Flash News

KRYESORE

Karantina me 5 pyetje/ Bardh Kadilli: Rama më kujton ‘gjujtsat’ që rrinin te dera e gjimnazit

Karantina me 5 pyetje/ Bardh Kadilli: Rama më kujton ‘gjujtsat’

Ish-deputet, aktualisht anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Bardh Kadilli, në një intervistë për Politiko.al, nuk i shmanget të shfaqurit si ‘njeri politik’. Karantinën e ka soditur në mënyrën e vet, ku i ka bërë përshtypje një ‘mpirje’ e përgjithshme. Si edhe kryeministri Rama dhe ‘dashuria’ e tij e madhe për popullin.

Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?

Spitalin. Gjithnjë më kujtonte spitalin. Edhe pse përdorej edhe në ushtri, për periudhën e 2-3 muajve të parë, kur ushtarit nuk i jepej liridalje, por as edhe pushkë. Prape, fjala karantinë më kujtonte spitalin. Atë mbetjen vetëm të të sëmurit pasi mbaronte orari i vizitave.

Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus? 

Dëmin më të madh e ka përqendrimi. Ndryshe nga disa që thonë se po shijojnë leximin, madje ata që dalin në emisione nga shtëpia shoh qe i kap lidhja direkte mes librash, unë kam një humbje durimi për të lexuar, ose për të bërë të njëjtën gjë me kohë të gjatë. Mbase është edhe presioni i të panjohurës dhe i të pamundurës.

E mira e vetme është që kam shmangur takimin me njerëz të pakëndshëm. Nga izolimi zgjedhim, si të thuash, kë të ‘takojmë rrugës’.

Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Guxoj të mendoj se bashkë me mbrojtjen nga virusi po jetojmë një eksperiment social me përmasa globale. Ka diçka histerike në presionin mediatik të lajmeve. Ka diçka të mbrapshtë në raport me të vërtetën dhe verifikimin e saj. E “vërteta” pranohet pa debat racional. Ka fjalor lufte nga qeveritë që, në kurthin e pëlqyeshmërisë ku kanë hyrë prej dekadash, dëshmojnë mungesë kurajoje. Ka një retorikë agresive majtiste kundër sistemeve të shërbimeve shëndetësore, kundër pasurisë, pro pagesës universale, pro globalizmit, planifikimit të popullsisë, mjedisit. Siç ka edhe kthim të vështrimit te diversifikimi i burimeve të lëndëve të para, të prodhuesve, të rrugëve të tregtisë. Siç ka dhe retorikë për më shumë shtet nacional.

Të gjitha këto do të shërbejnë si “të vërteta”, si premisa për ridizenjimin e sistemit botëror.

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?

Mpirja e njerëzve. Dorëzimi para të vërtetës së servirur. Mjafton të shtrohet pyetja pse disa vende kanë kufizime, dhe jo karantinë si ne? Janë raca superiore? Ky nënshtrim, njëlloj si “guximi” folklorik për të sfiduar kujdesin më bëjnë pessimist, për sjelljen e shoqërisë shqiptare kryesisht.

Optimizëm nuk gjej dot. Kam vënë re se në javët e fundit është ulur ndjeshëm dhe ai sens humori që shoqëroi karantinën në javët e para.

Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Nuk është problem kohe. Problemi është si t’i shpëtosh (duke mbetur i informuar) prezencës deri në bezdi nëpër ekrane të disa mjekëve dhe si të shpëtosh nga “dashnori” publik Rama. Nuk e di pse kjo shpallje e dashurisë të pamatë për shqiptarët e Ramës, më kujton ata ‘gjujtsat’ që rrinin te dera e gjimnazit.

Në lexime kam qenë konfuz dhe nuk kam çfare të rekomandoj. Film të mirë që kam parë kanë qenë ‘Parasite’ dhe ‘Jojo Rabbit’. I pari për metaforën e fuqishme. Sidomos vetëdorëzimi i disa personazheve dhe vegjetimi ngjashëm me një karantinë. Dhe i dyti, për forcën romantike të dlirësisë njerëzore që ia del të krijojë një realitet personal, një realitet me imunitet të jashtëzakonshëm dhe një të vërtetë tënden.

©Politiko

https://politiko.al/majlinda-bregu-kam-luksin-te-jem-prej-1-muaji-ne-tirane-por-nuk-takoj-dot-prinderit-dhe-miqte/

https://politiko.al/karantina-per-nje-deputete-rudina-hajdari-iu-tregoj-ditet-e-izolimit-nga-koha-qe-i-kushtoje-vajzes-te-mbledhjet-online-te-parlamentit/

Intervista te tjera te ciklit

Të fundit