Flash News

KRYESORE

“O zemra”, “o rrushi”/ Incidenti Lekatari-Jazexhi nxjerr zbuluar mediat për gjuhën seksiste; Ekspertët: Dukuri, jo gjithmonë e identifikuar

“O zemra”, “o rrushi”/ Incidenti Lekatari-Jazexhi nxjerr

Gjuha seksiste dhe denigruese vijon të mbetet prezent në rrjetet sociale, por edhe nëpër studiot televizive.

Për fat të keq, në Shqipëri figura e gruas kryesisht po portretizohet në forma të ndryshme në media nga përdorues të gjuhës joadekuate dhe shpeshherë seksiste.

Një rast konkret është ai i aktivistes dhe gazetares Zhaklin Lekatari, ngjarje kjo e ndodhur në 29/09/2022  në emisionin e pasdites në Top Channel (Ftesë në 5).

Konkretisht, në panelin e të ftuarve, historiani Olsi Jazexhi ka ‘shpërthyer’ në fyerje gjatë emisionit ndaj gazetares Lekatari, duke përdorur terma seksistë dhe ofendues si “o rrushi” apo “zemra” si dhe ka aluduar për jetën personale të gazetares duke thënë se “fiton para me blogje seksi” apo “t’i numëroj dashnorët që ke pasur.”

Reagimi i Zhaklin Lekatari dhe dënimi i Olsi Jazexhi

“O zemra”, “o rrushi”/ Incidenti Lekatari-Jazexhi nxjerr

Pas zhurmës mediatike, debati me tone të ashpra nuk është përjetuar aspak mirë nga vetë aktivistja Lekatari.

E kontaktuar nga Politiko.al, Lekatari rrëfeu se si e ka përjetuar incidentin, madje ka kërkuar edhe ndihmën e psikiatrit.

“Sigurisht që jam ndjerë e prekur. Është e vështirë, sepse këto personazhe, përpos faktit që kanë gjuhë dhune dhe urrejtje, apo dashakeqe krijojnë narracione dhe perceptime që në publik janë të gabuara, duke nxitur edhe të tjerët që të kenë sjellje të ngjashme dhe të krijohet më pas efekti domino.

Fakti që ngjarje të tilla ndodhin në platforma mediatike e bën ngjarjen të mos vdesë kurrë sepse ajo përsëritet e bëhet virale sërish. Kështu që, patjetër nga ana profesionale, emocionale, mendore ndikon.

Kam kryer takime dhe vizita me psikiatrin dhe gradualisht e kam mbledhur veten”, deklaroi ajo.

Lekatari thotë se për këtë rast është ankuar pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe për këtë historiani Jazexhi është dënuar me gjobë. Madje, ajo shton se ndonëse ngjarja ka ndodhur një vit më parë, do të ngrejë ndaj tij një padi civile.

“Kam bërë një ankesë te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ai u dënua me një gjobë dhe dua ta ndjek çështjen deri në Prokurori. Me shumë mundësi, do të bëj edhe padi civile, ndonëse incidenti ka ndodhur vjet”, përfundon aktivistja.  

Reagimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Incidenti mes aktivistes Lekatari dhe historianit Jazexhi mori vëmendje dhe u pasqyrua edhe nga Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Në një reagim, Komisioneri i kërkoi Top Channel që të marrë masat për heqjen e videos nga të gjitha kanalet e tyre zyrtare dhe jo zyrtare.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u sinjalizua në rrjetet sociale dhe u njoh përmes medias me incidentin e ndodhur në emisionin e pasdites së djeshme në Top Channel (Ftesë në 5, ora 17.00 – 29/09/2022), ku ndaj aktivistes dhe gazetares Zhaklin Lekatari përdoren shprehje të gjuhës seksiste dhe denigruese per shkak gjinie, si dhe gjuhë e dhunshme nga personi Olsi Jazexhi.

Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen per mosmarrjen e masave adeguate nga ana e drejtueses së programit. Gjithashtu, i kërkon Televizionit Kombëtar “Top Channel, Departamentit përgjegjës të programacionit dhe moderatores që të marrin masat paraprake të përkohshme të heqjes së videos nga të gjitha kanalet e tyre zyrtare dhe jo zyrtare, si dhe të bashkëpunojnë me hetimin e nisur kryesisht nga Komisioneri.

Dhuna verbale, psikologjike dhe shprehje të gjuhës seksiste dhe denigruese janë të papranueshme dhe për më shumë të dënueshme kur përdoren në hapësira publike mediatike, në emisione me audiencë të gjërë dhe në fasha orare me rezonancë të lartë të popullsisë, ku përfshihen edhe fëmijët dhe të rinjtë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi garanton me ligj të drejtat e njeriut dhe lufton diskriminimin, duke promovuar barazinë, tolerancën dhe mirëkuptimin”, thuhet në reagim.

