Flash News

Kosova

Vijon takimi prej më shumë se 9 orësh, Asociacioni mban ‘peng’ marrëveshjen Kosovë-Serbi

Vijon takimi prej më shumë se 9 orësh, Asociacioni mban

Prej më shumë se 9 orësh vijon në Ohër, takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. 

Takim në të cilin ishin të pranishëm edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Miroslav Lajçak.

Ajo që mban ‘peng’ këtë takim për të përfunduar është debati për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Vuçiç kërkon formimin e Asociacionit në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, ndërsa Kurti e ka kundërshtuar këtë gjë.

Pasi zhvilluan takimet ndarazi, dy liderët dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë bërë takimin e përbashkët, ku në fokus kanë qenë zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell do të japë një deklaratë për media, por ende nuk ka informacion se kur do të mbahet konferenca.

Propozimi franko-gjerman nuk parashikon njohjen reciproke mes Prishtinës e Beogradit, por se detyron palët të pranojnë dokumentet dhe simbolet shtetërore të njëra-tjetrës.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar më parë gjatë ditës se është optimist në lidhje me atë që mund të arrihet nga takimi i sotëm, por ka shtuar se jo gjithçka varet prej tij.

Ndërkohë presidenti serb Vuçiç, ka qenë i qartë në deklaratat e tij ditën e djeshme se nuk do të nënshkruajë asnjë dokument në Ohër dhe se nuk ka marrë paraprakisht asnjë draft nga BE.

 

Të fundit