Flash News

Kosova

BBC pas dështimit të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi për targat: Frikë për shpërthimin e luftës

BBC pas dështimit të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi

BE dhe Serbia kanë paralajmëruar se dhuna mund të shpërthejë në Kosovë pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për të zgjidhur një mosmarrëveshje mbi targat e makinave, dështuan.

Kështu shkruan BBC, ndërsa shton se autoritetet kosovare duan që minoriteti etnik serb të dorëzojë targat e tyre të lëshuara nga Serbia. Policia e Kosovës planifikon të vendosë gjoba prej 150 €, nëse serbët nuk i ndryshojnë target.

Kosova thotë se 50,000 serbët në veri të Kosovës, të cilët pranojnë vetëm institucionet lokale serbe, tani duhet të përdorin targat e Kosovës të lëshuara në Prishtinë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se bisedimet shumëorëshe nuk kishin arritur të zgjidhin mosmarrëveshjen e gjatë.

“Mendoj se ka një përgjegjësi të rëndësishme në anët e të dy liderëve për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë”, tha ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se situata "është fjalë për fjalë në prag të konfliktit". Ai gjithashtu ka kërkuar nga policia speciale e Kosovës që të mos tentojë të zbatojë gjobat.

Oficerët e policisë serbë etnikë dhanë dorëheqjen masivisht në fillim të këtij muaji në shenjë proteste ndaj vendimit të targave të Prishtinës.

Kryeministri Albin Kurti fajësoi BE-në për dështimin e bisedimeve. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price tha se të dyja palët "do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë".

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi në Twitter: "Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget".

Të fundit