Flash News

KRYESORE

Ngërçi me shtetësinë, Presidenca për Politiko: Kishte mungesë dokumentacionesh, sugjeruam ndryshime në ligj

Ngërçi me shtetësinë, Presidenca për Politiko: Kishte

Mbi 300 dosje qytetarësh, të cilët duan të lënë ose të marrinb shtetësinë shqiptare, janë në pritje në zyrën e Presidencës, prej afro 4 muajsh.

Pjesa më e madhe e dosjeve qëndrojnë në sirtarët e Presidencës prej kohës kur në krye ishte Ilir Meta. Me marrjen e drejtimit të Presidencës nga Bajram Begaj, prej 4 muajsh procesi është bllokuar dhe qytetarët janë lënë në pritje.

Redaksia e Politiko kontaktoi me Sekretarinë e Presidencës për të marrë një përgjigje mbi shkakun që po e shkakton ngërçin me lënien apo marrjen e shtetësisë shqiptare.

Zyra e Presidencës deklaroi për Politiko, se pas verifikimit të dosjeve të aplikantëve për lënien apo marrjen e shtetësisë shqiptare, ka vërejtur mugesë dokumentacionesh dhe i është drejtuar organeve përkatëse për verifikim.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, pas verifikimit të dosjeve mbi aplikimet për heqje dorë nga shtetësia shqiptare, në mbështetje të ligjit nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, ka konstatuar mungesë dokumentacioni në dosje dhe i është drejtuar zyrtarisht organeve përkatëse për një verifikim shterues të kërkesave ligjore. Pas marrjes së përgjigjeve nga institucionet, e fundit nga të cilat është administruar në datë 17.11.2022, Institucioni i Presidentit ka vijuar me nxjerrjen e dekreteve përkatëse”, pohon Presidenca.

Në kuadër të verifikimeve, Presidenca thotë se ka kërkuar nga Ministria e Brendshme ndryshimin e një udhëzimi që lidhet me dokumentacionet e nevojshme për të lënë, fituar apo rifituar shtetësinë, në zbatim të ligjit “Për Shtetësinë”.

“Gjithashtu Institucioni i Presidentit të Republikës, si nevojë për përmirësimin e procesit të fitimit të shtetësisë shqiptare, në zbatim të ligjit nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, i ka sugjeruar Ministrisë së Brendshme, ndryshimin e udhëzimit nr. 65, datë 4.2.2021, “Për përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm për fitimin, heqjen dorë dhe rifitimin e shtetësisë shqiptare, formën dhe mënyrën e plotësimit të kërkesës, të procedurës për kryerjen e verifikimeve pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe të procedurës dhe të dokumentacionit për shtyrjen e afatit për kryerjen e betimit ”. Ndërkohë Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vijuar normalisht verifikimin e dosjeve dhe dhënien e shtetësisë shqiptare me origjinë”, deklaron Presidenca.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit