Flash News

E-TJERA

Përtej gallatës dhe nofkave, çfarë ofron politika për ekonominë

Përtej gallatës dhe nofkave, çfarë ofron politika për

Më 11 maj, zgjedhësit duhet të zgjedhin mes vazhdimësisë së qeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës dhe ndryshimit. Çfarë përmbajnë programet e forcave kryesore politike dhe sa të besueshme janë premtimet e tyre?

“Bufi”, “Këneta”, “Latifi”, “Lubia”, “Tallavaja”…

Fjalët e para që të vijnë ndër mend për fushatën zgjedhore të këtij viti janë batutat dhe nofkat. Vështirë të thuhet se fushata zgjedhore e këtij viti ka lënë mbresa për argumentimin e kthjellët dhe të besueshëm të programeve elektorale.

Në komunikimet e tyre të fushatës, drejtuesit politikë kanë tentuar të ndikojnë më shumë emocionet e zgjedhësve me komente për kundërshtarët, se sa të shpenzojnë kohë për të shpalosur alternativat e tyre.

Partia Socialiste në pushtet e vendos theksin kryesisht te vazhdimësia e rrugës së deritanishme dhe duket se nuk premton kthesa të mëdha në politikat ekonomike dhe buxhetore. Forcat politike në opozitë kanë tentuar të formulojnë një ofertë ekonomike më agresive, por pa dhënë shumë argumente se si do ta mbështesin këtë ofertë.

Asnjë nga forcat politike nuk ka llogaritur një faturë të mirëfilltë për realizimin e premtimeve të saj elektorale dhe një përllogaritje të saktë të burimeve sesi do të sigurohen paratë për përmbushjen e këtyre premtimeve.

PS: Pak ndërhyrje në taksa, program vijimësie

Partia Socialiste, në programin e saj 2024-2030, të publikuar në faqen zyrtare, premton ta çojë pagën mesatare në ekonomi në 1000 euro dhe pagën mesatare në administratë në 1200 euro. Programi nuk shpjegon sesi qeveria do të ndikojë pagat jashtë sektorit publik, por edhe në këtë rast mund të supozohet se kjo rritje do të nxitet nga rritja e pagës minimale dhe konkurrenca prej rritjes së pagave në sektorin publik dhe nga rritja e ekonomisë.

PS premton rritjen e mëtejshme të pagës minimale në 500 euro në 2026 dhe garanton 18 muaj (deri në 2027) pa taksa shtesë.

Lidhur me pensionet, Partia Socialiste në programin e saj shpreh ambicien për ta çuar pensionin minimal në 200 euro dhe pensionin mesatar për ata që kanë paguar sigurime të plota në 400 euro. Në program, Partia Socialiste angazhohet të ulë informalitetin, duke nxitur deklarimin e pagave reale.

Në programin për mbështetjen e biznesit, PS premton të mobilizojë 2 miliardë euro kredi dhe garanci, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Zhvillimit, për të rritur prodhimin vendas. Premtohet gjithashtu vënia në lëvizje e 1 miliard euro investime të reja, nëpërmjet paketës Smart Albania.

PS gjithashtu angazhohet të investojë 300 milionë euro për strehimin dhe mbështetjen e 50 familjeve dhe çifteve të reja me kredi lehtësuese.

Bizneseve u premtohet marrëveshja 3-vjeçare e paqes fiskale, me taksë 15% për fitimin normal dhe 5% për fitimin shtesë. Nën parullën e paqes fiskale, ajo që propozohet duket të jetë amnistia e radhës. Aplikimi i herëpashershëm i amnistive, ndërsa ndihmon në rritjen e të ardhurave dhe lehtëson bizneset nga një pjesë e penaliteteve, lëkund moralin e sistemit tatimor dhe vazhdon të penalizojë tatimpaguesit korrektë.

PS premton që, deri në vitin 2030, të sigurojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në 100% të qyteteve dhe 80% të fshatrave.