Pas një kërkimi, rezulton se video nga përplasja është eliminuar, por debati mes tyre mbetet i zbardhur në mediat online .

Valbona Sulçe për rastin ‘Lekatari’: Dukuri e përhapur, por jo gjithmonë e identifikuar

“O zemra”, “o rrushi”/ Incidenti Lekatari-Jazexhi nxjerr
Valbona Sulçe

Ekspertja e medias Valbona Sulçe e shikon rastin ‘Lekatari’ si një dukuri të përhapur në programet televizive, por jo gjithnjë të identifikuar si e tillë.

E pyetur nga Politiko.al se si ndikojnë incidente të tilla në media, ajo shprehet se rasti konkret vuri në dukje rolin që kanë moderatorët e programeve në parandalimin e dukurive të tilla, pasi në atë kohë edhe kuadri ligjor nuk ishte i plotësuar me parashikimin për seksizmin.

“Gjuha seksiste e përdorur ndaj grave dhe vajzave të ftuara në programe televizive është një dukuri e përhapur, edhe pse jo gjithmonë e identifikuar si e tillë. Rasti me zj Lekatari ishte flagrant dhe me sa di ka një vendim të Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për dënimin e rastit. Por ky vendim doli shumë më vonë për shkak të procedurave të ankimimit që ka institucioni dhe pak jehonë pati në media si lajm.

Duhet thënë që për kohën kur ndodhi dhe sidomos nga reagimi i moderatores, incidenti shërbeu si një shembull i mirë sesi duhet vepruar në të tilla raste, pasi në atë kohë edhe kuadri ligjor nuk ishte i plotësuar me parashikimin për seksizmin, as Kodi i Transmetimit”, shprehet Sulçe.

Ajo shton se incidenti vuri në dukje rolin e rëndësishëm që kanë moderatorët e programeve televizive në parandalimin e dukurive të tilla, të cilat ndodhin drejtpërsëdrejti.

“Moderatorët duhet të kuptojnë që janë përgjegjës për ta mbajtur ligjërimin publik brenda kornizave të etikës dhe larg fyerjeve apo denigrimeve personale.

Për fat të keq, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për programe të tjera televizive, kur moderatorët, edhe pse në programe të regjistruara, kanë ndeshur gjuhë apo veprime seksiste, nuk kanë ndërhyrë duke çuar në transmetim episode edhe më të rënda se kjo e Lekatarit, të cilat janë bërë virale në rrjete sociale”, deklaron ekspertja.

Sulçe shton se vetëm pas ndërhyrjes së organizatave të shoqërisë civile, është bërë ankimim në AMA.

“Tani ne kemi një kuadër ligjor të plotë përsa i takon seksizmit në median audiovizive dhe Kodi i Transmetimit është pasuruar me një seksion të posaçëm për barazinë gjinore dhe luftën ndaj seksizmit, ndaj u takon operatorëve audiovizive që të pajisen me njohuritë e duhura dhe të mos u japin platformë personave që përdorin gjuhë urrejtjeje ndaj grave, gjuhë seksiste apo denigruese dhe diskriminuese.

Nga ana tjetër, edhe publiku duhet të sinjalizojë AMA-n sa herë ndesh episode të tilla, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta mbajmë median audiovizive të pastër nga gjuha seksiste”, shprehet Sulçe.

E pyetur nëse a zbatohet sa duhet etika nga gazetarët për raste të ngjashme, ekspertja thotë se ligji njeh operatorët audiovizive si përgjegjës për këtë pjesë ndaj duhet më shumë bashkëpunim dhe seriozitet në trajtimin e rasteve të tilla.

“Jo, nuk zbatohet, po tashmë duhet kuptuar që kjo shkon përtej çështjes së etikës. Është një çështje ligjore, pasi prej 13 prillit 2023 ligji për mediat audiovizive ka ndryshuar duke futur në nenin 4 parashikimin për seksizmin dhe masat që duhen marrë ndaj tij.

Ligji njeh operatorët audiovizive si përgjegjës për këtë pjesë ndaj duhet më shumë bashkëpunim dhe seriozitet në trajtimin e rasteve të tilla. Jo vetëm në programet e lajmeve , po në çdo program, vecanërisht në programet e humorit dhe reality show-t”, shprehet ekspertja.

Kujtojmë se sipas një studimi të Institutit për Demokraci edhe Ndërmjetësim, mbi 55 për qind e grave që mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri përballen me gjuhë urrejtjeje dhe seksiste në platformat e rrjeteve sociale.

Studimet e kryera në Ballkanin Perëndimor tregojnë se gratë aktiviste hasen dhe punojnë nën kushtet e një klime jo miqësore, teksa në Shqipëri më të rrezikuara janë aktivistet që mbrojnë viktimat e trafikimit të dhunës, si edhe ato në mbrojtje të anëtarëve të komunitetit LGBTQ+.

S. F. Gjidede-Politiko.al në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Medias 

Të fundit