Flash News

KRYESORE

Shpërthimi me tritol trondit Italinë: Kush është Sigfrido Ranucci, gazetari që sfidoi krimin dhe pushtetin

Shpërthimi me tritol trondit Italinë: Kush është Sigfrido

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi mbrëmjen e së enjtes jashtë banesës së gazetarit italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report në televizionin publik italian RAI 3.

Sipas mediave italiane, një sasi lënde shpërthyese ishte vendosur nën makinën e tij. Makina shpërtheu para shtëpisë së tij në Campo Ascolano, duke dëmtuar edhe një tjetër automjet të familjes dhe një shtëpi.

Kush është Sigfrido Ranucci

Sigfrido Ranucci lindi në vitin 1961 në Perugia dhe u diplomua në Shkenca Politike në Universitetin “La Sapienza” të Romës.

Ai e nisi karrierën në fund të viteve ’80 si reporter për Rai International, duke mbuluar çështje sociale dhe skandale të korrupsionit në administratë.

Në fillim të viteve 2000 u bë pjesë e ekipit të emisionit “Report”, i themeluar nga gazetarja legjendare Milena Gabanelli.

Pas largimit të saj në vitin 2017, Ranucci mori drejtimin e programit dhe e modernizoi, duke e kthyer në një nga platformat më të ndjekura të gazetarisë investigative në Evropë, me denoncime të fuqishme mbi mafien, korrupsionin, trafikun ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e politikës me biznesin e paligjshëm.

Reportazhet për Shqipërinë dhe denoncimet për qeverinë Rama

Në vitet e fundit, Ranucci është përfshirë në disa investigime që lidhen me Shqipërinë, të cilat shkaktuan bujë në të dy anët e Adriatikut.

Në një seri reportazhesh të Report u trajtuan marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për emigrantët, por edhe dyshime për lidhje të politikës shqiptare me botën e krimit të organizuar.

Në këto investigime përmendeshin emra si vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, si dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Engjëll Agaçi.

Po ashtu, në disa prej emisioneve Ranucci publikoi dëshmi të ish-zv.kryeministrit në kërkim Arben Ahmetaj, që ilustronin mënyrën sesi Rama dhe bashkëpunëtorë të afërt kishin lidhje me afera korruptive dhe krimin.

Ndërkohë, qeveria shqiptare reagoi duke e cilësuar reportazhin si “të njëanshëm” dhe “të mbushur me pasaktësi”.

Kërcënimet dhe mbrojtja policore

Ranucci nuk është përballur për herë të parë me rrezik. Ai dhe ekipi i Report kanë marrë kërcënime të rënda pas publikimit të disa investigimeve, mes tyre edhe ato që preknin interesa të forta politike e kriminale.

Në vitin 2021, gazetarët e Report morën një mesazh kërcënues që i referohej masakrës së Charlie Hebdo, duke thënë se “ekipi i Ranuccit e meriton një fund të tillë”.

Që nga ajo kohë, gazetari është nën mbrojtje policore, për shkak të një rreziku konkret nga një grup i organizuar kriminal që synonte eliminimin e tij.

Çmimet dhe vlerësimet ndërkombëtare

Pavarësisht kërcënimeve, Sigfrido Ranucci është vlerësuar vazhdimisht për kontributin e tij në gazetarinë investiguese.

Në vitin 2024, ai mori Çmimin e Karrierës “Premio alla Carriera” në Palmanova, për “kurajën dhe integritetin në zbulimin e së vërtetës”.

Po atë vit fitoi Premion Letrar “Caccuri” për librin e tij La Scelta, ku rrëfen pasionin dhe rrezikun e gazetarisë.

Në maj 2024 u nderua edhe me Premion “Placito Capuano” për kontributin në informimin publik, ndërsa në korrik 2025 mori Çmimin “Fabula di Bellizzi” për “kurajën për të thënë të vërtetën në kohë frike”.

Të fundit