Në sektorin e arsimit, PS premton të rrisë pagën mesatare të mësuesve në 1250 euro brenda mandatit të katërt dhe të investojë në përmirësimin e kushteve të punës për ta. Gjithashtu, premtohet ndërtimi i 200 shkollave të reja dhe 60 milionë euro investime në rindërtimin dhe modernizimin e shkollave profesionale.

Në sektorin e shëndetësisë, premtimet kryesore janë rindërtimi i të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave brenda vitit 2030, aktivizimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shëndetit, vazhdimi i check up falas dhe heqja e limitit të moshës për përfituesit e këtij shërbimi.

Në energjetikë, premtohet që brenda vitit 2030 prodhimi i energjisë të gjashtëfishohet, Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë dhe 30% e prodhimit të sigurohet nga teknologjia fotovoltaike.

Në infrastrukturë, PS premton ndërtimin e 700 kilometrave rrugë, duke përfshirë përfundimin e korridorit Adriatiko-Jonian dhe të Korridorit VIII. Premtohet gjithashtu përfundimi i portit të ri tregtar në Porto-Romano, rindërtimi i linjave ekzistuese hekurudhore dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Prishtinë.

Në bujqësi, premtohet mbështetja e produkteve me avantazh konkurrues, si frutat, perimet, vaji i ullirit dhe akuakulturës, me synimin për të rritur eksportet bujqësore në 1 miliard euro.

PS premton ta çojë madhësinë e ekonomisë në 35 miliardë euro në fund të mandatit të katërt. Duke qenë se sipas vlerësimeve më të fundit, madhësia e PBB-së së vendit është rreth 25 miliardë euro, premtimi se ekonomia do të zgjerohet me 10 miliardë euro apo rreth 40% në katër vjet duket ambicioz. Megjithatë, nëse shohim shifrat zyrtare të INSTAT për ecurinë e PBB-së nominale deri në vitin 2023, një projeksion i tillë duket në linjë me tendencën e viteve të fundit. Për periudhën 2019-2023, PBB-ja nominale e vendit është rritur me më shumë se 38%.

Një element tjetër që duhet nënvizuar është se shumë parametra makroekonomikë në vitet e fundit janë ndikuar nga mbiçmimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor. Në mungesë të mbiçmimit të Lekut, prodhimi kombëtar, i shprehur në Euro, do të kishte një vlerë më të ulët.

Në përgjithësi, programi i PS nuk përmban premtime që kanë një efekt të rëndësishëm buxhetor në afat të shkurtër. PS nuk premton ulje me bazë të gjerë të taksave, që do të ndikonte në mënyrë domethënëse bazën e të ardhurave.

Nga ana tjetër, investimet e premtuara parashikon që t’i shtrijë gjatë të gjithë mandatit, duke i përfshirë në strukturën ekzistuese të shpenzimeve publike sipas sektorëve. Në mungesë të një fature për investimet që premton, është e vështirë të thuhet sa e mundur është që të gjitha këto premtime të jenë të përballueshme.

Megjithatë, premtimet për rindërtimin e plotë të rrjetit hekurudhor apo ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë brenda këtij mandati duken mjaft ambicioze, edhe në mungesë të një fature financiare. Transporti hekurudhor në Shqipëri ka degraduar deri pranë kolapsit total në 30 vitet e fundit dhe i vetmi projekt i rëndësishëm në vazhdimësi për këtë sektor, hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, është me vonesë në afatet e përfundimit.

E njëjta gjë mund të thuhet për premtimin e zgjerimit të furnizimit me ujë 24 orë, ku ende duket se ka diferenca të mëdha mes tablosë që paraqet qeveria dhe eksperiencës që kanë qytetarët.

