Flash News

KRYESORE

Lubonja: E palogjikshme që opozita të hyjë në zgjedhje. Fatos Nano, qesharak

Lubonja: E palogjikshme që opozita të hyjë në zgjedhje.

Për Fatos Lubonjën është pa logjikë që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në një kohë kur ka djegur mandatet e deputetëve për shkak se akuzon se zgjedhjet parlamentare të 2017-ës janë manipuluar. Lubonja tha në rubrikën 'Opinion' në News 24 se, kryeministri Edi Rama do të përpiqet që me ndihmën e ndërkombëtare të ruaj fasadën demokratike që ekziston në Shqipëri.

"Është pa logjikë që opozita të shkojë në zgjedhjet lokale. Nëse thua se zgjedhjet (parlamentare) nuk janë të lira, atëherë as ato lokale nuk mund të jenë. Në këtë situatë kam përshtypjen që Edi Rama do të tentojë me ndihmën e ndërkombëtarëve të ruaj edhe një herë fasadën, si atëherë kur e nxori Lulzim Bashën nga çadra. Gjykoj që opozita e ka të vështirë ta pranojë këtë. Më e mundshmja është që Rama të shkojë vetëm dhe me disa parti të vogla që do përdoren si gjethe fiku. Situata do të vijojë të jetë e tensionuar, nëse opozita nuk dorëzohet", tha ai.

Lubonja komentoi edhe ftesën që i është çuar ish-kryeministrit Fatos Nano për të marrë pjesë në kongresin e PS.

"Fatos Nano është një figurë e diskretituar. Çfarë përfaqëson Fatos Nano? Asgjë nuk përfaqëson, përveçse fillimin e së keqes së këtij sistemi, që u pasua më pas nga Sali Berisha. Është qesharake ta diskutosh Fatos Nanon", u shpreh Lubonja.

Të fundit