Flash News

OP-ED

Hija që na rëndon: Vështrim kritik mbi vazhdimësinë e komunizmit dhe kryengritjen e pa përfunduar në Shqipëri

Hija që na rëndon: Vështrim kritik mbi vazhdimësinë e

Nga Andi Mustafaj

Pjesa V (nga pesë)

Shfaqjet e vazhdimësisë së komunizmit tek shoqëria

Të metat e shoqerisë sonë, ne i komentojmë cdo ditë dhe në cdo vend. Në kafene, në rrugë, në shkollë, në punë, ne shtëpi. Kudo ku na jepet mundësia themi cfarë mendojmë per vendin tone. Por në mënyrë të cuditshme, nderkohë qe simptomat janë të njëjta, sëmundja qe diagnostikojmë për secilën prej tyre është e ndryshme. Duke i dhënë shpjegime të ndryshme problemeve të njëjta, e dënojme veten që të shohim gjithmonë në menyrë të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë realitetin.

Shoqëria jonë vuan thellë nga vazhdimësia e komunizmit ose e thënë ndryshe, vazhdimësia e komunizmit shfaqet fortë në shumë aspekte të jetës sonë shoqërore.

E para, dhe ndoshta ajo që na pengon më fortë që ne të bashkohemi eshte mosbesimi dhe hiper polarizimi i shoqerisë. Komunizmi e kishte kuptuar fare mire se nëpunesit e shtetit, sado të egër dhe aktivë të ishin nuk mund te mjaftonin për të kontrolluar shoqërinë. Ata, të frymëzuar nga praktika të vjetra politike krijuan një klimë të madhe mosbesimi në shoqëri ku secili e dinte se kontrollohej nga secili dhe e mbështeti këtë klimë tek parimi bazë: je me mua ose je armiku im.

Ky realitet, shfaqet gati në mënyrë të njëjtë edhe sot. Klima mosbesuese gjendet në cdo qelizë të jetës sëpërditshme. Qoftë për arritje brënda apo jashtë vendit, qoftë per fillime punësh në administratë apo edhe thjesht pastrues, pyetjet e para që bëhen jane: “kush e ka fut aty?”, “kë njef?”, “kë ka mik?” dhe sigurisht në sfond, shpesh, prezencën e një lidhjeje me parti politike. Polarizimi i shoqërisëështë aq i fortë sa ka përpirë vetë konceptin e meritës.

Aty lulëzon edhe armiku. “Je me mua apo kundër meje” eshte gdhendur si tatuazh në kockat tona të njoma demokratike. Eshtë e pamundur të bësh një kritikë pa u etiketuar “armik”, është a pamundur të bësh një debat pa u etikuar si një  “marionetë”, politika shkon e kërkon deri në krevatin e njerëzve per të ditur nëse flejnë me njerëz të së njëjtës parti. Njëlloj si në kohën e diktaturës komuniste, politika është një shkencë ekzakte e cila njeh vetëm një pergjigje, nënshtrimin e verbër.

Kjo klimë mundëson më pas një shfaqje tjetër të vazhdimësisë së komunizmit e cila është apatia e përgjithshme e shoqërisë dhe mungesa e energjisë për të ndërtuar kauza të perbashkëta perballë padrejtësive. Pritëm 45 vite për të rrëzuar komunizmin. Qysh atëhere, me disa perjashtime të rralla, sic ishte rasti i importit të mbetjeve kimike nga Siria, Shqiptarët nuk jane ngritur më për të mbrojtur kauza të përbashkëta kundër padrejtësive që u bëhen.

Cmimi i naftës është nga më të shtrenjtit në Europë ndërkohë që vendi është më i varfëri, duke shtrenjtuar çdo aspekt të jetesës së perditshme, asnjë njeri në rrugë.

Cmimi i energjisë elektrike rritet vazhdimisht dhe njerëz fatkeqë që nuk kanë mundësi për ta paguar arrestohen, asnjë njeri në rrugë.

Policia dhe policia bashkiake bëjnë terror ndaj qytetarëve që kërkojnë të nxjerrin vetëm bukën e gojës nderkohë që përulen perballë “të fortëve”, asnjë njeri në rrugë.

Korrupsioni arrin përmasa gjithmonë e më të larta duke veshtirësuar në mënyrë të vazhdueshme jetën e qytetarëve, asnjë njeri në rrugë.

Bandat kriminale lirohen cdo dite nga burgjet duke rrezikuar në menyre sistematike rendin në çdo lagje të vendit, asnjë njeri në rrugë.

Votat blihen dhe vidhen, me zë e figurë, duke cënuar çdo sekondë ekuilibrin e brishtë të demokracisë shqiptare, asnjë njeri në rrugë.

Shteti zbrazet nga mushkëria e saj, rininë që po merr gjithmonë e më shume rrugën e kurbetit, asnjë njeri në rrugë.

Zgjedhje me nje parti të vetme organizohen në shpinën e çdo qytetari duke i mundesuar një njeriu e një partie drejtimin e çdo aspekti institucional të vendit, asnjë njeri në rrugë.

Sistemi shëndetesor nuk permbush shpesh as kushtet bazë të cilësisë dhe sigurisë duke lënë mijëra bashkëqytetarë në mëshirë të fatit, asnjë njeri në rrugë.