PD: Ulje taksash, rritje pagash e pensionesh

Premtimet fiskale të Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj Aleanca për Shqipërinë Madhështore janë në vetvete shumë agresive. Premtimet më të rëndësishme dhe me ndikimin më të madh në të ardhurat buxhetore janë ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 15% dhe vendosja e një tatimi të sheshtë mbi të ardhurat, në masën 10%. Taksa e sheshtë prej 10% do të përfshijë të ardhurat nga biznesi dhe ato nga puna, ndërsa premtohet përjashtim i plotë për të ardhurat nga paga deri në 50 mijë lekë në muaj.

PD premton gjithashtu përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit deri në 25 vjeç dhe përjashtim nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për të punësuarit e rinj.

Partia Demokratike premton të përjashtojë nga tatimfitimi dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të gjitha bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 18 milionë lekë. Taksat lokale nuk do të jenë më shumë se 1% e xhiros së biznesit.

PD gjithashtu premton rivendosjen e fashave të akcizës për prodhuesit e birrës, konkretisht 300 lekë për hl për prodhuesit deri në 200 mijë hektolitra (hl) në vit dhe 600 lekë për hl për prodhuesit e sasive mbi 200 mijë hl në vit.

Çmimi i pullave fiskale do të ulet nga 17.22 euro për 1000 pulla në 3 euro për 1000 pulla.

PD premton gjithashtu uljen e tatimit mbi të ardhurat nga shitja e pasurive të paluajtshme, nga 15% në 2%.

PD premton uljen e çmimit të energjisë elektrike për bizneset në 6 lekë për kWh.

Platforma e PD gjithashtu mbështetet në premtimin për ta vendosur sistemin fiskal në fillim të mandatit dhe për të mos e ndryshuar gjatë katër viteve, me përjashtim të lehtësive të tjera të mundshme fiskale.

Për të kompensuar uljen e taksave, PD premton të ulë informalitetin në ekonomi nga 40% (sipas vlerësimit të saj) në 30%.

PD premton krijimin e zonave të lira ekonomike, mbështetjen e start-up-eve nëpërmjet Bankës së Zhvillimit, lehtësi të mëtejshme fiskale për bizneset e të rinjve, të grave dhe bizneset e diasporës ose të emigrantëve të rikthyer, etj.

PD premton paralelisht rritje të mbështetjes sociale në 100 ditët e para të qeverisjes, që përfshin vendosjen e minimumit jetik, përfshi pensionin minimal, në masën 200 euro në muaj, vendosjen e një page mesatare 1200 euro dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për kWh. Për personat që janë subjekt i minimumit jetik premtohet gjithashtu pajisja me kartë konsumatori, që do të mundësojë kthimin e TVSH-së deri në 450 euro në vit. PD premton ulje të çmimit të naftës në masën 35%-40%, por pa detajuar si do të mundësohet kjo ulje, duke qenë se në programin fiskal nuk përmenden ulje të taksave të lidhura me karburantet.

Në bujqësi, PD premton dyfishim të buxhetit për bujqësinë, nga 1.7% në 3.5% të shpenzimeve buxhetore dhe pesëfishim të fondit të subvencioneve në 200 milionë euro. Gjithashtu, PD premton rimbursim në masën 70%-100% të primit të sigurimit për fermerët.

Koalicioni Euroatlantik: Taksë e sheshtë 9% dhe…heqje e vizave me SHBA

Në programin e vet, Koalicioni Euroatlantik propozon, ashtu si forcat e tjera të djathta, vendosjen e taksës së sheshtë. Shkalla tatimore e propozuar nga ky koalicion është 9%.

Kjo forcë politike premton të fuqizojë shtresën e mesme, duke krijuar një mjedis të favorshëm

për zhvillimin e sipërmarrjes dhe rritjen e punësimit, nëpërmjet një shkalle të ulët dhe të barabartë të tatimit mbi të ardhurat për bizneset dhe individët.

