Flash News

KRYESORE

Njerëzit e Ramës në qarqe/ 11 profile të paautorizuara, nga 'Sekretari i parë' Ruçi te 'pllakativi' Balla

Njerëzit e Ramës në qarqe/ 11 profile të paautorizuara, nga

 

Durrës: Edi Rama- Arben Ahmetaj- Ardian Çela

Në mur është fotografia e Ramës, i cili është drejtuesi de jure i fushatës në Durrës, ndërkohë që Ardian Çela është koordinatori i fushatës, dhe ministri Arben Ahmetaj i përpjekjeve të Rindërtimit. Duket se punët do t’i kryejë i kudondodhuri dhe i padukshmi Çela, ndërsa për kreditet lutet t’i marrë Ahmetaj, por nuk i lë radhë Rama.

Ahmetaj duket se drejton një qark të 13-të, që shtrihet atje ku qarkon vala e tërmetit. Rama ka kuptuar se i është shfaqur Shqipërisë një ‘qark tranzitor’, me tipare të përbashkëta, por krejt ndryshe nga pjesët e tjera të Shqipërisë, viktimat e tërmetit. Durrësi i ngjan një loje të madh pokeri, ku Çela mban një dorë të mirë letrash, ortaku i tij Ahmetaj para të shumta rindërtimi, ndërsa Rama është pronari i kazinosë.

Elbasan – Taulant Balla

Një imazh krejtësisht pllakativ, që të kujton Revolucionin kulturor kinez, duket se e ka joshur Ramën i cili, ashtu si kryetari i madh Mao mblidhte masat për Hapin e madh përpara, ashtu edhe Balla mbledh vegjëlinë socialiste për Ramën. Ka studiuar në Rumani, me një bursë të dalë nga të drejta e komunitetit arumun në Shqipëri, duke zgjeruar kështu një pakicë etnike në emër të interesit të vet.

Me sa duket, në çdo rilindje shqiptare, sado pllakative qoftë, gjendet dikush që vjen nga mërgata e ‘kolonisë së Bukureshtit’. Dorëzimi pa kushte para kryetarit ishte çfarë kapi Rama, kur e mori nga ‘njeriu i Nanos’ dhe e mbarështroi në ‘njeriun e vet’. Për fare pak, Balla mund të ishte vota e shtatë në listën e ‘dezertorëve të Nanos’ në ndihmë të zgjedhjes president të Topit, por dora e zgjatur e kryetarit të ri dhe gatishmëria për shërbim të verbër ndaj shefit të radhës i ndërruan rrugë dhe e bënë armikun më të madh të Berishës. Rezistenca ndaj një grushti të kundërshtarit dhe linçimi nga ish-kryeministri Berisha, në sytë e publikut e bënë viktimë, ndërsa për të majtët hero.

Pa thënë asgjë të rëndësishme, pa lënë asnjë gjurmë, por vetëm me besnikëri, rrëzoi nga froni sfidantin e përkëdhelur, pasuesin hipotetik të Ramës, Ben Blushin. Eshtë përçues, si bakër i pastër, i urdhrave të kryetarit, nga maja e politikës deri te pjesët fundore të shoqërisë. Këtë e dëshmon fakti se, edhe pse vjen nga periferitë e qarkut, më pak përfaqësueset, ai sot komandon në Elbasan dhe më gjerë.

Korçë – Niko Peleshi

Tipari i Peleshit është se ka çuditur rivalë në çdo garë: qoftë kur konkurronte për Dhomën e Tregtisë së Korçës dhe, ndonëse kishte një biznes të vogël mundi konkurrentë me biznese shumë herë më të mëdha, ashtu dhe në politikë, mundi kur nuk pritej, në vitin 2007, kur mori Bashkinë, pushtetin e madh demokrat të Bode & Co.

Paaftësia e demokratëve për të kuptuar aftësinë e tij u shfrytëzua nga Nano, dhe më pas nga Rama, që e kthyen në një strumbullar ku lidhen shumë fije të interesave politike ekonomike e shoqërore në Korçë. Pamja pa bujë dhe sharm, siç mund të thuhet ndryshe ‘terital Korçe’, nuk ia zbut agresivitetin elektoral. Këto zgjedhje do jenë një moment përcaktues për atë dhe brezin e tij politik në Korçë.  

Lexoni gjithashtu: Profilet e njerëzve te Ramës në Tiranë

Vlorë –  Damian Gjiknuri

Prerja tipike e një të deleguari socialist, as formë as thelb, përfaqësimi aksidental dhe automat, i pandjeshëm për territorin që përfaqëson. Fuqia vjen nga litari që lëshon shefi. I aftë të jetë shumë i butë dhe agresiv në ekstrem, brenda kornizës së përcaktuar. Efiçent, por dhe i pandjeshëm, sikur vepron në Dibër ku s’e lidh asgjë, dhe do ta kishte harruar edhe vetë po të mos ishte dosja e famshme ‘339’, ashtu dhe kur është në Vlorë.

