Flash News

Kosova

Aksidenti tragjik me 3 të vdekur e 5 të plagosur në Kosovë, mes të lënduarve, 4 janë policë

Aksidenti tragjik me 3 të vdekur e 5 të plagosur në Kosovë,

Një aksident trafiku me pasoja tragjike ka ndodhur në fshatin Çubrel të Skenderajt, duke marrë jetën e tre personave civilë dhe duke lënë të lënduar pesë të tjerë, katër prej të cilëve zyrtarë policorë.

Sipas njoftimit të autoriteteve të sigurisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:40, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë. Në aksident janë përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave ishte makinë zyrtare e Policisë së Kosovës.

“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara, kanë humbur jetën tre persona civilë, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë,” thuhet në deklaratën e policisë, të cituar nga mediet lokale.

Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të kryer hetimet fillestare. Hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor po punojnë intensivisht për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar edhe Institucioni i Policisë së Kosovës (IPK) dhe Prokurori kompetent, të cilët do të ndihmojnë në vijimin e hetimeve. Deri më tani, detaje të tjera nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Të fundit