Flash News

KRYESORE

Shqipëria vendos në kushte pandemie, ç’duhet të dini para se të votoni   

Shqipëria vendos në kushte pandemie, ç’duhet të dini

Shqipëria sot vendos për qeverinë e katër viteve të ardhshme.

Rreth tre milionë shqiptarë në mbarë vendin i drejtohen sot nga ora 07.00 e mëngjesit deri në orën 19.00 kutive të votimit për të zgjedhur alternativat apo kandidatët që u besojnë.

107 mijë e 024 do të jenë të rinjtë që votojnë për herë të parë ndërkohë që 1,098 persona nuk mund të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme

Për herë të parë hyjnë në garë në zgjedhje të përgjithshme, edhe forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Po ashtu, për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Hap pas hapi si duhet të votoni

Votohet vetëm me një fletë votimi. Fleta e votimit përmban listën e partive politike apo koalicioneve, numrat e kandidatëve të çdo partie, apo koalicioni, si dhe emrin e kandidatit të pavarur në qarqet përkatëse.

Vendos shenjën X ose + në kutinë përbri partisë apo koalicionit që do zgjidhni.

Vendos shenjën X ose + në kuadratin poshtë numrit të kandidatit që do të votoni.

Ju mund të votoni vetëm për një parti politike, ose vetëm për një koalicion dhe mund të votoni vetëm për kandidatin e asaj partie, apo atij koalicioni që keni zgjedhur.

Ju mund të votoni vetëm për partinë politike, ose koalicionin, pa votuar ndonjë kandidat të partisë, apo koalicionit.

Ju mund të votoni edhe vetëm për një kandidat nëse nuk dëshironi të votoni partinë, apo koalicionin të cilit i përket kandidati.

Kujdes!

Te gjitha mënyrat e tjera të votimit janë të pavlefshme! Për të verifikuar  numrin që i takon çdo kandidati, në çdo qendër votimi, të çdo qarku,  pranë çdo dhome fshehtësie do të jetë lista me emrat e kandidatëve të qarkut përkatës.

Proces zgjedhor në kushte pandemie

Si asnjëherë më parë, Shqipëria voton në kushte të pazakonta, pasi ashtu si e gjithë bota, prej më shumë se një viti po përballen ne pandeminë e Covid-19.

Për të shmangur mundësitë e infektimit gjatë këtij procesi, Komiteti Teknik në bashkëpunim me KQZ hartuan dhe kanë publikuar rregullat që duhet të ndiqni për votimin në kohë pandemie.

Rregullat në qendrat e votimit:

-Salla duhet të ketë hyrje dhe dalje të veçantë për të mundësuar distancimin fizik të votuesve.

-Në hyrje te qendrave të votimit do të jenë të vendosura shenja dalluese për orientimin e votuesve lidhur me masat kundër COVID-19.

-Pranë hyrjes në sallën e votimit do të ketë shenja dalluese për të orientuar votuesit për të ruajtur distancën e nevojshme.

-Në hyrje të çdo qendre votimi do të vendosen dezinfektues për duart.

-Çdo votues ditën e diel duhet të jetë i pajisur me maskë. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët e komisioneve dhe për vëzhguesit e akredituar.

-Kutitë e votimit do të vendosen dy metra nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit, po kështu dhe dhomat e fshehta.

-Mjediset e qendrave të votimit duhet detyrimisht të dezinfektohen një ditë para procesit të votimit dhe më pas në intervale të rregullta.

-Një person përgjegjës do të caktohet në hyrje të qendrave të votimit për të kontrolluar zbatimin e masave anti-COVID.

-Përpara futjes në qendrën e votimit anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të deklarojnë se nuk kanë temperaturë ose shqetësime të tjera të lidhura me COVID-19 të bëjnë dezinfektimin dhe të kenë vendosur maskat.

– Anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të ulen në vendet respektive duke ruajtur distancën fizike 1.5 metra nga njëri-tjetri.

-Në sallën e votimit nuk lejohet prania e më shumë votuesve se numri i dhomave të fshehta për votim, plus dy persona që regjistrohen.

-Dhomat e fshehta për votim duhet të ruajnë largësinë 1.5 metra nga njëra tjetra.

-Përpara qendrave të votimit nuk duhet të ketë grumbullime dhe mes votuesve që presin duhet të ketë një distancë fizike prej 1.5 metrash.

-Votuesi i cili përfundon procesin e votimit duhet të vijoj të mbajë një distancë prej 1.5 metra me votuesit që vijojnë procesin.

-Votuesi pas procesit të votimit dezinfekton duart.

Të fundit