Flash News

KRYESORE

Majlinda Bregu: Kam ‘luksin’ të jem prej 1 muaji në Tiranë, por nuk takoj dot prindërit dhe miqtë

Majlinda Bregu është një prej atyre grave që, në qarqet e huaja politiko-diplomatike, e konsiderojnë sharp (e mprehtë). Një ndryshim ky nga hovi i grave në politikën tonë që ngordhin për të qenë të hekurta (iron ladies), në imitim të një gruaje të paarritshme konservatore, britanikes Margaret Thatcher.

Jashtë hatrit të lidershipit të partisë së saj (Demokratike), Bregu ka tashmë një ‘jetë të dytë’ si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë. Prej një muaji është në Shqipëri për shkak të koronavirusit. Në këtë intervistë ajo tregon për ditët e saj në karantinë dhe si do të ndryshojhe bota (ose jo) pas Covid-19.

-Çfare imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshit me Covid-19?

Mbyllje dhe pazotësi. Nevojë për t’u ruajtur nga një botë gri me plagë jashtë, ose për të ruajtur botën nga vetja jote. Pak a shumë si kjo çmenduria që po jetojmë. Një lloj pritje e pa formë dhe e pakohë.

Ajo që të zë e s’i jep dot drejtim. Dhe këtë gjendje të të ndjerit e pazonja e që s’i jap dot drejtim një situate e kam bezdi të paparë.

-Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus? 

Mua më ka bllokuar mundësinë për të bërë punën që më duhet të bëj: e cila është 90 përqind udhëtime e takime, shtrëngime duarsh a përqafime, biseda kokë më kokë, a në grupe të mëdha. Po punoj, si të gjithë, online edhe pse nuk është e lehtë. Është e vështirë të mbash stafin të motivuar kur nuk i takon, e për më tepër të adaptosh agjenda e projekte të cilat askush nuk i kishte parashikuar, me ‘plan B’ për kohë lufte.

Por, ajo që më jep parehati mbi të gjitha, është se tani që jam prej një muaji në Shqipëri (gjë që s’më ndodh prej një viti e ca), s’ shoh dot as prindërit dhe as miqtë.

Te pluset mund të them se po rri në shtëpi e po bëj mamin e gruan e shtëpisë, rol që nuk e zëvendëson dot asnjë burrë, sado të dua unë të them që gratë e burrat duhet të jenë të barabartë.

Meqenëse dita është e gjatë e nata po aq, ka kohë boll për të parë filma e për të menduar pa u ndërprerë:-)

-Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Sinqerisht, nuk di. Dëgjoj shumë që thonë do të ndryshojë për mirë. Kam frikë se “mirë” në këtë rast më shumë se bindje është dëshirë se “njerëzit do të zënë mend“ dhe e “keqja do të jetë më e dobët”.

Gjithsesi, nëse ky vlen si mendim ngushëllues dhe si një mekanizëm vetëmbrojtjeje për të përballuar më lehtë këtë situatë, s’ ka askush dëm.

Çka di, dhe kjo se shenjat janë të dukshme, është që do jetë më e vështirë për ekonomitë tona. Në vendet e rajonit tonë psh mbi 90 përqind e biznesit janë biznes i mesëm dhe i vogël; kryesisht shërbime- turizëm, restorante, fason etj.

Do të ketë  më shumë të papunë, por më shumë vend për inovacion e ide që do i japin edhe më hov revolucionit digjital e platformave online. Do të kete më shumë konkurrencë, e kjo jo vetëm mes individëve. Do të ketë më shumë marrëdhënie e projekte bilaterale se sa rajonale e më gjerë.

Do të ketë me pak fonde dhe më shumë konkurrencë.

Shkurt, do të jetojmë plotësisht atë realitetin liquid që Zygmund Bauman parashikoi para një dhjetëvjeçari. Asgjë s’ do të jetë më solide dhe e mirëpërcaktuar. Do na duhet të orientohemi në një botë që nuk ka më pika reference të qarta.

Me shumë ankth e më pak rehati.

[caption id="attachment_375029" align="alignleft" width="704"] Majlinda Bregu në karantinë
Selfie[/caption]

-Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimiste apo optimiste?

Që pergjegjesia individuale qenka çelës suksesi për të përballuar kriza;

Që solidaritetin po e rizbulojmë si nevojë organike e jo medalion për shtirjen;

Që prakticiteti është bekim e që askush s’është racional në kohë krizash;

Që leadership-i s’është fare lojë, ëndërr e bukur e  as shkallare pushteti, por veprim e  përgjegjësi.

Mbi të gjitha, dhe këtu besoj po bie dakord gjithë bota, që u detyrohemi, para mirënjohjes, një falje të madhe mjekëve e infermierëve. Politikisht e mediatikisht i kemi masakruar për shumë vite.

-Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Zgjim, me zhurmë pallati që ndërtohet, po me ate vrull që ndërtoi Kina spitalin për Covid.

Mëngjes në këmbë me sfond tim shoq që pyet ç’duhet të blej e ç’do bëjmë për drekë.

Pastaj vijnë pazaret e lahen të gjitha (puna më e urryer e këtyre ditëve:).

Gatim, zakonisht për 4 veta, dy nuk hanë njësoj:-)

Dizinfektim  kundër coronavirusit.

Zoom e takime pune online.

TRX, një lloj stërvitje fizike:-)

Sa i takon argëtimit: Sapo mbarova “Pushteti i së keqes” (The power of bad). Një miks mes botës së politikës e psikologjisë. Sikur s’po kam vëmendje për të nisur tjetër.

Dhe para se të më zërë gjumi (që me zor më zë), lë pas luftën me coronën e nis luftën me mendimet në kokë.

Politiko.al

https://politiko.al/artan-fuga-kenaqem-qe-bota-mendjemadhe-tyryfyle-prepotente-idiote-ra-ne-gjunje/

https://politiko.al/rubens-shima-karantina-e-ktheu-injorancen-ne-dominancenje-befasi-e-keqe-nga-televizionet/

https://politiko.al/karantina-per-nje-deputete-rudina-hajdari-iu-tregoj-ditet-e-izolimit-nga-koha-qe-i-kushtoje-vajzes-te-mbledhjet-online-te-parlamentit/

Intervista të tjera të Karantinës

Të fundit