Flash News

KRYESORE

“Reuters” e “The Guardian” skepticizëm për ministren AI të Ramës: Tenderat janë burim skandalesh e korrupsioni

“Reuters” e “The Guardian” skepticizëm për

Në shpalljen e kabinetit të ri qeveritar, një ditë më parë, Rama prezantoi Diellën, ministren e krijuar me Inteligjencë Artificiale e cila do të drejtojë Ministrinë e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike.

Mediat ndërkombëtare, ‘Reuters’ dhe ‘The Guardian’, janë shfaqur skeptike mbi mënyrën se si do të funksinojë Diella dhe se sa transparente do të jetë procesi i dhënies së tenderave.

Diella do të shqyrtojë çdo tender në të cilin qeveria kontrakton kompani private dhe do të vlerësojë kompanitë kontraktore. Rama e sheh inteligjencën artificiale si një mjet potencialisht efektiv kundër korrupsionit që do të eliminonte ryshfetet, kërcënimet dhe konfliktet e interesit, shkruan ‘Reuters’.

Media e njohur shkruan se tenderët publikë kanë qenë prej kohësh një burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri, e cila “është kthyer në një qendër për bandat që kërkojnë të pastrojnë para nga trafikimi i drogës dhe armëve dhe ku korrupsioni është shtrirë në nivelet e larta të qeverisë.”

Edhe ‘The Guardian’ i referohet tenderave si burim skandali dhe korrupsioni duke theksuar se ky imazh ka komplikuar rrugën e Shqipërisë në BE.

“Dhënia e tenderave të tilla ka qenë prej kohësh një burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri, një vend ballkanik që ekspertët thonë se është një qendër për bandat që kërkojnë të pastrojnë paratë e tyre nga trafikimi i drogës dhe armëve në të gjithë botën, dhe ku korrupsioni ka arritur korridoret e pushtetit.

Ky imazh ka komplikuar pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të cilin Rama dëshiron ta arrijë deri në vitin 2030, por që analistët politikë e thonë se është ambicioz. Jo të gjithë janë të bindur. Një përdorues i Facebook-ut tha: ‘Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri.’ Një tjetër tha: ‘Vjedhja do të vazhdojë dhe Diella do të fajësohet.’Qeveria nuk dha detaje se çfarë mbikëqyrjeje njerëzore mund të ketë për Diellën, ose nuk trajtoi rreziqet që dikush mund të manipulojë robotin e inteligjencës artificiale”, shkruan ‘The Guardian’.

Të fundit