjes së saj nga ndalimi i talibanëve, kur mori “lajmin tronditës” se BE-ja po ftonte përfaqësuesit e regjimit në Bruksel.

Koofi i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë pesë viteve të fundit nën regjimin taliban, gratë në thelb janë bërë qytetare të klasit të dytë dhe se “ata (talibanët) janë mjaftueshëm të zgjuar për t’i përdorur të drejtat e grave si kartë negociuese”.

Duke cituar tre zyrtarë të BE-së, raporti i Euractiv sugjeron se bisedimet e propozuara me përfaqësuesit talibanë do të mbeten rreptësisht teknike për të shmangur çdo perceptim të njohjes formale të qeverisë talibane.

Në një intervistë për Euronews lidhur me bisedimet e BE-së me talibanët, komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha se BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të angazhohen me qeveri si ajo e talibanëve për “bisedime teknike” mbi migrimin.

I pyetur nëse Gjermania po zhvillon bisedime me talibanët për dëbimin e afganëve, ai tha se “kjo ishte e nevojshme”.

Sipas Agjencisë së BE-së për Azil, shumë shtete perëndimore kanë pezulluar dëbimet drejt Afganistanit pas marrjes së pushtetit në Kabul nga talibanët në vitin 2021. Rastet e pakta të dëbimeve përfshijnë Belgjikën në shkurt 2023, Suedinë përmes Uzbekistanit dhe Zvicrën në tetor 2024.

Agjencia tha se Gjermania dhe Austria kanë dëbuar afganë të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil. Këto përfshinin dëbimin e 28 afganëve “me precedentë penalë” në gusht 2024 dhe 81 të tjerëve në korrik 2025. Austria dëboi një afgan “të dënuar për krim” më 21 tetor 2025.

Në mesin e 19 vendeve të BE-së që kanë kërkuar një “dialog të hapur” me talibanët për dëbimin e afganëve, Belgjika, Suedia, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë qenë ndër më të zëshmet.

Sipas Këshillit Evropian për Refugjatët dhe të Mërguarit (ECRE), më shumë se 1.6 milion shtetas afganë janë larguar nga vendi i tyre që prej marrjes së pushtetit në Kabul nga talibanët në gusht 2021. Në Evropë, afganët mbeten grupi i dytë më i madh i kërkuesve të azilit, pas sirianëve.

Brunner tha se ekspertët e BE-së ndodheshin në Kabul për bisedime teknike me talibanët mbi kthimin e afganëve, sepse ai beson se “mosangazhimi [me talibanët] nuk do ta përmirësojë situatën”.

Megjithatë, ish-deputetja afgane Koofi tha se beson se angazhimi i komunitetit ndërkombëtar, përfshirë vendet e rajonit, i ka inkurajuar talibanët.

“Sa më shumë angazhim që marrin nga komuniteti ndërkombëtar, aq më shumë i shtypin gratë”, tha ajo./REL

Latest news