Flash News

KRYESORE

Lamallari, ministri që shpëton nga reforma, kur vritet drejtësia

Lamallari, ministri që shpëton nga reforma, kur vritet drejtësia

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate mes opozitës dhe minsitrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Apelit të hënën.

Ishte deklarata e Bardhit që zgjoi nga gjumi Lamallarin. Kreu i grupit të PD kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, duke vënë në dukje kërkesat e hershme të KLGJ për shtim të forcave të sigurisë në gjykata, të cilat ranë në vesh të shurdhër.

“Sot seancën duhet ta kishim nisur me dorëheqjen e ministres. Gjyqtari të vritet në sallë duke dhënë vendimin, dhe ministra e Brendshme të gënjejë opinionin publik se nuk ka detyrime. Këshilli i Lartë Gjyqësor ju nxori zbuluar ku publikoi korrespondencën ku kërkonte për shkak të kërcënimeve të gjyqtarëve, kërkonte mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe policia refuzonte”, deklaroi Bardhi.

Mirëpo, kur fjalën duhet ta merrte Koçiu për të replikuar ndoshta me Bardhin, apo për t’u shfajësuar gjë që mazhoranca di ta bëjë më së miri kur vendoset përballë përgjegjësisë, replikën e bëri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë, që edhe vetë u habit nga posti që i dha Rama, foli me patos dhe krenari për reformën në drejtësi, duke akuzuar opozitën se me gjuhën e urrejtjes kishte nxitur ngjarjen.

“Të bësh politikë me vrasjen e një gjyqtari dhe me një rast tragjik. Mos më ndërprisni, sapo kam filluar, është e rëndë, akoma nuk janë bërë të 7-tat. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, nga daljet në ballkon që keni sharë e telendisur, SPAK e SKRAI, për gjuhën që keni përdorur ndaj gjyqtarëve e prokurorëve nga Altin Dumani e Altin Troplini, tek Dum Zumani, këto janë të gjithë akuzat. Keni ngjallur gjuhë urrejtje ndaj gjyqësorit dhe sigurisht që do të  ndodhin ngjarje të tilla. Keni ndërsyer militantët tuaj patjetër. Këtu keni qenë gjithë kohës, nga prokurorja e përgjithshme, te ambasadori i SHBA dhe BE vetëm se mbështetën reformën në drejtësi. Mos linçoni prokurorët, gjyqtarët”, tha Lamallari.

Është e kuptueshme se socialistët janë mësuar t’i fërkojnë shpatullat njëri-tjetrin dhe të marrin përsipër të bëhen heronj për të mos i lënë të vetët në baltë, por në rastin e Lamallarit, të kërkosh fajin tek opozita kur organet e drejtësisë ngritën alarmin për pasigurinë e gjyqtarëve, është hipokrizi.

Ministri i Drejtësisë e quajti 'politikë' reagimin e opozitës ndaj një akti të rëndë dhe u mbajt pas fijes së Reformës Zgjedhore, si një trofe që socialistët e përdorin për të mbrojtur veten.

Ministri i Drejtësisë duhet të dijë se shefi i tij ka qenë i pari i cili ka nxitur urrejtje, ka fyer, ka sulmuar dhe ka denigruar figurat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat.

Të fundit