Për bizneset e vogla, propozohet heqja e tatimit, deri në kufrin e xhiros prej 14 milionë lekësh në vit. Detyrimet që bizneset e vogla paguajnë ndaj pushtetit vendor do të jenë në vlerë jo më të lartë se 1% e xhiros vjetore.

Koalcioni Euroatlantik premton gjithashtu të aplikojë pullën fiskale, në mënyrë që bizneset e vogla të përjashtohen nga kontrollet tatimore të shpeshta, duke ofruar shërbimin e verifikimit vetëm kur dhe ku e kërkon tatimpaguesi; të vendosë kompensimin apo rimbursimin automatik nga sistemi i TVSH-së për çdo tatimpagues përfitues, duke eliminuar abuzimin, korrupsionin dhe ndërhyrjen e administratës tatimore në proceset e rimbursimit; të bashkojë në një institucion të vetëm tatimet dhe doganat, duke përgjysmuar burokracinë dhe duke rritur efektivitetin e luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal; të eliminojë privilegjet fiskale për investitorët strategjikë, duke krijuar një terren të barabartë për të gjithë investitorët dhe duke rritur konkurrencën e ndershme në treg; të heqë atë që e quan “taksa Rama” prej 24 lekë/litër, e cila është bërë një barrë e rëndë për qytetarët dhe bizneset, për të ulur kostot e transportit dhe të prodhimit.

Kjo forcë premton të krijojë, Fondin me Prioritet për Punësimin e të rinjve në sektorin

e teknologjisë, si prioritete ekonomike të vendit, me synim për të rritur sipërmarrjet në fushën e teknologjisë të drejtuara nga të rinjtë; të hartojë, nisma për ta kthyer Shqipërinë në qendër të investimeve të IT-së, ku kompanitë dhe individët me mbështetjen e qeverisë, do të aftësohen që të konkurojnë në ofrimin e shërbimeve të IT-së dhe programimit në tregun e BE-së; të bëjë subvencionim të pagës së plotë ose të pjesshme që marrin jashtë vendit, për 1 vit, për çdo profesionist të ri ekselent nëse vendos të rikthehet në Shqipëri, etj/

Koalicioni Euroatlantik premton një ndihmë prej 2000 euro për fëmijën e parë dhe për fëmijën

e dytë, ndërsa për fëmijën e tretë, kjo ndihmë do të dhjetëfishohet, duke arritur në 20

000 euro. Kjo forcë premton gjithashtu të subvencionojë interesin e plotë për kredi për strehim për 30 mijë çifte të reja.

Lidhur me pensionit, Koalicioni Euroatlantik e ngre akoma më shumë nivelin e pensionit minimal, që premtohet të arrijë në 250 euro brenda dy viteve të para të qeverisjes, nëpërmjet “një indeksimi progresiv që garanton fuqinë blerëse të pensionistëve”.

Ndërsa pensioni mesatar do të arrijë 450 euro brenda mandatit të parë, duke rritur mbështetjen për pensionistët sipas kontributeve të tyre dhe duke siguruar që askush të mos mbetet pas. Premtohet gjithashtu një kompensim fiks mujor për të gjithë pensionistët me të ardhura nën 300 euro, për të mbuluar kostot bazë të shëndetësisë dhe energjisë elektrike.

Premtohet gjithashtu dyfishim i ndihmës ekonomike.

Në fushën e arsimit, Koalicioni Euroatlantik premton të dyfishojë financimet publike për këtë sektor dhe të rrisë me 60% pagat e mësuesve.

Koalicioni Euroatlantik premton gjithashtu forcim të skemës së sigurimeve shëndetësore, rritje të buxhetit për shëndetësinë, veçanërisht me me 50% fondin e pagave.

Subvencionet në bujqësi premtohen të arrijnë në 100 milionë euro që në vitin e parë të Qeverisjes, ndërsa paralelisht premtohen 50 milionë euro investime në infrastrukturë, për mbështetje të drejtëpërdrejtë për fermerët.

