Flash News

KRYESORE

10 anëtarët e Byrosë që u mbyllën gazetarëve dyert e Kuvendit, veç Ruçit asnjë prej tyre s’do jetë më deputet

10 anëtarët e Byrosë që u mbyllën gazetarëve dyert

Vendimi i Byrosë së Kuvendit i miratuar në fshehtësi për të mbyllur aksesin dhe raportimin e pavarur të mediave nga komisionet parlamentare ka irrituar gazetarët dhe është shoqëruar me kritika nga organizatat e shoqërisë civile.

Për këtë arsye, gazetarët e akredituar pranë Kuvendit paralajmëruan një protestë kundër kësaj vendimmarrjeje, e cila parashikohet të zhvillohet të mërkurën në orën 9:30 para seancës së jashtëzakonshme parlamentare.

Por, cilët janë anëtarët e Byrosë së Kuvendit të cilët vendosën të lënë gazetarët jashtë, të minojnë transparencën dhe të instalojnë censurë.

Bëhet fjalë për kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe deputetët e Alket Hyseni, Anasatas Angjeli, Besnik Baraj, Myslim Murrizi, Vasilika Hysi, Vilma Bello, Alban Zeneli, Ervin Bushati dhe Nimet Musai.

Veç Ruçit, asnjë prej emrave të mësipërm nuk do jenë më deputetë të Kuvendit të ri në shtator.

Më 2 qershor, Kuvendi publikoi në faqen e saj të internetit vendimin e Byrosë për ndryshimin e një rregulloreje të vitit 2014, e cila sanksionon se gazetarët nuk do të mund të lëvizin më në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar, punimet e komisioneve parlamentare.

Me këtë vendim, Kuvendi i Shqipërisë bëhet institucioni i radhës që mbyll dyert për gazetarët dhe zëvendëson raportimin e pavarur me transmetimet zyrtare të kontrolluara nga zyrat e shtypit.

Të fundit