Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Alfred Lela
Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku nuk kanë vonuar të shpallin një linjë të re narrative, të cilën më pas e ka theksuar edhe shefi i tyre, Basha. “Kemi rikuperuar’, ka qenë lejtmotivi i përbashkët i eksponentëve demokratë, duke cituar Njësinë 10 dhe Kombinatin, me përkatësisht 1200 dhe 5200 vota. Këto shifra dhe kjo narrativë thonë diçka, por nuk e hapin të gjithë pamjen.
Kjo rritje është e saktë, por ajo mund të vijë për të paktën dy arsye. Së pari për shkak të rritjes së numrit të votuesve dhe, së dyti për shkak të rënies së LSI. Çka do të thotë se partia e Kryemadhit po shkon në shtratin e ftohtë të zanafillës, dhe votuesit e PD, të larguar në 2017, po kthehen në shtëpi.
Në një kuptim taktik Bashës dhe të tijve u duhet të bëjnë pikërisht këtë gjë: të gjejnë ishuj optimizmi dhe të ngjyrosin me shpresë hartën e tronditur të psiko-emocionalitetit të mbështetësve demokratë. Duke mos harruar këtu për asnjë çast numëruesit, që janë të parët që reflektojnë këllqet e dridhura të një rezultati që nuk po shkon në favor të partisë së tyre.
Pjesa e dytë e narrativës është se, deri më tani, PS ka numëruar bastionet e veta, dhe bluja do të fillojë të shfaqet më vonë. Edhe kjo bëhet për të shtrënguar radhët dhe mund të tregojë një pjesë të së vërtetës, por jo të gjithën. Duke iu referuar të dhënave proceduriale, është KQZ që përcakton se cilat zona numërohen të parat, jo partitë politike.
Duke i kuptuar taktikat e ditës së numërimit si përpjekje për të mbajtur ‘ushtarët në rresht’ dhe për të mos lejuar kapitullimin, është e rëndësishme që kjo narrativë e Bashës dhe të tijve të mos kthehet në strategji. Lidershipi demokrat nuk mund të përvetësojë narrativën e rikuperimit apo të përmirësimit krahasuar me të shkuarën. Kjo për faktin e thjeshtë se partitë nuk mund të krahasohen me veten, por me kundërshtarin. Se partitë hyjnë në garë për të fituar mbi rivalin dhe për të përmirësuar shoqërinë sipas filozofisë apo ideologjisë së tyre, jo për të shërbyer si tabelë krahasuese me veten e së shkuarës.
Nëse Basha dhe zëdhënësit e tij përvetësojnë këtë gjuhë politike për t’iu përgjigjur horizontit të mundshëm të një dështimi, kjo na rrëfen se PD ndodhet para një rreziku më të madh se humbja e zgjedhjeve. Forca e parë e lirisë në Shqipëri po humbet lirinë e të parit të vetes në pasqyrë dhe të vërtetës në sy, por edhe qëllimin dhe misionin, dhe po jeton një delirium tremens që flet keq jo vetëm për atë, por edhe shoqërinë.
Lul, mirë, ke rikuperuar. Por, a mjafton?