Flash News

KRYESORE

A është “Diella” e Ramës një kopje e vonuar e Dubait?

A është “Diella” e Ramës një kopje e vonuar e

Nga Asambleja Kombëtare e PS, teksa shpallte emrat e kabinetit të ri qeveritar për mandatin e katërt, Rama emëroi ministre Diellën, asistenten virtuale të e – Albania.

Diella u vendos në postin e ministres së Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike. Rama ia doli të marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi Diella u cilësua ministrja e parë virtuale në botë që bëhet pjesë e një kabineti qeveritar.

“Diella, anëtare e parë jofizikisht e pranishme në qeveri, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Në mandatin e katërt, Diella, shërbyesja e prokurimeve publike. Tenderët publikë do të jenë të pakorruptueshëm, çdo fond publik do të jetë 100% i lexueshëm. Është një nga detyra e Diellës (e-Albania).”

Në dukje, Diella u tha se do t’i shërbente vetëm tenderave, me argumentin se një AI do t’i jepte fund korrupsionit paçkase qeveria nuk ka dhënë asnjë detaj mbi mënyrën se si do të organizohet, do të funksionojë apo do të seleksionojë Diella tenderat.

Mirëpo, projekti i Ramës nuk duket të jetë aq unikal.

Në qershor të këtij viti, Sheikh Mohammed bin Rashid, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), deklaroi se do të sjellin një sistem të inteligjencës artificiale në kabinetin e tyre.

Sipas Emirit të Dubait, figura e një ministri virtual në EBA do të jetë gati vitin e ardhshëm. Sistemi Kombëtar i Inteligjencës Artificiale do të shërbejë si anëtar këshillues i kabinetit të Emirateve të Bashkuara Arabe .

Ky sistem pritet të ndihmojë në mbikëqyrjen e të gjitha kompanive shtetërore të vendit të pasur me naftë. Sipas deklaratës të bërë asokohe nga Mohammed bin Rashid, sistemi përfshin krijimin e një Ministrie të Tregtisë së Jashtme dhe ndryshimin e emrit nga Ministria e Ekonomisë në Ministri e Ekonomisë dhe Turizmit.

"Ne gjithashtu njoftojmë se Sistemi Kombëtar i Inteligjencës Artificiale do të miratohet si anëtar këshillues i Kabinetit, Këshillit Ministror të Zhvillimit dhe të gjitha bordeve të drejtorëve të entiteteve federale dhe kompanive qeveritare, duke filluar nga janari i vitit 2026. Qëllimi është të mbështetet vendimmarrja në këto këshilla , të kryhen analiza të menjëhershme të vendimeve të tyre, të ofrohen këshilla teknike dhe të rritet efikasiteti i politikave qeveritare të miratuara nga këto këshilla në të gjithë sektorët."

Megjithëse Edi Rama u përpoq ta shiste Diellën si një risi absolute që e renditi Shqipërinë në faqet kryesore të mediave botërore, shembulli i Emirateve tregon se ideja e ministrave virtualë nuk është aq unike sa duket.

Diferenca e madhe qëndron te transparenca dhe funksionaliteti: ndërsa Dubai ka shpalosur një plan të qartë, me afate dhe kompetenca të përcaktuara, Shqipëria ende nuk ka dhënë asnjë detaj mbi mënyrën se si Diella do të marrë vendime në tenderat publikë. Kjo e lë projektin mes entuziazmit politik dhe skepticizmit publik.

Të fundit