Flash News

KRYESORE

Lirimi i “të fortëve”, KLGJ heq përgjegjësitë, i përgjigjet edhe Etilda Gjonajt: S’na takon ne verifikimi i shkeljeve

Lirimi i “të fortëve”, KLGJ heq

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas vendimeve të fundit të gjykatave duke ndryshuar masën e sigurisë emrave të njohur të botës së krimit dhe duke u dhënë atyre lirinë.

Bëhet fjalë për rastin e Endrit Dokles, Ergys Kolaverit, si dhe dje të Sardian Sulejmanit.

Në një njoftim për mediat, KLGJ ka sqaruar se është Inspektori i Lartë i Drejtësisë institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe jo Këshillin e Lartë Gjyqësor.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni”, njofton KLGJ, e cila indirekt i përgjigjet edhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila pak ditë më parë në një dalje për mediat tha se “I jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar, me qëllim mostolerimin e asnjë vendimi të tillë, i cili sfidon haptazi procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe punën e përkushtuar të institucioneve të reja në këtë proces jetik për forcimin e shtetit të së drejtës”.

Pasi “të fortët” lanë qelitë, edhe Emiljano Shullazi kërkon lirinë: Të shqyrtohet masa

Të fundit