Flash News

KRYESORE

Një tjetër aktor braktis “Portokalli”: Do shëtis botën me kroçere

Së fundmi nga spektakli i humorit “Portokalli” janë larguar artistë të shumtë. Ndër to dhe Alex Seitaj i njohur si femra me përvojë, “Vezirja”.

Por ndryshe nga aktorët e tjerë, ai nuk do të kalojë në një tjetër ekran, por do të shëtisë botën me kroçere.

Në një intervistë për “Panorama Plus” aktori i humorit ka treguar dëshirën e tij të madhe dhe arsyen e largimit nga Shqipëria.

“Përveç profesionit tim dhe karrierës sime, nga ana njerëzore, kam pasur nevojë për një ndryshim. Gjithmonë më kanë pëlqyer kulturat e ndryshme të botës dhe kjo është një mënyrë interesante për të punuar, por gjithashtu edhe për të parë botën. Fatmirësisht, do të jem brenda profesionit, pasi do të punoj në sektorin e animimit. Duke filluar që nga drejtimi i mbrëmjeve të karaokeve e deri te interpretimi në “shoë–variete” në teatrin e kroçeres. Praktikisht do të jetë puna që kam bërë këtu në tokë, por tashmë do jetë në det”, është shprehur ai.

Më tej gjatë intervistës Aleks shton se i pëlqen të vizitojë vende që kanë kultura të ndryshme nga e jona. “Një nga vendet që mezi po pres të vizitoj është India. Më magjeps kultura dhe qytetet e tyre. Më pas do të jetë kënaqësi të vizitoj vendet më të bukura të Europës”.

Mëgjithatë ndonëse largohet për një jetë aventureske Alex nuk ka ndërmend të heqë dorë nga arti.

“Absolutisht nuk do të largohem nga arti. Madje as nga audienca shqiptare. Nëpërmjet internetit do të kem mundësi të postoj projektet e mia artistike, madje edhe rrugëtimin tim, kështu që ndjekësit e mi të jenë pjesë e udhëtimit tim”, u shpreh më tej ai.

Të fundit