Lista është e gjatë, përfundimi i njëjtë, veprimtaria e qeverisë, cilado qoftë ajo, nuk ndesh asnjë herë rezistencën e qytetarëve. Eshtë e vërtetë që partitë politike organizohen, por vetëm pjesemarrja e qytetarëve për veten e tyre, dhe jo per partinë, mund ti japë forcën e duhur një proteste që të ndikojë mbi fatin e vendit. Vetëm një shoqëri e cila është e aftë të luftojë për veten e vet, është një shoqëri vertet e lirë.

E treta, dhe ndoshta ajo nga e cila do kemi më shumë vështiresi per tu cliruar është frika nga shteti. Edhe pse fenomen i përbashkët i shumë shteteve që kane kaluar periudha te gjata totalitarizmi, kjo frikë merr një kuptim krejt te çuditshem ne Shqipëri.

Nga zona më e thellë e jugut e deri tek simotra e saj e veriut, krenaria dhe trimëria festohen si veti shekullore të popullit tonë. Këto veti kemi pasur raste pa fund ti tregojmë, qoftë për mirë nëpërmjet aktesh burrërie dhe trimërie, qoftë edhe për keq kur krime të rëndomta ndodhin për cështje egoje të pavënda sic mund të jetë një shikim i shtrembër.

Mirëpo, kur e keqja vjen nga Shteti, personi që i bën ballë metamorfozohet, tigri bëhet mace. Nëpërmjet akteve korruptive dhe në mënyre flagrante të padrejta, përfaqësuesit e shtetit mund ti marrin një qytetari çdo gjë, lirinë, pasurinë, shtëpine. Ky i fundit, jo vetëm që nuk është më i aftë të veprojë në mënyrë të përbashkët me bashkëqytetarët e vet, por nuk gjen më as forcën të reagojë individualisht për veten dhe familjen e vet.

Marrëdhënia me shtetin është dicka që ndërtohet në mënyrë të vazhdueshme dhe afatgjatë. Fakti që nuk e kemi kuptuar që komunizmi vazhdon në shoqërinë tonë na ka pamundësuar që të ndryshojmëmarrëdhënien që kemi me të. Ndërkohë që një zog lirohet nga guacka e vezës së tij kur lind duke e thyer atë, ne vazhdojmë të mbajmë guackën që kemi thyer gjatë kryengritjes së papërfunduar mbi kokë, duke e mbajtur atë më vete dhe duke duke e lejuar të na verbojë në çdo hap të jetës sonë.

Ne nuk duhet të kemi frikë shtetin sepse ky i fundit është në shërbimin tonë. Nëse vetë ky perceptim kuptohet dhe zbatohet, rrjedhja e marrëdhënies e cila sot eshte vetëm  në një kah do ndryshojë duke hapur kahun tjetër. Në këtë mënyre, frika do të levizë në mënyrë më të ekuilibruar midis shoqerisë dhe shtetit dhe zbatimi i ligjit do jetë vektori i vetëm i gjykimit.

Lista e shembujve është e gjatë dhe nuk mund të shtjellohet mjaftueshëm në këtë ese të shkurtër. Si shembuj te vazhdimësisë së komunizmit mund të përmendet krijimi i një blloku të ri, në kuptimin e plotë të termit ku mblidhen njerëzit që vendosin për Shqipërinë, larg syve dhe sëmundjeve të pjesës se gjerë të popullatës.

Mund të përmendet perdorimi i tejskajshëm i nacionalizmit dhe vlerave shqiptare në retorikën publike nderkohë që sapo koka kthehet nga ana tjetër vendi plackitet nepermjet PPP-ve, shfrytëzimit, korrupsionit, vjedhjeve të drejtpërdrejta.

Mund të përmendet fakti që pushteti shihet si një mënyrë për të jetuar më mirë dhe jo si një mënyrë për tu shërbyer njerëzve.

Mund të përmendet propaganda e cila, me ardhjen e rrjeteve sociale ka marrë një përmasë tjetër, tejet te frikshme apo dëshira e çdo politikani për të kontrolluar median. Fakt ky i kthyer në art të vertetë nga Rilindja, herë nëpërmjet lehtësimit korruptiv të kryerjes së veprimtarive tregtare e herë nepërmjet punësimit të drejtpërdrejtë të fëmijëve të personaliteteve te lartë të mediave.

Në ushtrimin e pushtetit, në marrëdhenien e shoqërisë me veten apo me shtetin, komunizmi ka mbijetuar dhe ndikon çdo dite në mungesën e zhvillimit te shëndetshëm të Shqipërise. Ky është shkaku i vërtetë i fatkeqësisë sonë. Për sa kohë do përqëndrohemi tek mjeti përçues, për sa kohë të mos shohim veten me ndershmëri përpara pasqyrës, të pranojmë rrjedhjën e historisë moderne të vendit tonë, do dënojme veten të gjejmë zgjidhje të papërshtashme ose të ushqejmë sistemin.

Megjithatë, brezi  i ri është një premtim që ripërtërihet ne mënyre të vazhdueshme, është një shpresë e cila gjendet aq herë sa kërkohet. I ndërgjegjshëm për vështiresinë e situatës, ky brez mund të gjejë zgjidhjen dhe të na dhurojë një të ardhme më të mirë dhe më te denjë si komb.

Pjesa I

Pjesa II

Pjesa III

Pjesa IV

Vijon...

Të fundit