Flash News

KRYESORE

Qeveria injoron paralajmërimin e SHBA për sulme: Nuk ka asnjë rrezik, ambasada jep alarme edhe për protesta

Qeveria injoron paralajmërimin e SHBA për sulme: Nuk ka asnjë

Qeveria shqiptare ka dalë hapur kundër alarmit të dhënë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke minimizuar rrezikun e mundshëm për sulme në vend dhe duke garantuar se nuk ka asnjë informacion shqetësues nga agjencitë ligjzbatuese.

Në një reagim të fortë, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se paralajmërime të tilla janë të zakonshme dhe madje i krahasoi me situata protestash, ku sipas saj “grupe opozitare djegin kazanë apo hedhin molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.

Deklarata vjen pasi ambasada amerikane paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara apo elementë të opozitës iraniane në Shqipëri, por edhe vende publike si qendra tregtare, hotele, restorante dhe zona turistike, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë për vigjilencë të shtuar.

Megjithatë, ndryshe nga partneri strategjik, qeveria shqiptare këmbëngul se nuk ka asnjë indicie konkrete për kërcënim, duke i ftuar njëkohësisht turistët amerikanë të vizitojnë Shqipërinë dhe të shijojnë “mikpritjen e pakonkurueshme dhe ushqimin e paqortueshëm”.

Kjo diferencë e fortë në komunikim mes Tiranës zyrtare dhe Uashingtonit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po trajtohet siguria dhe transparenca në raste të ndjeshme. Nga njëra anë, SHBA kërkon rritje të vigjilencës për shkak të një rreziku potencial, ndërsa nga ana tjetër, qeveria shqiptare zgjedh ta relativizojë situatën dhe ta zhvendosë fokusin te imazhi i vendit dhe debati i brendshëm politik.

Të fundit