Koalcioni Euroatlantik premton zgjidhje menjëherë dhe pa burokraci të problemit të pronësisë, me kthim të menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë dhe kompensim me vlerë tregu ku është e zënë. Kompensimi do të bëhet nga lëshimi i obligacioneve nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës.

Koalicioni Euroatlantik prenton gjithashtu udhëtim pa viza në SHBA brenda mandatit të parë.

“Nisma Shqipëria Bëhet”: Taksë e sheshtë 10%, rimbursim i TVSH-së deri në 10%

Edhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, ashtu si Partia Demokratike, propozon taksim të sheshtë në masën 10%. Për të gjithë të dy apo më shumë të punësuarit në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë tatim të shumëfishtë. Tatimi do të jetë sa 10% e totalit nga të gjitha burimet e të ardhurave. “Shqipëria Bëhet” nuk saktëson nëse do të ketë ndonjë prag përjashtues për tatimin e të ardhurave nga paga, siç ndodh aktualisht.

Në mënyrë të ngjashme me Partinë Demokratike, premtohet një rritje e pragut të përjashtimit nga tatimi për biznesin e vogël, por në një nivel më të lartë, duke premtuar tatimfitimi zero për subjektet me xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë.

Lidhur me TVSH-në, “Shqipëria Bëhet” propozon një skemë që nuk bazohet në uljen e shkallës së tatimit, por mbi rimbursimin e tij për qytetarët. Sipas programit, TVSH do të paguajnë të gjithë, për të gjitha produktet, por deri në 10% të saj shteti do t’ua kthejë qytetarëve në fund të vitit.

Ligji do të përcaktojë se çdo qytetar ka të drejtë të mbledhë faturat e blerjes pranë çdo biznesi gjatë gjithë vitit fiskal dhe t’i dorëzojë ato pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të zonës ku banon nga data 1-25 Janar të vitit pasardhës. Çdo qytetar do të ketë të deklaruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit të Shtetit llogarinë personale bankare, e cila do të shërbejë si depozitë ku automatikisht qytetarit do t’i rimbursohet deri në 10% e vlerës së faturave të depozituara.

Kalimi i vlerës përkatëse bëhet kur faturat skanohen nga punonjësi i Tatimeve e verifikohen nga sistemi si të vlefshme.

Programi nuk jep hollësi të mëtejshme sa do të jetë saktësisht masa e TVSH-së së rimbursuar apo si do të përcaktohet masa e rimbursimit.

Programi i “Shqipëria Bëhet” gjithashtu parashikon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant dhe heqjen 5 lekë për litër nga tarifat e tjera në fuqi. Në çdo rast, çmimi i karburanteve nuk do të jetë më i lartë se mesatarja e çmimit të karburantit të vendeve fqinje.

Për mbështetjen e bujqësisë, “Shqipëria Bëhet” premton të themelojë Bankën Kombëtare Agrare, ide kjo e premtuar disa herë më parë nga forca të tjera politike, por e parealizuar asnjëherë. Kjo bankë do të ketë kapital 100% shtetëror dhe do të ketë si objekt të veprimtarisë financimin e fermerëve, blegtorëve, peshkatarëve dhe bletërritësve me kredi deri në 100 000 euro, me interes fiks dhe të ulët (kredi të buta). Banka Kombëtare Agrare do të investojë në bujqësi, blegtori, peshkim dhe bletari deri në 100 milionë euro në vit.

“Shqipëria Bëhet” premton grante në vlerë deri në 1 milion euro (në total 30 milionë euro në vit) për ndërtimin e linjave të përpunimit të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit dhe të mjaltit, për të gjithë ata investitorë që investojnë mbi 3 milionë euro, si dhe lehtësi fiskale për 10 vitet e para pas investimit.

Gjithashtu, ajo premton të krijojë Fondin Sovran për Burimet Natyrore. Në këtë fond do të arkëtohet çdo vit 50% e fitimit neto që mbetet nga aktiviteti ekonomik në burimet natyrore minerare.

