Flash News

KRYESORE

Ah, moj Shqypni...

Ah, moj Shqypni...

Nga Koloreto Cukali

Me sa kuptova, do të ketë një festë të madhe, e drejta legjitime e fituesit për të festuar. Vetëm se jam kurioz, çfarë ka për të festuar? Më saktë, kush po feston?

Festa si moment sublim

Së pari, e kuptoj që feston z. Rama. Nuk ka gjë më eksituese sesa pushteti. Edhe korruptuese, sigurisht. Sa më absolut pushteti, aq më absolut korruptimi nga ai. Por kjo nuk mund t’ia errësojë gëzimin. Aq më tepër, kur, siç e ka thënë vetë, ai do të hyjë në histori, të bëhet i pavdekshëm. Sepse, për herë të parë në histori, një qeveri në mandatin e 3-të merr me më shumë deputetë se në të parin.

E kuptoj që do festojnë ata që kanë rivotuar Ramën dhe atë çfarë përfaqëson për një përfitim konkret: për të ruajtur një vend pune në Administratë a Bashki, për një legalizim (jashtë radhe ose ndoshta dhe jashtë ligji), për të marrë një projekt, apo çfarëdo zgjidhje halli.

Do festojnë edhe ata dhjetëra mijëra votues që morën ca euro në këmbim të votës, sepse dolën më të pasur nga zgjedhjet. Vërtet, ata bllokuan rotacionin e vendit, por ç'rëndësi ka.

Do festojnë dhe numëruesit e votave, ata që masakruan votat e partive të vogla e kandidatëve të pavarur duke i bërë të pavlefshme. Do festojnë patro-nazistët, sepse e ardhmja u përket atyre. Sistemi ka nevojë për mbikëqyrës, pa moral por efientë, mundësisht dhe trendi, që për Partinë janë gati ta shqyejnë Shqipërinë. Ah moj Shqypni...

Kanë të drejtë të gëzohen dhe të gjithë lacat, të fortët, kriminelët, ata që u gjendën në krahun e duhur të fitores. Edhe biznesmenët afër partisë, ata që ndajnë mes tyre jo vetëm paratë por dhe Shqipërinë, privaten e publiken. Ah moj Shqypni... që s’ke qëlluar racë të fortësh.

Kanë të drejtën të festojnë tërë oborrtarët, politikanë, gazetarë apo artistë. Të qenit oborrtar është sport i vështirë, duhet të dalësh nga vetja, të hash atë “gjënë” që thoshte ajo zëdhënësja, të shkelësh mbi çdo parim, të firmosësh letrat që të vënë para apo të mbjellësh pemë sa për foto, dhe të kuptosh që e mira dhe e keqja nuk është as ajo që të thonë në kishë e xhami, as ajo që të thoshte gjyshja, por ajo që thotë Partia. Në momentin që ti arrin ta bësh urën për të të shkelur me çizme të shtrenjta, jeta nis e ecën mbarë, punët e tua i rregullon, shërbimi i mirë shpërblehet, ndaj gëzimi është mëse legjitim.
Ah moj Shqypni... që të shkelin me çizme të lira*.

Gëzon çuditërisht, edhe PD-ja. Janë rritur shifrat me 2017-n. A thua se ishte në garë me veten për të marrë pushtetin. A thua se Shqipëria do të jetë një vend më i mirë, meqë ata morën më shumë kryqe në vota.

Ka shumë arsye dhe shumë njerëz që të gëzojnë sonte. Festa për ta është legjitime, dhe nuk do doja t’ua prishja duke u kujtuar Shqipërinë. Ah moj Shqypni... që jeton vetëm për sot, që mbahesh veç me bukë e cirk, sikur të mos ketë të nesërme.
Por, shumë prej atyre që festojnë, për fat të keq do të zgjohen me dhimbjen therëse të kokës.

Hangover-i i ditës pas

Ajo që ndodh pas festës, është që pasi pasionet janë shuar, pasi alkooli të ka dalë, ti kthehesh tek jeta jote e përditshme. Pret që të të marrin fëmijët a nipat në Skype, sepse ata nuk kthehen më në Shqipëri, Shqipëria nuk u ofron asgjë atyre. Rri përballë portës së ligjit, dhe sheh që aty hyjnë të gjithë pa radhë, por radha jote nuk vjen kurrë. Asnjë punë nuk është e sigurt, dhe nuk ka asgjë që të mbron. Paguan gjithnjë e më shumë, por merr gjithnjë e më pak. Do ulësh sytë kur të hasësh burra të dhunshëm në makina të shtrenjta. Ti shpreson që mos të të bjerë ndonjë hall, sepse e di që po të ra, do jesh vetëm.

Dhe nuk të kujtohet as pse ke votuar e as si ke votuar. Pavarësisht instagramit dhe propagandës, ti e ndjen që ka diçka që nuk shkon në këtë vend, por nuk arrin ta kuptosh se dhe ti ke vënë një tullë në këtë sistem.  

Hangover-i i vitit më pas

Z. Rama ka ngritur një sistem. Me oligarkë e patro-nazistë, me oborrtarë, media të oborrit dhe fabrika fansash të rremë, me shtypje të mediave e të kritikëve ndaj tij. Dhe sigurisht, me rezultate të rreme, të arritura me zgjedhje të lira.

