Flash News

KRYESORE

Karantina me 5 pyetje/ Dritan Shano: Qeveritë e botës po mbyllin forcërisht njerëzit nëpër shtëpi për të fshehur pafuqinë

Karantina me 5 pyetje/ Dritan Shano: Qeveritë e botës po mbyllin

Dritan Shano nuk e pëlqen aspak izolimin dhe nuk beson se bota do të ndryshojë pas përvojës që po kalojmë. Ai e percepton karantinwn vetëm për të sëmurët. Intervistën për Politiko.al e nis me një histori nga venecianët e lashtë për një situatë të ngjashme dhe bën paralelizmin e goditur me qeveritë e botës sot.

Me një fjali, Shano e përmbledh qartë mesazhin:  

Sukseset imagjinare të qeverive në uljen e numrave, pas më shumë se një muaji ka të ngjarë të jenë për shkak se COVID-19 e ka kryer rrugën e vet.

Si ekspert i Ekonomisë, Shano arsyeton se izolimi po e dëmton në mënyrë diproporcionale ekonominë. Ai argumenton se qeveritë po presin një rënie te lehtë të numrave për të dalë nga ky qorrsokak ku e futën veten.

Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshe me Covid-19?

Ekzaktësisht të kundërtën e asaj që po ndodh sot në shumicën e botës. Unë besoj se karantina është të izolosh të sëmurët dhe jo të shëndoshët. Ndaj, venecianët i mbanin anijet e dyshuara për sëmundje larg, në det të hapur, pa lejuar askënd të zbriste prej tyre ndërsa në qytet vazhdonte tregtia, prodhimi, ekonomia, jeta. Në Venecia nuk qeverisnin infeksionistët në bazë të numrit të shtretërve që kishin në spitale. Prandaj, venecianët nuk mbylleshin në shtëpitë e tyre me lloz, duke ua lënë qytetin marinarëve të sëmurë, që këta ta përdornin si të donin, ndërsa banorët hidhnin ndonjë shikim nga dritaret me shpresën se marinarët e sëmurë do largoheshin me dëshirën e vet, pasi të ishin lodhur e mërzitur.

Shumë qeveri të botës kanë bërë të kundërtën e venecianëve, duke i mbyllur njerëzit me force nëpër shtëpi, më shumë se çdo gjë për të fshehur pafuqinë e tyre. Çdo korrelacion mes masave stil kinez dhe rënies së numrit të të infektuarëve dhe të vdekurve prej Covid-19 do mbetet thjesht një pretendim, i cili më kollaj mund të hidhet poshtë se sa të provohet. Sot, ka një paqartësi shkencëtarësh se çfarë duhet të bëjnë ata që kanë kaluar Covid-19, çfarë duhet të bëjnë të shëndoshët, etj. Ndoshta, është pikërisht kjo paqartësia shkencore, zëdhënës të së cilës po bëhen infeksionistët dhe OBSH, që nevojitet për të mbajtur mbyllur ekonominë dhe jetën. Them se sukseset imagjinare të qeverive në uljen e numrave, pas më shumë se një muaji ka të ngjarë të jenë për shkak se COVID-19 e ka kryer rrugën e vet.

Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?

Nga këndvështrimi i punës, jo ndonjë gjë të madhe. Unë punoj nga shtëpia. Aksesi në libra dhe në internet mbetet i paprekur nga izolimi. Por izolimi më ka eliminuar një llokëm të rëndësishme të qenies time, që lidhen me të drejtat, natyrën dhe dinjitetin e njeriut. Më ka kufizuar lëvizjen, aktivitetin fizik, komunikimin me njerëzit dhe me natyrën, udhëtimet. Për rrjedhojë më ka dëmtuar shëndetin fizik, gjë e cila nuk vonon të ketë efekte sociale, si për mua ashtu dhe për shumicën e njerëzve me zhvillim të rregullt mendor.

Nuk shoh asnjë plus tek izolimi. Përkundrazi. Së pari, mendoj se ky izolim po dëmton shëndetin tim duke zvogëluar fort, për ditë e më shumë aftësinë e trupit tim për t’u imunizuar ndaj Covid-19, aftësi e cila as nuk ekziston dhe as nuk varet nga mjekësia apo qeveria. Ky reduktim i imunitetit tim për shkak të vendimeve të qeverisë, mund të rezultojë vdekjeprurës për mua në një vale të dytë të Covid-19. Vala e dytë e gripit spanjoll vrau këdo që preku. Ky arsyetim është i vlefshëm për të shumicën absolute të popullsisë shqiptare. Mendoj se vija e kuqe mes shpëtimit të jetëve,dhe vënies në rrezik të tyre për shkak të përkeqësimit të sistemitit imunitar të secilit prej nesh të mbyllur në shtëpi është shkelur rëndë dhe në mënyrë të papërgjegjshme. Vazhdimi i kësaj strategjie edhe më tej, do e bënte këtë një sulm të qellimshëm ndaj shëndetit imunitar të secilit prej nesh. Për efektet negative mendore dhe sociale as nuk po flas. Shpresoj të flasin të tjerë.

