Flash News

Kosova

Kosova me qeveri antikushtetuese dhe pa president, si u ndërruan dy kryeministra në kohë pandemie

Kosova me qeveri antikushtetuese dhe pa president, si u ndërruan dy
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Albin Kurti hyri në historinë e Kosovës si kryeministri më jetëshkurtër me vetëm 51 ditë në pushtet. Shumë shpejt pas tij, e prin pasardhësi, Avdullah Hoti i cili e zëvendësoi fill pas rrëzimit të kreut të Vetëvendosjes nga qeveria me një mocioni mosbesimi nga Kuvendi i Kosovës me 82 vota pro dhe 32 kundër, i inicuar nga LDK dhe partitë opozitare.

Kjo ngjarje u shënua në fund të marsit të këtij viti, pak ditë pasi rajoni kishte nisur masat shtrënguese për shkak të pandemisë Covid-19.  

Në fund të po këtij viti, Kosova tashmë përballet me një tjetër krizë institucionale.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli në 21 dhjetor të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi vota e deputetit Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Vlen për t’u theksuar se Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë "nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës".

Nga ana tjetër, Kosova nuk ka as president të zgjedhur që nga 5 nëntori, kur Hashim Thaçi dha dorëheqje, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.

Prej më shumë se një muaj, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Këtë post, ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta, e ushtron Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Ajo në këtë post, po sipas Kushtetutës, mund ta ushtrojë deri në gjashtë muaj. 

Nderkohe, sipas vendimit të Gjykates Kushtetuese, zgjedhjet ka gjasë të mbahen në fund të Janarit, apo në fillim të Shkurtit.

Në kushte të tilla, Kosova po lë pas një vit të trazuar, duke ndërruar për shkak të krizave dy qeveri në kohë pandemie.

Të fundit