Flash News

KRYESORE

SPAK, "njeriu" i vitit

SPAK, "njeriu" i vitit

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme u vendosën në qendër të vëmendjes përgjatë vitit 2023. Operacionet dhe goditjet e SPAK nuk ishin aspak të vogla. Zyrtarë, ish-zyrtarë, funksionalë të lartë të shtetit, ish-efektivë dhe drejtues policie, ranë në pranga pas hetimeve të nisura nga SPAK në kuadër të një seri çështjesh.

Fredi Beleri, Greqia dhe integrimi

Më 12 maj, vetëm dy ditë para zgjedhjeve vendore të pjesshme, ra në pranga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit u arrestua në mesnatë, nën akuzën e shitblerjes së votave.

Burgosja e Belerit ngjalli menjëherë reagimin e Greqisë fqinje, e cila kërkoi nga autoritetet e drejtësisë shqiptare prova dhe fakte bindëse për arrestimin e Belerit. Lëvizjet e Greqisë u shoqëruan me paralajmërimin se nëse Shqipëria nuk respektonte të drejtat e minoritet, do të pengon integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Çështja solli përplasje mes dy vendeve, shoqëruar me një tension edhe pse të padukshëm, mes Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis.

Një ditë pas zgjedhjeve, kryeministri Rama deklaroi se: “Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare, dhe ka një tjetër drejtësi për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi greke”.

Beleri ka depozituar përmes avokatëve të tij disa herë kërkesën për të lejuar betimin si kryebashkiak i zgjedhur me shumicë votash nga qytetarët e Himarës më 14 maj.

Mirëpo, pasojat e para të ngërçit mes Greqisë dhe Shqipërisë të krijuara nga çështja e Belerit, u vunë në dukje në Nëntor, kur Greqia bllokoi një letër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e pesë kapitujve të parë të procesit anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Inceneratorët

Dosjet e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit çuan në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako. SPAK firmosi urdhër-arreste edhe për sipërmarrësit e përfshirë në aferë: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, të cilët edhe sot mbeten në arrati.

Ish-ministri Koka u shpall fajtor për tre akuza: "shpërdorimi i detyrës", "korrupsioni" apo/dhe "pastrimi i parave". Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 10 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, i zbatuar për të gjithë të pandehurit, u reduktuan në 6 vjet e 8 muaj burgim.

Alqi Bllako, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion”, në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por dhe për shkak të rikualifikimit të akuzës, duke mos u konsideruar funksionar i lartë publik, por nëpunës publik. Përfundimisht dënimi me 4 vjet u konvertua në 2 vjet e 8 muaj burgim.

Me 6 akuza mbi shpinë, nga korrupsioni në disa raste dhe forma, te mashtrimi, pastrimi i parave apo krjimi i skemave mashtruese, sipërmarrësi Klodian Zoto, i përfshirë dhe në rastin e Elbasanit, u dënua me 8 vjet burgim, pasi iu zbritën 4 vite dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dënime më të ulta përfituan anëtarët e komisioneve të dhënies së koncensionit, drejtuesë të inceneratorit, apo dhe të firmave private të përfshira në skema mashtrimi me faturat gjatë punimeve të ndërtimit të objektit.

Për inceneratorin e Elbasanit, Koka u gjykua fajtor vetëm për korrupsion dhe pastrim parash dhe u dënua me 5 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Gjykata vendosi të lirojë nga sekuestro disa pasuri të tij duke e lënë masën në fuqi vetëm për një kantinë vere.

Për Alqi Bllakon u rrëzua akuza e shpërdorimit të detyrës. SPAK kërkoi 2.8 vite burg, por gjykata e shpalli të pafajshëm nga akuza që rëndonte mbi të.

Dënimet më të larta u dhanë për dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar për ta u reduktua nga 10 vjet në 6 vite e 8 muaj burg.

Ata akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njëjta akuzë mbeti në fuqi dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administratore e “Albtek Energy”. Dënimi prej 7 vitesh burg për të, u konvertua në 4 vite e 8 muaj burg.

Gjatë hetimeve të kryera për dosjen e inceneratorëve u vendos në shënjestër edhe kryabshkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Më 8 dhjetor, u arrestua një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Taulant Tusha, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës.