E gjithë vlera, që futet në Fondin Sovran, do të jetë e pamundur të tërhiqet nga Shteti Shqiptar, përveç fitimeve që gjenerohen nga ky fond e që mund të përdoren për çështje të zbatimit të politikave buxhetore, apo investimeve publike si ndërtim kopshtesh, çerdhesh,

shkollash, ndërtim qendrash sociale për personat me aftësi të kufizuara, personat e moshuar, fëmijët me aftësi ndryshe; investime në infrastrukturë publike; pagesat e ndihmës ekonomike; pagesat e ndihmës për nënat e vetme, jetimët; bursat e studentëve ekselentë;

kreditimin e biznesit të vogël me kredi të buta; financimin e programeve të strehimit për çiftet e reja; financimin e Bankës Kombëtare për Fermerët.

Çmimi i energjisë elektrike do të jetë i ndarë në dy fasha: fasha e natës nga ora 22:00 – 05:00, me çmim 3.8 lekë/kWh dhe Fasha e ditës nga ora 05:00 – 22:00, me çmim 7.4 lekë/kWh;

Çdo pension, ndihmë ekonomike, pagesë për jetimët, apo pagesë paaftësie nuk do të jetë më e vogël se 20,000 lekë në muaj. Vlera prej 20 mijë lekësh, si minimum nga ku do të referohet i gjithë sistemi i pagesave të pensioneve dhe ndihmës ekonomike do të përcaktohet nga studimi përkatës i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe do të indeksohet çdo vit.

Pensionet e të gjitha kategorive që janë nën vlerën 20 mijë lekë në muaj do të rriten në këtë vlerë. Pensionet aktuale me vlerë nga 20 mijë lekë e sipër do të rriten me nga 2,500 lekë në vit për 4 vitet e para të qeverisjes.

Partia Mundësia: Taksë e sheshtë 8%, përgjysmim i shpenzimeve të administratës

Partia Mundësia premton vendosjen e taksës së sheshtë në nivelin 8%. Sipas kësaj force, sistemi aktual fiskal në Shqipëri është i komplikuar, me taksa të larta që rëndojnë mbi bizneset dhe qytetarët. Sipas saj, ulja e taksave stimulon investimet, nxit rritjen ekonomike dhe krijon vende pune, duke bërë që shqiptarët të pasurohen nga puna e tyre e ndershme, jo nga lidhjet politike.

Ajo argumenton se praktika ndërkombëtare ka treguar se taksa e ulët dhe e thjeshtë nxit bindjen ndaj ligjit fiskal dhe zvogëlon informalitetin ekonomik, duke sjellë më shumë të ardhura në buxhet nëpërmjet zgjerimit të bazës tatimore.

Pas kësaj uljeje, Partia Mundësia premton “ngrirjen” e politikave fiskale për 10 vite. Duke ngrirë politikat fiskale për një dekadë, ajo premton të sigurojë një klimë të qëndrueshme për investimet e brendshme dhe të huaja, duke eliminuar pasiguritë që sot pengojnë sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.

Partia Mundësia vlerëson se administrata shqiptare sot është e fryrë, joefikase dhe shpeshherë abuzive me fondet publike. Nëpërmjet reduktimit të burokracisë, eliminimit të punësimeve fiktive dhe kontrollit të rreptë mbi shpenzimet, mund të kursehen të paktën 1 miliard euro në vit.

Partia Mundësia vlerëson se aktualisht, sipërmarrësit përballen me kontrolle të shpeshta dhe shpesh të padrejta, që pengojnë zhvillimin e tyre dhe krijojnë pasiguri.

Heqja e këtyre kontrolleve për tre vitet e para do t’u japë sipërmarrësve kohën e nevojshme për të forcuar biznesin e tyre, duke inkurajuar sipërmarrjen, inovacionin dhe punësimin. Një

politikë e tillë është përdorur me sukses në disa vende të zhvilluara, duke rezultuar në rritje të shpejtë ekonomike dhe rënie të papunësisë.

