Flash News

OPINEWS

Diella, kurthi i Ramës për të ekspozuar fanatikët e ‘makinës së shkrimit’

Diella, kurthi i Ramës për të ekspozuar fanatikët e

Nga Hysni Gurra

Në kabinetin e ri të Edi Ramës, 99% e ministrave mund të ishin objekt kritikash për korrupsion, paaftësi, lidhje me krimin dhe mediokritet. Rama e di kush janë ata dhe nxjerr ministren AI, Diella. Dhe të gjithë turren pas saj.
Ky është një kurth mjeshtëror:
* Së pari, largon vëmendjen nga ministrat “hajdutë prej mishi e kockash”.
* Së dyti, tregon përpara botës se ai vetë është përparimtar, po fatkeqësisht udhëheq një popull fanatik – si ata që dikur nuk pranonin makinën e shkrimit në shekullin XIX.
Njëherë, njerëzit u zemëruan me makinën e shkrimit. Thoshin: shkrimi me dorë ka shpirt, letra e shkruar ka art, dhe një pajisje mekanike nuk mund ta zëvendësojë talentin njerëzor. Sot, historia përsëritet.
Padiskutim, Diella është një “zero me bisht”. Rama e ka rrethuar veten me injorantë të vërtetë. Pamë satelitët: miliona euro shkuan dëm, dhe ende nuk ka njeri që di të lexojë të dhënat e tyre. Rama nuk ka kapacitet as për ministër AI, as për asgjë tjetër. Është thjesht budallik, dhe budallikun nuk mund ta ngresh për diskutim është apo jo çështje kushtetuese.
Gabimi më i madh është të biesh në kurthin e tij. Rama ka kapur një ide që nuk duhet kundërshtuar në koncept, pra, vetëm sepse duket e çuditshme: Inteligjenca Artificiale po ndryshon gjithçka, po krijon “njeriun e ri”.
Jashtë vendit, kjo gjë do të pëlqehet.
Atyre ai ka kapacitetin t’ua shesë si një medalje me dy anë: në njërën, ai vetë, që duket përparimtar; në tjetrën, një tufë fanatikësh që duket se janë kundër teknologjisë – edhe pse në thelb nuk janë. Po s’ka kohë kush nëpër botë të thellohet në një debat të tillë.
Dhe ai e di si ta përdorë këtë perceptim.
Në fund, të turresh pas Diellës, do të thotë të biesh në kurthin e Ramës. Sepse problemi nuk është ajo; problemi janë ata prej mishi e gjaku që kanë vjedh e do vjedhin sa të mundin.

Të fundit