Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Përpjekjet meskine të Bashës për të bllokuar mediatikisht kundërshtarët e tij në parti
Alfred Lela
Bardh Kadilli, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, ish-deputet dhe ish-këshilltar i Berishës, ka thirrur sot një konferencë shtypi, mbajtur në një resort në periferi të kryeqytetit. Me sa duket për të shmangur hotelet luksoze dhe të shtrenjta të qendrës, por edhe për faktin se u shmang nga partia e tij. Kadilli u tha gazetarëve se i kishte kërkuar me këmbëngulje Zyrës së shtypit që të ndërmjetësonte mundësinë e një daljeje publike nga selia, nën siglën bardh-e-blu të PD, eksponent i së cilës është.
Zyra e shtypit e kishte shpërfillur kërkesën e tij. Sigurisht, pasi ka sinjalizuar kryetarin e partisë.
Ky bllokim është përcjellë edhe te një pjesë e medias që shihen si të afërta me Lulzim Bashën. Televizione të informacionit non stop, që i japin hapësirë edhe dy Golf 3-shave që gërvishten apo thyejnë parakolpët në një përplasje në Unazën e re, bllokuan kandidatin demokrat për kryetar të partisë, thënë ndryshe një nga lajmet kryesore të ditës.
Kam kontaktuar sot me kolegë gazetarë që më kanë thënë se kanë marrë direktiva nga bosët e tyre që të mos i japin hapësirë Kadillit dhe të gjithë atyre që i përkasin ‘linjës anti-Basha’. Vetë kryetari i Partisë Demokratike ka bërë telefonata ‘miqësore’ me shefat e medias për t’i bllokuar ata që i kërkojnë dorëheqjen.
Drejtues emisionesh politike të prime time janë sinjalizuar t’u mbyllin panelet veprimtarëve të një aksioni politik, që duket se do të jetë ngjarja kryesore politike e verës. Përveç përpjekjeve të Bashës për të dokumentuar vjedhjen e supozuar të zgjedhjeve, deklaratat e Nishanit, Kadillit, Imamit dhe të tjerëve, do të jenë referenca të kësaj stine të nxehtë politike, duam apo nuk duam.
Përpjekja për ‘të vrarë’ një prej mesazheve politike më të rëndësishme është diabolike, por dëshmon edhe një fakt të dhimbshëm. Se si, të njëjtët që e shajnë Edi Ramën si autor të një fushate anti-mediatike dhe anti-gazetareske, përdorin po ato metoda për të heshtur kandidatët dhe analistët kundër tyre. Kjo është dyfish më e rrezikshme kur autori i tyre banon, jo në selinë e qeverisë por, në zyrën e kryetarit të opozitës.
Me një ndryshim të madh edhe në këtë rast. Rama ka trimërinë dhe arrogancën t’i bëjë vetë këto beteja në publik duke u kacafytur me rivalët e tij, ndërkohë që hija e tij në opozitë luan në hije duke urdhëruar që nga prapaskena bllokimin e mendimit ndryshe.
Ky është një lajm i keq për median vetë sepse të dy krahët, të dy liderët, e shohin si prizë për të futur spinën e tyre dhe për të hequr atë të kundërshtarit. Është një lajm i keq sepse përbën përpjekje për të ndaluar debatin përmes të cilit funksionon dhe zhvillohet demokracia.
Tani mbetet të shihet vetëm akti i fundit i kësaj pafytyrësie tragjikomike. Pas televizioneve afër Bashës, të jenë ato afër Ramës që i mbyllin ekranin lëvizjes ‘anti-Basha’. Kjo do të dëshmojë më të dhimbshmen. Se kryeministri pasi e ka mundur kryetarin e PD do të kërkojë ta mbajë të instaluar në krye të opozitës, në mënyrë që ta mundë sërish.
Me sa duket, ‘nuk keni parë gjë akoma’ është një aksiomë që udhëheq në të dy krahët.