Flash News

KRYESORE

Kush po luan me jetët e fëmijëve në Tiranë? Shërbimi Zjarrifkës përgënjeshtron Veliajn për djegien e çerdheve

Kush po luan me jetët e fëmijëve në Tiranë?

Në Tiranë po luhet aktualisht një lojë e rrezikshme me jetët e fëmijëve. Dy çerdhe janë përfshirë nga flakët brenda pak ditësh, por fatmirësisht nuk ka patuar asnjë person të lënduar.

Më 16 gusht ishte çerdhja nr.14., në zonën e ‘Ali Demit’ që u përfshi e para nga flakët. Mediat e raportuan ngjarjen, ndërkohë që bashkia e Tiranës u mundua të krijonte një alibi duke shpërndarë në disa portale pranë saj lajmin se zjarri kishte rënë jashtë ambienteve të çerdhës, në një godinë ngjitur me të. Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj u angazhua për të mohuar lajmin me telefonatën që bëri në drejtim të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili kishte bërë më herët një reagim të ashpër për këtë çështje. Gjithsesi, hetimet e policisë konfirmuan se zjarri ka rënë brenda ambienteve të çerdhes.

Ky pretendim i bashkisë u hodh sot poshtë edhe nga Shërbimi i Zjarrfikëses në Tiranë, që është në varësi të saj, ku në një raport të publikuar në media thuhet se zjarri në çerdhen nr.14 dhe zjarri tjetër që përfshiu më 21 gusht çerdhen nr.16., në njësinë 5, janë të qëllimshëm dhe flakët janë shfaqur brenda godinave.

Ekspertët kanë shpjeguar edhe mënyrën se si personat përgjegjës kanë hyrë edhe kanë djegur pajisje brenda godinave, ndërkohë që hetimet për këto ngjarje vijojnë ende.

Por kjo situatë paraqet një rrezikshmëri të lartë për jetët e fëmijëve. E vështirë të thuhet tani se kush ka marrë përsipër të luajë me jetët vogëlushëve dhe nëse dyshimet e zjarrfikësve për ngjarje të qëllimshme konfirmohen, kjo do të përbënte një akt të paprecedentë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në mbarë botën, pasi sulme të tilla nuk kryen as nga terroristët në vendet e shkatërruara nga luftërat.

Këto ngjarje meritojnë një hetim të plotë dhe transparent nga autoritetet, pasi edhe nëse provohet e kundërta dhe rezulton se zjarret nuk janë të qëllimshme, përpjekja për të fshehur të vërtetën dhe për të mos i dhënë zgjidhje problemit, vë në rrezik të përditshëm jetët e fëmijëve dhe është po aq kriminale dhe terroriste sa zjarrëvënia e qëllimshme.

Të fundit