Flash News

KRYESORE

Gjermania merr presidencën e BE në kulmin e pandemisë, mes prioriteteve negociatat me Shkupin e Tiranën

Gjermania merr presidencën e BE në kulmin e pandemisë, mes

Kryesimi i Këshillit të Bashkimit Evropian përfundoi të martën në mesnatë nga Kroacia ndërsa nga sot do t'i kalojë Gjermanisë.

Presidenca Gjermane do ta ketë prioritet kryesor miratimin e kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondit për përballje me pasojat e pandemisë, por edhe tema të tjera si ndryshimi klimatik, digjitalizimi dhe polarizimi në rritje.

Slogani i Gjermanisë për këtë vit do të jetë “Së bashku për rimëkëmbje”, dhe kjo për shkak të situatës së krijuar në bllok por jo vetëm, nga pandemia e covid-19.

Për të evituar pasojat ekonomike të pandemisë Corona në BE, ekziston një propozim i Komisionit të BE për financimin e projekteve ekonomike, me një vëllim prej 750 miliardë eurosh. Prej tyre 500 miliardë euro do të jenë si ndihma për vendet anëtare të BE, ndërsa pjesa tjetër janë kredi.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Siç shkruan rel, Gjermania do të tentojë që gjatë presidencës së saj të BE-së të nisë edhe negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Por një diplomat i lartë gjerman tërhoqi vërejtjen se në këtë drejtim nuk mund të ketë garanci.

Ai tha se do të jetë më lehtë në rastin e Maqedonisë së Veriut sesa Shqipërisë, por Gjermania do të tentojë ta avansojë edhe këtë temë.

Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

Kosova

Kujtojmë se pak ditë më parë, disa deputetë të Parlamentit Evropian i nisën një letër kancelares gjermane që gjatë kryesimit të tyre me BE-në në rendin e ditës të vendosin edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.

Zyrtarë të lartë gjermanë janë shprehur publikisht në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, Franca, Holanda dhe disa shtete tjera të BE-së nuk e kanë mbështetur deri më tani një vendim të tillë.

Gjithashtu,  Gjermania do të insistojë që gjatë kryesimit të saj me BE-në të avancojë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjermania merr presidencën e BE-së për gjashtë muajt në vijim nga sot, 1 korrik 2020.

Lexo edhe: Presidenca e BE/ Shqipëria në axhendën e Gjermanisë, Zingraf i kujton Shqipërisë 15 kushtet  e konferencës së parë ndërqeveritare

Lexo edhe: Gjermania merr Presidencën e BE, reagon Meta: Mundësi që nuk duhet humbur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Të fundit