Veliaj reagoi përmes një postimi në platformën “X”, ku shkroi se “heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK, është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”.

Arben Ahmetaj, nga qeveria në arrati

Dosja e inceneratorëve shënoi edhe fundit e karrierës së Arben Ahmetajt si një politikan i lartë i qeverisë Rama. Në korrik të vitit 2022, Ahmetaj i cili dikur ishte i besuari i Ramës, u la kashtë kabinetit qeveritar. Më vonë Rama do t’i hiqte edhe postet e tjera në parti duke e zhveshur Ahmetajn nga kostumi i politikanit.

Krisja e marrëdhënieve mes tij dhe Ramës u vu re në një intervistë televizive ku Ahmetaj tha: "Të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm. Duhet të njohësh procedurat dhe detajet”, deklaroi ai më 23 shkurt. Dy javë më pas, Rama kundërpërgjigjet duke u shprehur që “nëse unë do të kisha bërë gjykatësin, gjërat do të kishin qenë shumë më keq, për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

Vetëm pak ditë pas deklaratës së Ramës, SPAK nisi veprimet ndaj Ahmetajt duke e vënë nën hetime për 4 vepra penale: “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, "korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.

Banesat e bashkëjetueses së tij si dhe ajo e ish bashkëshortes i nënshtrohen kontrolleve, (më 15 mars) ndërsa pak ditë më pas vihen nën sekuestro dy vila në bregdet të regjistruara në emër të tyre. Më 22 qershor Ahmetaj u paraqit në SPAK, por pas dëshmisë nuk dha detaje.

Dy javë më pas në parlament shkon kërkesa për arrestimin e tij. E teksa në Parlament mazhoranca dhe opozita debatonin për dosjen e inceneratorëve, mediat raportuan se Ahmetaj ishte larguar jashtë Shqiëprisë. Avokatët e tij pohuan se ish-zv.kryeministri ishte larguar drejt Anglisë.

Ahmetaj reagoi në Facebook, pak para se në Parlament të miratohej kërkesë për arrestimin e tij. Ai shkruante se do të kthehej në Shqipëri atëherë kur e vërteta të gjente rrugën.

Pak ditë më pas Prokuroria sekuestroi 4 apartamente në pronësi të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro. Ndërsa nga kontrollet në 7 banesa ku janë sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se kjo e sotmja ishte raprezalja e radhës në familjen e tij.

Në tetor, ndaj Ahmetajt do të regjistrohet një tjetër procedim penal, për privatizimin e ish Fabrikës së Bukës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish zëvendëskryeministri dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, pasi pronësia mbi ish fabrikën i ishte njohur nga gjykatat, një familjeje kryeqytetase.

Hetimet ndaj Berishës dhe arresti në shtëpi

Më 21 Tetor, në aeroportin e Rinasit arrestohet Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryedemokratit Sali Berisha. Malltezi u arrestua në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizanit, pas padisë të dorëzuar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

SPAK lëshoi edhe një urdhër-arrest për Sali Berishën, nën akuzën e korrupsionit pasiv. Vetë kryedemokrati deklaroi se procesi ishte stisur nga SPAK me urdhër të Edi Ramës, si një lëvizje me qëllime të pastra politike.

Gjykata konfirmoi arrestin me burg për Malltezin dhe nisi zbatimin e sekuestrimit ndaj pasurive të tij. Pak ditë më vonë, ndaj Malltezit cakohet masa “arrest shtëpie” duke e liruar nga qelia.

Për Berishën procedurat zgjatën disa ditë për shkak të shtyrjes së vazhdueshme të seancave në GJKKO. Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” të cilën Berisha nuk e zbatoi.

Nga Kuvendi dhe selia e PD, kryedemokrati deklaronte se masa e vendosur ndaj tij vinte nga një gjyqtare, Irena Gjoka, të cilën ai vetë kur kishte qenë në krye të KLD-së në vitin 1996. Deputetët e opozitës depozituan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të rrëzuar masën e SPAK, gjë e cila u refuzua.

Më 30 dhjetor, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për masën “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore, për Berishën, duke i ndaluar kryedemokratit komunikimin.