Nuk udhëheq dhe nuk dëshiron të udhëheqë, por garanton sinjalistikën e udhës. Pandjeshmëri ndoshta e diktuar nga formimi i tij dhe dëshira e rinisë për t’u bërë gjyqtar, detyrë në të cilën pat qenë emëruar në Laç nga presidenti i asokohe Berisha.

Lezhë – Lindita Nikolla

Rikthimi në Lezhë është provë e besimit nga kryetari, duke anashkaluar atë që dukej i favorizuar për qarkun, ish-ministrin Lleshaj. Më shumë se ish-ministre Arsimi ngjan me një arsimtare të devotshme dhe të papërtuar. I qëndroi fort reformës në Arsim, edhe pse ishte ide e Ramës jo e saj (dhe ndoshta bash për këtë), dhe udhëhoqi një ministri që, edhe pse nuk kreu reforma, krijoi perceptimin e tyre.

Edhe kur ra, kontrasti me pasardhësen, tërësisht inekzistente, e ‘rilindi’ Nikollën në sytë e Ramës si një njeri që mund të mbajë peshë dhe të jetë metodiste në drejtim. Pamja dhe prania e një gruaje i shërben Ramës për të larguar vëmendjen nga moçalishtja politike e së majtës në qarkun e Lezhës.

  
Shkodër – Ilir Beqaj

Në PS shumë njerëz e krahasojnë me Gromychon i cili mund të ulet në një kub akulli dhe nuk lëviz derisa të shkrihet i gjithë akulli. Shkodra nuk është eksperiencë e re për të pasi ka qenë drejtues edhe në vitin 2009. Serioziteti i tij naiv fsheh shumë ambicje dhe lakmi. Kësaj radhe në Shkodër është përgjigjia e pashpresë e Ramës që të dominojë hijen e shkurtër të Ditmir Bushatit.

 
Kukës – Safet Gjici

I gatshëm të kafshojë çdo gjë, madje edhe dorën e djathtë që e ka ushqyer. Guximtar që shikon vetëm përpara, në mungesë totale koordinatash, kaq mjafon që Rama ta ndërsejë kundër zonës më pak mikpritëse për të. Deri tani guximi e ka shpërblyer në biznes dhe në politikë. Duke zënë vendin e Mimit, mimika politike e së cilës është shuar krejtësisht në Kukës, edhe pas një përplasjeje me Gjicin, me të cilin ashtu si kundër shkëmbit, nuk mund të fitohet.

 
Fier – Gramoz Ruçi

Ndoshta ende nuk e di se është drejtues politik për Fierin, sepse hija e tij prej Sekretari të Parë shtrihet në të gjitha zonat operative të Jugut. Korrekt në verb, i përmbajtur në aksion, i padukshëm në efektin politik, ai kryen atë që askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë për Ramën: mban në PS jehonën e ‘thirrjes së të parëve’ komunistë.

Gramoz Ruçi është prova fizike dhe alarmante se tranzicioni në Shqipëri, jo vetëm nuk ka mbaruar, por duket se sa ka filluar.

Duket sikur koha ka mbetur në ’91-in për të, sa kohë nuk ka gjetur një zëvendësues, dhe kjo jo për Fierin. Në Fier ndihmohet nga dytësa me grinta dhe pasione relative si Braçe dhe Koçi.


Dibër – Olta Xhaçka

E lidh me Dibrën vetëm funksioni. Dibranët ende janë krenarë që ministri i parë i Mbrojtjes (Luftës)  i shtetit shqiptar ka qenë dibran: Mehmet pashë Dërralla. Me sytë aq të mëdhenj, sa duket sikur e përshkojnë gjithë Dibrën, por është e vështirë të kuptojmë si e sheh elektorati dibran atë. Duket se kjo është çka shohim në sipëfaqe me Xhaçkën, të nëndheshmen e di vetë lalë Rama. E ardhur nga shkolla e Mjaftit, ajo ka treguar komposturë, por jo agresivitet, qëndresë por jo gjemba ‘mjaftistë’.

Gjirokastër – Bledi Çuçi

Me pamjen e një njeriu të papërtuar, ai performon edhe detyrën e të deleguarit (të përligjurit për të folur) me zërin e kryetarit. Ka provuar disa ministri, pa lënë gjurmë në asnjë. Një ekzekutor modest i detyrës.

Në Gjirokastër e çon puna në qark, origjina, mikpritja e elektoratit të majtë dhe vëmendja e madhe e Ramës ndaj një prej bastioneve të veta. 

Berat - Blendi Klosi

I rrumbullakoset fraza në gojë si qofte. Aq i butë sa nuk i mërzitej as Ilir Meta dhe as Fatos Nano, në kohën kur kryente ‘ambasadorin’ mes acarimit të të dyve. Ndonëse publikut nuk i thotë shumë, në fushata është i vëmendshëm. Sjellja e tij pa formë ndaj LSI është arsyeja se pse është deleguar në Berat, që është bastion i Metës, dhe nga ku LSI pret më shumë. Kjo lloj butësie ka shërbyer si urë nëpër të cilën disa nga lsi-stët kanë kaluar te PS.

Të fundit