Partia Mundësia shprehet gjithashtu se monopolet dhe oligopolet janë pengesë serioze për ekonominë shqiptare. Ato krijojnë padrejtësi në treg dhe rrisin çmimet artificialisht, duke rënduar drejtpërdrejt mbi qytetarët. Automatizimi i proceseve doganore me Inteligjencë Artificiale do të reduktojë korrupsionin, do të rrisë transparencën dhe do të ulë kostot operacionale, duke bërë që çmimet të bien

në nivele më konkurruese dhe duke rritur fuqinë blerëse të qytetarëve. Për më tepër, automatizimi do të përmirësojë efikasitetin në dogana, duke nxitur tregtinë ndërkombëtare dhe duke bërë vendin më tërheqës për investime.

Lëvizja Bashkë, rritje taksash dhe forcim i mbështetjes sociale

Në programin e saj, Lëvizja Bashkë vendos si objektiv rritjen e të ardhurave të buxhetit në nivelin e 33% të PBB-së brenda katër viteve, nisur nga rreth 28% që është sot, me qëllim për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e shërbimeve publike bazë si shëndetësia dhe arsimi, mbrojtjen sociale, rritjen e solidaritetit dhe kohezionit social (pensionet dhe ndihmën ekonomike të shtresave në nevojë), për të mbështetur gjithashtu një rritje ekonomike më të lartë, bujqësinë dhe industrinë përpunuese, investimet në teknologji të reja etj.

Ky subjekt angazhohet për rishikimin me themel të përjashtimeve tatimore, si për shembull në sektorin e turizmit (hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje me status special), ashtu edhe përfitues të tjerë, duke vendosur një barrë tatimore të ndershme dhe të drejtë për sipërmarrësit.

Në tatimin mbi të ardhurat personale, Lëvizja Bashkë mbështet parimin e tatimit progresiv të të ardhurave personale. Bazuar në modele të ngjashme të tatimit progresiv, si për shembull Sllovenia, propozohen 5 fasha të tatimit, si më poshtë: Paga minimale bruto 60,000 lekë, tatimi 0%; nga 60,001-100,000 lekë, tatimi margjinal 10%; nga 100,001-200,000 lekë, tatimi margjinal 15%; nga 200,001-400,000 lekë, tatimi margjinal 25%; nga 400,001 lekë e sipër, tatimi margjinal 35%

Krahas deklarimit mujor të të ardhurave personale nga punësimi, Lëvizja Bashkë do të zbatojë një deklarim vjetor të të ardhurave personale në tërësi, që do të mbështetet në njësinë familjare të deklaruesit kryesor në njërën anë, si dhe do të marrë në konsideratë nivelin e minimumit jetik të familjes në anën tjetër. Kombinimi i të ardhurave vjetore/familjare dhe minimumit jetik do të shërbejë për të bërë korrigjimet përkatëse të nivelit të tatimit.

Krahasuar me modelin aktual, ku tatimi mbi dividendin, sipas Lëvizjes Bashkë, është ulur padrejtësisht në nivelin 8%, ajo premton ta rivendosë në masën 15%.

Lidhur me tatimin korporativ, Lëvizja Bashkë me synimin e rritjes së të ardhurave buxhetore për të mbështetur shtetin zhvillimor dhe social dhe vendosjen e një tatimi sa më të drejtë, do të vendosë një skemë të diferencuar të tatimit të fitimit.

Së pari, për investimet që rrisin ndjeshëm kapacitetin teknologjik, produktivitetin e punës dhe ngjitin ekonominë vendase në zinxhirin global të vlerës, do të aplikohet një normë tatimfitimi prej 3% (sot është 5%). Për investimet e tjera, do të aplikohen tri shkallë tatimore, përkatësisht 10, 15 dhe 20%. Aplikimi i këtyre shkallëve do të mbështetet në shkallën e fitimit të tatueshëm dhe tipin e sektorit. Sektori financiar dhe spekulativ, si sektori i ndërtimit, do të kenë normë më të lartë të tatimfitimit.

Lëvizja Bashkë angazhohet të rimbursojë TVSH-në për kategoritë në nevojë dhe pensionet e ulëta. Nisur nga nivelet shumë të ulëta të pensioneve në Shqipëri, krahas objektivit të Lëvizjes Bashkë për vendosjen e minimumit jetik dhe rritjen e pensioneve mbi nivelin e minimumit jetik, ajo angazhohet të hartojë një skemë të rimbursimit të TVSH për pensionet e ulëta dhe mesatare, si dhe për përfituesit e ndihmës ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar.

Baza e mbështetjes financiare për të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara do të jetë njohja dhe vendosja me ligj e minimumit jetik i cili, sipas llogaritjeve të derisotme, duhet të jetë 21,168 lekë.

Një mënyrë për të rritur nivelin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe për të vendosur drejtësi shoqërore midis pensionistëve të së ardhmes do të ishte heqja e tavanit të pagës maksimale për të cilën paguhen kontributet, duke e shoqëruar këtë të fundit me një normë më të lartë të kontributeve për pagat shumë të larta dhe duke rritur përqindjen e kontributit të punëdhënësit për punëmarrësin. Propozimi i Lëvizjes Bashkë është që për punëmarrësit me paga shumë të larta, të cilët në pjesën më të madhe janë edhe të punësuar në kompani të mëdha, të rritet me 2% niveli i kontributit për sigurimet shoqërore dhe 3.5% të tjera të paguhen shtesë nga punëdhënësi.

Masat e mësipërme do të mundësonin edhe vendosjen e minimumit jetik. Ky nivel bazë jetese do të përcaktojë nivelin e pensionit minimal dhe do të vendosë bazën mbi të cilën do të llogariten të gjitha pensionet. Kjo masë do të sigurojë pensione të jetueshme për çdo pensionist, duke nisur nga mbi 520,000 pensionistët që sot marrin pensione më të ulëta se minimumi jetik. Rritja e pensioneve të tjera, që sot janë mbi nivelin e minimumit jetik, do të kryhej në një masë më të vogël duke garantuar qëndrueshmërinë e skemës së sigurimeve shoqërore dhe jetësimin e parimeve të drejtësisë shoqërore.

Vizioni i Lëvizjes Bashkë në ndërtimin e një shteti social është një sistem arsimor publik cilësor dhe i përballueshëm nga të gjithë qytetarët. Në këtë vizion, institucionet publike të arsimit duhet të gjejnë te shteti shqiptar themelin tek i cili do të mbështeten. Prandaj çdo hap përpara drejt këtij vizioni do të duhet të nisë me rritjen substanciale të financimeve të shtetit për arsimin. Lëvizja Bashkë propozon rritjen nga 2.9% të PBB që është sot, në të paktën 4% të PBB që është edhe mesatarja e vendeve të rajonit. Këto të ardhura do të shërbenin, në radhë të parë, për të plotësuar nevojat infrastrukturore nga të cilat vuajnë institucionet e arsimit në vend, e më tej për të ofruar arsim publik cilësor e të përballueshëm për të gjithë qytetarët.

Objektivi i Lëvizjes Bashkë është që niveli i shpenzimeve për shëndetësinë të arrijë në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke iu afruar kësisoj mesatares së shpenzimeve për shëndetësinë të vendeve të rajonit. Rritja e shpenzimeve për shëndetësinë publike do të mundësohet nga lufta e paepur ndaj korrupsionit dhe shpërdorimeve, por edhe duke nxitur formalizimin e marrëdhënieve të punës dhe pagesën e sigurimeve shëndetësore./ Monitor

Latest news