Flash News

KRYESORE

“Përplasje' institucionale Shqipëri–SHBA, a po kriset besimi mes aleatëve për sigurinë?

“Përplasje' institucionale Shqipëri–SHBA, a po kriset

Alarmi i ngritur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për një rrezik të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin ka nxjerrë në pah një përplasje të hapur qëndrimesh mes partnerëve strategjikë, duke vënë në diskutim mënyrën se si po trajtohet një çështje e sigurisë kombëtare.

Ambasada amerikane paralajmëroi se objektiva të mundshëm mund të jenë subjekte të lidhura me SHBA-të apo elementë të opozitës iraniane të strehuar në Shqipëri, duke kërkuar rritje të vigjilencës.

Ky reagim u pasua menjëherë nga kërkesa e opozitës për mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Megjithatë, institucionet shqiptare kanë mbajtur një qëndrim më të rezervuar. Presidenca deklaroi se situata është nën monitorim dhe nuk e konsideron të nevojshme një mbledhje emergjente,

"Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta", thuhet ndër të tjera në reagimin e presidencës. 

Edhe qeveria shkoi më tej, duke minimizuar rrezikun e mundshëm.

Agjencia për Media dhe Informim e cilësoi paralajmërimin si rutinë, duke theksuar se njoftime të tilla bëhen rregullisht nga ambasadat amerikane në mbarë botën.

Madje, në mënyrë të pazakontë, reagimi e krahasoi situatën me protesta të brendshme, ku sipas saj grupe opozitare përdorin incidente për vëmendje mediatike.

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili deklaroi se paralajmërimi nuk është specifik për Shqipërinë, por pjesë e një komunikimi global për qytetarët amerikanë.

Por ndërsa deklaratat politike tentojnë të ulin tonet, zhvillimet në terren tregojnë një tjetër realitet.

Njësitë e Antiterrorit kanë zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadave amerikane dhe izraelite, duke rritur nivelin e koordinimit dhe gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm. Në fokus të vëmendjes janë vendosur ambasadat, godina e muxhahedinëve në Manëz, si dhe hapësira të mëdha publike.

Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi ekzistencën e një hendeku mes vlerësimeve të partnerëve ndërkombëtarë dhe reagimit institucional në vend.

Ndërsa SHBA sinjalizon rrezik dhe kërkon vigjilencë të shtuar, qeveria shqiptare përpiqet të shmangë alarmin publik dhe të ruajë një imazh stabiliteti.

Sakaq, mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një alarm që duhet marrë më seriozisht, apo për një situatë rutinë.

Ajo që është e qartë është se qëndrimet e ndryshme mes institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë krijouar hapësirë për debat dhe dyshime të forta.



 

Të fundit