Flash News

KRYESORE

Diella ‘shtatzënë’ me 83 shpikje, por pa manual përdorimi

Diella ‘shtatzënë’ me 83 shpikje, por pa manual

Qeveria prezanton 83 ‘asistentë virtualë’ për deputetët socialistë, por pa sqaruar se si do të funksionojnë, kush i kontrollon dhe çfarë garancish kanë qytetarët.

“Diella” u prezantua si ministrja e parë virtuale në botë, pjesë e kabinetit qeveritar “Rama 4”. Detyra e saj, sipas kryeministrit, është të zhdukë korrupsionin në tendera dhe prokurime publike — një strategji për të cilën vetë Rama nuk ka dhënë ende detaje konkrete.

“Diella, anëtarja e parë jofizikisht e pranishme në qeveri, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Në mandatin e katërt, Diella është shërbyesja e prokurimeve publike. Tenderët publikë do të jenë të pakorruptueshëm, çdo fond publik do të jetë 100% i lexueshëm. Kjo është një nga detyrat e Diellës”, deklaroi Rama gjatë prezantimit të saj.

Por Inteligjenca Artificiale duket se po kthehet për Ramën në “zgjidhjen universale” për çdo problem. Në programin qeverisës 2025–2029 bie në sy pesha që i është dhënë këtij eksperimenti digjital. Diellës i janë besuar sektorë të tërë — nga administrata publike e tenderat (që janë edhe arsyeja kryesore e krijimit të saj), te qytetarët, shëndetësia, bujqësia, bizneset e deri te pushteti vendor.

Megjithëse në letër paraqitet si një “multi-ministre” virtuale, në praktikë Diella ka ngjallur shumë dyshime për mënyrën se si do të funksionojë. Qeveria nuk ka bërë publike asnjë manual funksionimi, platformë ligjore, apo plan teknik që shpjegon si do të përdoret Diella në tendera, në administratë apo në Parlament.

Në këtë sfond të paqartësie, Rama prezantoi edhe “shpikjen” e radhës: Diella është “shtatzënë” dhe pret 83 ‘fëmijë’.

“Për herë të parë, Diella është shtatzënë dhe pret 83 fëmijë — secili do të jetë për çdo anëtar të parlamentit tonë. Ata do të shërbejnë si asistentë për deputetët që marrin pjesë në seancat parlamentare, do të mbajnë shënim çdo gjë që ndodh dhe do t’u sugjerojnë atyre si të reagojnë. Për shembull, nëse shkon për kafe dhe harron të kthehesh në sallë, ky fëmijë do të të tregojë çfarë është thënë dhe kë duhet të kundërsulmosh. Nëse do të më ftosh herën tjetër, do të keni 83 ekrane të tjera për fëmijët e Diellës”, deklaroi Rama.

Në këtë mënyrë, socialistët nuk do ta kenë më domosdoshmëri të jenë fizikisht të pranishëm në Parlament — shefi i tyre ka menduar edhe për këtë. “Fëmijët” e Diellës pritet të zëvendësojnë të zgjedhurit e popullit, duke i ndihmuar apo ndoshta edhe zëvendësuar në procesin e vendimmarrjes.

Kështu, ngrihen sërish pikëpyetje të shumta mbi funksionimin e 83 asistentëve të Ramës.

Kush do të programojë “fëmijët” e saj? A do të jenë sisteme të pavarura, të zhvilluara nga institucione shtetërore, apo softuerë që mund të manipulohen nga vetë qeveria?

Edhe më e paqartë është përgjegjësia ligjore: kush do të mbajë përgjegjësi nëse një algoritëm gabon, manipulon të dhëna apo ndikon në vendimmarrje politike?

Çfarë roli konkret do të kenë “fëmijët” e Diellës për secilin deputet? A do të jenë thjesht mjete informuese, apo do të kenë ndikim real në proceset parlamentare? A do të mund të gjenerojnë raporte, propozime ligjesh, apo do të mbeten në nivel “asistentësh digjitalë”? Kush do të jetë institucioni përgjegjës për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe kontrollin e këtyre 83 “fëmijëve”?

Dhe, ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha: A po sjell “Diella” dhe 83 “fëmijët” e saj një revolucion në mënyrën si qeveriset vendi — apo thjesht një tjetër fasadë digjitale për të legjitimuar kontrollin politik në një formë të re?

Deri më tani, Diella dhe 83 “fëmijët” e saj duken më shumë si një projekt eksperimental politik sesa një reformë reale në shërbim të qytetarit.

Të fundit