Së dyti, ky izolim po dëmton në mënyrë diproporcionale ekonominë. Kjo lloj kure është shumë here më e dëmshme se vetë problemi. Kjo që po ndodh në botë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, dhe është krejt e pakuptueshme të ndodhi tani. Gripi i derrit në 2009 mori gati gjysëm milioni jetë njerëzish. Jo vetëm që nuk ulën avionët në tokë, por për të as nuk flet njeri. Gripi stinor merr po ashtu jetë njerëzish shumë më tepër sesa ka marrë Covid-19. Nuk ka justifikim për sjelljen e shumë qeverive qe kanë mbyllur ekonomitë, por mendoj se ato nuk po dine si të dalin nga kurthi i mbylljes ku ranë. Besoj se po presin një rënie te lehtë të numrave për të dale nga ky qorrsokak ku e futën veten. Eshtë e qartë që zgjedhja e tyre i ngjan atij që plagos veten duke mbushur armën. Kjo që po ndodh është një manipulim i ekonomive, shtypje e mendimit ndryshe dhe çuarje drejt vaksinimit me detyrim, karakteristika të një shteti gjithnjë e më të zmadhuar, që siç thoshte Hayek përdor emergjencat për të marrë liritë individuale dhe ato ekonomike. Suedia ka bërë zgjedhje shumë te matura dhe të balancuara dhe afatgjata. E shoh si Hayek-un e Europës.

Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Nuk besoj se do ndryshojë ndonjë gjë e madhe, aq sa ka ndryshuar natyra e njeriut ne mijëra shekuj. Pretendimi për një rend të ri botëror mëduket i sforcuar, por dhe i përgatitur më parë. Solidariteti global po ashtu. Shpresa ime për ruajtjen e sistemit demokratik dhe vlerave të tij është tek vendet me demokraci të zhvilluar dhe me traditë. Besoj se këto themele do arrijnë të qëndrojnë edhe kësaj here. Bota e re nuk do jetë Internacionale siç mund të jenë duke fërkuar duart marksist -leninistët e çdo forme apo gjinie. Pra nuk do kemi kontroll dhe kushtëzime individuale dhe shoqërore. Megjithatë nuk mund të mos observoj se çdo ditë që kalon, kur dëgjohet vetëm zëri i qeverive ndërsa njerëzit janë shtrënguar në një cep të vathës si dele, po bëhet një betejë për të vërtetën, lirine individuale dhe ekonomike, dhe shëndetin personal kundër pushtetit, fitimit nga pak njerëz dhe vënies nën kontroll të gjithshkaje. Individi Bill Gates për shembull, nuk përmbahet. Gojët e liga thonë se ai do të imponojë që: kush nuk ka bërë vaksinën të mos lejohet të dalë nga shtëpia.

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë pesimist apo optimist?

Ende herët për optimizëm apo pesimizëm. Por kam 2 pështirosje.

Jemi hipokritë nuk jemi patriotë. Patriot është ai që në mos jep jetën për tjetrin, kujdeset që mos ta vrasë tjetrin. Hedhja kudo në rrugë e shisheve të birrës, kanoçeve të pijeve energjike, kutiçkave të pijeve freskuese, gjithfarë mbeturinave ushqimore, bishtave të cigareve, shamiçkave të hundëve të përdorura, dorezave plastike të përdorura, etj. etj. Është antentat ndaj shqiptarit tjetër që kalon atypari, është akt terrorizmi dhe jo patriotizmi. Kjo sjellje mësohet fillimisht në familje dhe fis. Dhe pastaj bëhet kombëtare. Sot ajo rrezikon jetë. Më pështiros.

Nëse keni shpëtuar nga Covid-19, e keni bërë për shkak të sistemit tuaj imunitar dhe nëse jeni shtruar në spital dhe keni dale prej andej përshkak të kujdesit të mjekëve. Kryeministri nuk ka dorë në këto gjëra. Por kjo nuk e pengon atë të thotë se: “Po të mos isha unë do kishit vdekur pale palë”. Problemi nuk është tek ai që flet, por tek ata që e besojnë. Jo vetëm kaq por Kryeministri u vetëshpall Babë i Kombit. Prapë ky nuk është problem i tij, por i atyre që jo vetëm e pranojnë por i thonë se është dërguar i Zotit.

Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Zgjim, kafe, lexim i shtypit ndërkombëtar, ndonjë libër, Netflix, blerje ushqimesh të nevojshme, ndonje ushtrim fizik. E gjitha kjo është apatike. Nxjerr dhe qenin për të kryer nevojat. Më jep kënaqësi të merrem me të sepse e di që nuk ka fatkeqësinë të dëgjojë propagandën e qeverisë.

Sugjerim për libra:

“Në kërkim të kuptimit” nga Viktor Frankl. E sugjeroj për lexim, por nuk ju them ta pëlqeni. Do ju thosha të lexonit edhe “Rrugën drejt skllavërisë” të Hayek, por është e kotë.

©Politiko.al

KARANTINA ME 5 PYETJE/ MATTEO MANDALA: ‘NGUJIMI’ NUK MA KA NDRYSHUAR JETËN E PËRDITSHME, JA ‘KALENDARI I PUNËS’

KARANTINA ME 5 PYETJE/ KIM MEHMETI: KJO PANDEMI ËSHTË ‘LOJË FËMIJËSH’

KARANTINA ME 5 PYETJE/ VIRGJIL MUÇI: KUR SHKENCA JEP KËSHILLA PËR LARJE DUARSH,ËSHTË KOHA TË JEMI PESIMISTË

KARANTINA ME 5 PYETJE/ STEFAN ÇAPALIKU: COVID-19 NUK DO TA NDRYSHOJË BOTËN…AS FAKTIN SE JEMI POPULLI MË FATKEQ NË EUROPË

KARANTINA ME 5 PYETJE/ SELAMI XHEPA: NUK E KAM PËR HERË TË PARË; IU SUGJEROJ DY LIBRA

Të fundit