Flash News

OP-ED

Gjoba 50 milionëshe kundër ndryshimit të Elton Debreshit

Gjoba 50 milionëshe kundër ndryshimit të Elton Debreshit

Alfred Lela

Elton Debreshi është kandidati im. Nuk e mbështes nga pozita ideologjike, pra si majtist që beson se klasa punëtore e sjell ndryshimin, se të pasurit duhen përmbysur, se ata na pinë gjakun, e broçkulla të tjera punisto-leniniste.

Eltoni dallon në çdo drejtim nga mizëria e kandidatëve të tjerë në këto zgjedhje. Ai nuk ka nga pas një parti apo sigël të njohur, nuk mbështetet nga paratë e lobeve ekonomike, nga ambasadorët e huaj, apo nga mediat.  

Ai ka nisur një fushatë të mbledhjes së fondeve, e cila ndoshta nuk do t’i sigurojë shumë, dhe e  ka shpresën te mbështetja e të singjashmëve të tij minatorë.

Duke qenë kaq fillikat ai bie në sy. Të paktën në sytë e atyre që mbyllen para turmave dhe hapen para individit.

Me sa duket ai ka rënë në sy edhe të Policisë së Bulqizës që e ka gjobitur fushatën e minatorit dibran me 50 milion lekë. Arsyeja zyrtare është moszbatimi i distancë sociale në një prej takimeve të tij.

Ndërkohë që duket sikur ligji është në anën e gjobëvënësve, e drejta është në anën e të gjobiturit. Një sistem politik dhe ligjor që ka bërë thuajse asgjë për Debreshin dhe të singjashmit e tij, është gati të ushtrojë edhe represionin e fundit policor që zotëron.

Gjoba ndaj Debreshit mund të duket si mbrojtje e interesit publik, por shkon absolutisht kundër tij. Është në interesin publik që zëra të përveçëm, të pandikuar, origjinalë dhe të vërtetë të inkurajohen dhe jo të ndalohen.

Debreshi ka të drejtë kur kërkon llogari dhe thotë se pse nuk ndiqet i njëjti standard gjobash ndaj  Partisë Demokratike, që bën mitingje më të mëdha dhe më të shpeshta se të tijët. Ai nuk e tepron as kur thotë se qeverinë e ka trembur drejtimi që mund t’i japë votës prania e tij në garën e Dibrës.

Sido që të shkojë për të, ndër gjithë këto profile false të fushatës elektorale, Debreshi mbetet i vërtetë dhe serioz.

Të fundit