Zyrtarë e politikanë në dyert e SPAK

SPAK vendosi të rihapë hetimet për tragjeidnë e Gërdecit. Ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, iu komunikua akuza e “shpërdorimit të detyrës” për rastin e Gërdecit. Çështja shkoi më pas për gjykim.

Procesi vijon ende, ndërsa u thirr si dëshmitar edhe djali i kryedemokratit Sali Berisha, Shkëlzeni, AI mohoi të jetë përfshirë në çështje dhe tha se njohjetg e takimet me Aldo Bumçin dhe Mihal Delijorgjin, kanë qenë për çështje personale.

Mediu ka këmbëngulur se nuk është marrë në konsideratë parashkrimi i veprës për të cilën akuzohet: “Kjo shkelje është tërësisht flagrante, për një njeri që prezumohet i pafajshëm e nuk ka patur procedim penal, të kërkohet të mos respektohet afati i parashkrimit”.

Koncesioni i sterilizimit është një tjetër dosje që çoi në pranga ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili ishte pjesë e konsorciumit të kompanive që fituan koncensionin në dhjetorin e 2015-ës. Ndaj biznesmenit Rrapaj, rëndonte akuza e mashtrimit. Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Gjykata sugjeroi përfshirjen në hetime edhe të ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Më 18 nëntor, Beqajt i komunikohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe "ndalim i lëvizjes jashtë shtetit”. Ai dyshohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. “Unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor, prandaj kam vendosur, përtej opinionit që mund të kem, apo rezervave të avokatëve të mi, të mos e kundërshtoj atë vendim”.

Në Dhjetor, në banesën e Beqajt dhe në disa kompani farmaceutike me të cilat dyshohet se ai ka nënshkruar kontrata klienteliste, BKH ushtroi kontrolle duke sekuestruar disa celularë, laptopë dhe dokumente.

Gjatë vitit 2023, 7 kryebashkiakë dhe ish-kryetarë socialistë të bashkive, u dënuan, u hetuan ose janë në gjykim.

Më 1 mars, ish-drejtuesi i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i arrestuar në korrik të 2021, u dënua me 3 vjet e 6 muaj, nga Apeli i posaçëm. Ai u gjet fajtor për “shpërdorim detyre” në dy raste, edhe për “shkelje të barazisë në tendera”. Dënime më të lehta u dhanë për 18 ish zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie dhe sipërmarrës.

Dy javë më vonë me urdhër të SPAK u arrestua kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja si dhe 6 zyrtarë të tjerë, nën akuzat: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”. Më 16 shtator, çështja ndaj tyre shkoi për gjykim dhe në fund të vitit ai u dënua me dy vjet burg.

Në qershor u arrestua ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë, nga të cilët 7 janë ish-punonjës të Bashkisë. Dako u vendos nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste: për procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimin e dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë, si dhe për procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh, i konsideruar 10 herë më i lartë sesa vlera reale. Më 7 dhjetor, hetimi u mbyll dhe çështja kaloi për gjykim. Ai është një ndër emrat ndaj të cilëve Departamenti amerikan i shtetit ka marrë masën e ndalimit të hyrjes në territorin e SHBA-ve.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, përfshihet në një skandal seksual, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku ai shfaqet në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me Alma Kaçin. Ai jep dorëheqjen, ndërsa 8 ditë më pas arrestohet.

Në qershor, merret nën hetim kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, pasi nuk kishte deklaruar në formularët si kandidat në dy zgjedhje vendore, një dënim për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë, dhe dëbimin nga ky shtet në vitin 1999.

Më 13 korrik, u arrestua ish kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi lejoi një kompani private të hapte pa leje një rrugë në një zonë pylli, duke shkaktuar një dëm që përllogaritet në mbi 2 milionë euro. Tuci u dënua më 7 tetor me 1 vit e 6 muaj burgim për shpërdorim detyre, dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për të ushtruar funksione publike.

Nën hetime përfundoi dhe kryebashkiaku tjetër socialist në Rrogozhinë, Edison Memolla, i cili u dërgua për gjykim nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi rezulton të ketë ofruar favore në këmbim të votës për të, në zgjedhjet e 14 majit.

Të fundit