Po po, të lira.

Edhe Putini, Erdogani e Orbani, rikonfirmohen në pushtet me votë. Përjetësisht.

Edhe për z. Rama sistemi funksionoi, hambarët u mbushën me vota, ashtu si nuk i mbushi dot as Toni Bleri, por prapë, ka një ankth të lehtë që as dehja e fitores nuk e mbyt. Por, dhe vetë z. Rama, gëzon kot sot.

Ky sistem nuk është vepër e tij. Aty vunë nga një kat të gjithë, Berisha, Nano, Meta e prapë Berisha. Rama thjesht pati fatin të koincidojë në fazën e fundit të ndërtimit e të kompletojë Shqipërinë autoritare e të korruptuar.

Sa për pavdekësinë, ajo nuk arrihet thjesht sepse gjete sesi ta mbash pushtetin për 45 vjet. Kemi precedent për këtë. Pjesë tjetër e sistemit është opozita.

Rama nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa një opozitë, që të bëjë si opozitë e të ngelet përjetësisht në opozitë.

Festa e “pd”-ve

Gëzimi i shumëve brenda PD-së për rritjen e numrave të partisë, teksa z. Rama ri-konfirmon pushtetin e vet absolut është absurd.

Ato vota të shtuara nuk janë vota të PD-së. Ato janë vota anti-Ramë që nesër mund t’i shkojnë kujtdo tjetër, ose mund të rrinë dhe në shtëpi. Nuk është më sekret për asnjë që PD nuk arriti të frymëzojë. PD, nuk arriti ti bindë ata që shesin votën që është më mirë të mos e shesin. Perceptimi, është që “të gjithë këta janë njësoj” dhe ky perceptim luftohet me vepra, jo me fjalë. Ndryshimi, nuk ngjau kurrë i vërtetë.

Pa folur që modeli klientelist i LSI-së u replikua, e polli një tjetër “kingmaker”, PSD-në e z. Doshi.

Por, mungesa e frymëzimit të PD-së, nuk mund të justifikojë këdo që shet votën. Sistemi që z. Rama ka ngritur, shumë shpejt, do ti shuajë të tëra mundësitë për ta ricikluar atë si person dhe të keqen politike që ai ka prodhuar. Dy janë grupet masive që sot festojnë: ata që e shitën votën, dhe elementi “d”.

Festa e “d”-ve

"D"-të janë pjesa më masive që nuk ka motiv për të festuar. Ata që vuajnë njësoj si ne korrupsionin e sistemit, që kanë halle si ne, por që votojnë për ta mbajtur në këmbë atë. Ata që nuk ke nevojë as t’ua blesh votën.

Ata që nuk ke nevojë t’u premtosh asgjë. Ata që nuk duan program. Ata që nuk duan të dinë si do qeverisen e me kë do qeverisen. Ata që mjafton t’u tregosh me gisht: ja kë duhet të urrejmë, ja kush i ka fajet për çdo gjë.

Ata që votuan nga urrejtja për Ilir Metën, por nuk e kanë problem të bashkë-qeverisin me Tom Doshin.

Ata që nuk fitojnë praktikisht asgjë, por thjesht ndjehen të lumtur, sepse ndjehen pjesë e një gjëje të madhe, që quhet “tufë”, kolektivizim. Këta nuk janë pak. Thonë që janë diku tek 650 mijë vota, përjetësisht të sigurta.

Normal, jo vetëm “d” por dhe të verbra. Për këta ka folur edhe Trump-i, kur tha "unë mund të vras dhe njerëz në Avenjunë 5, dhe prapë nuk do humbas asnjë votë”. Sepse “d”-të i gjen në të tërë botën.

Ata do t’i shkojnë pas bariut dhe në greminë, duke e tërhequr pas pa problem njat zojë të randë. Në gjuhën politike i thërrasim “militantë”, por dikush i quan nga ajo fjala që fillon me “d”.

Ah moj Shqypni...

Në të gjithë botën, në shumicën e rasteve, për shkak të klasave politike njerëzit shkojnë për të votuar të keqen më të vogël. Nuk është gjë e mirë, por është minimumi për të mbajtur balancat e pushteteve.

Por, Shqipëria e 25 prillit, ku me dele e ku me pare, votoi, për herë të parë, të keqen më të madhe, duke i dhënë mundësi z. Rama për të përsosur një sistem autoritar, të gjithëpushtetshëm e korruptiv. Pas dhjetëra vjetësh, ose dhe më pak, z. Rama do të jetë harruar, por Shqipëria do të mbetet.

Do të mbetet, e sakatuar dhe e pazonja për të bërë shtet funksional për të gjithë. Edhe për ata që gëzojnë sot në mënyrë absurde. Nuk e di nëse Shqipëria, kjo Shqypni, ka pasë kenë ndonjë herë një zonjë e randë. Por sot ajo ka rënë, jo me kryet në hi, por në një vend dhe më të keq. E ndoshta pa kthim. Ata që ia kanë bërë këtë mund t’jua tregoj një për një me gisht. Janë ata që festojnë, shumica, pa e kuptuar pse.

TROJA - A.N.J.K.Q.J. 

Të fundit