Flash News

Kosova

BE: Masat ndaj Kosovës mund të rëndohen më shumë

BE: Masat ndaj Kosovës mund të rëndohen më shumë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për mediat u shpreh se masat shtrënguese kundër Kosovës mund të hiqen, por mund edhe të bëhen më të rënda

“Masat e përdorura në rastin e Kosovës janë masa të përkohshme, masa që janë aprovuar nga shtetet anëtare, pasi të gjithë u pajtuan.

Të gjithë u pajtuan që tani ne duhet të përdorim edhe shkopinj e jo veç karota. Ato do të qëndrojnë për aq gjatë sa shtete anëtare e shohin të nevojshme, gjithashtu mund t’i zbusim, por edhe mund t’i rëndojmë”, deklaroi Stano.

Ai, pohoi po ashtu se Bashkimi Evropian nuk është palë në dialogun Kosovë-Serbi, kështu duke thënë se nëse palët refuzojnë që të gjejnë kompromis, asnjëherë nuk do të kenë sukses.

“Më lejoni të kujtoj një gjë që BE-ja nuk është palë e dialogut. Palët e dialogut janë Kosova dhe Serbia, BE-ja është lehtësuese në bazë të çështjeve të shprehura nga të dyja palët, kështu që ne jemi duke bërë rolin e lehtësuesit dhe po ndihmojmë të dy palët që të arrijnë marrëveshjet mes tyre”.

“Por, ne kurrë nuk do të jemi të suksesshëm për sa kohë që palët refuzojnë të ecin në rrugën e kompromisit dhe nëse ne po përpiqemi t’i ndihmojmë ata dhe dikush nuk dëshiron ndihmë, çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Stano para gazetarëve.

Ai ka bërë të ditur se pas informimit tek vendet anëtare të BE-së nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Miroslav Lajçak, do të vendoset se çfarë do të ndodh me dialogun.

“Lajçak, pas këtij raundi të dialogut do të shkoj në vendet anëtare dhe do t’i informojë përsëri vendet anëtare në nivele të ndryshme për atë që ndodhi dhe analizën tonë se çfarë ndodhi dhe përse. Më pas vendet anëtare të BE-së do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Stano. 

 

Të fundit