Flash News

OPINEWS

Çfarë duhet të bëjë opozita përballë ‘Grande Peur’ të Ramës

Çfarë duhet të bëjë opozita përballë

Nga Hysni Gurra

Verës së vitit 1789 në Francë i vunë një emër: Grande Peur – Frika e Madhe. Ishte një epidemi e padukshme.
Nga një fshat tek tjetri, përhapeshin thashetheme për mercenarë që vinin të digjnin, të plaçkisnin, të shtypnin. Frika bënte më shumë dëm se realiteti, sepse paralizonte. Por pikërisht ajo frikë, në një moment, u kthye në shpërthim: fshatarët dogjën kështjella, rrëzuan rendin feudal dhe aristokracia u detyrua të hiqte dorë nga privilegjet. Më pas e dimë ç’ndodhi.
Sot, Shqipëria jeton nën një Grande Peur modern. Rama, me 83 mandate, ka ngritur një sistem ku fjala e opozitës shndërrohet në zhurmë të padëgjuar, ku kartoni mbyt debatin, dhe ku frika qarkullon si oksigjen politik i rilindjes në gjithë shoqërinë: frika nga vendi i punës, nga patronazhistët, nga linçuesit në rrjet, nga tatimet, nga policia, nga gjoba e nga drejtësia politike. Një frikë e hollë, e padukshme, që e ndjen lëkura e secilit, por pak e thonë me zë.
Këtu ngrihet pyetja: çfarë duhet të bëjë opozita?
Pyetje që e bëjnë të gjithë, edhe opozita vetë, edhe deputetët e saj, të shkretët, por që nuk dinë t’i japin përgjigje.
–Të braktisë sallën e parlamentit? Kjo është vetëvrasje politike.
–Të luajë me rregullat e Ramës? Kjo është humbje e radhës.
–Të presë një mrekulli nga qielli? Nga qielli s’po bie më as shi.
Historia e mëson opozitën se frika nuk zhduket duke pritur, por duke e kthyer në energji politike.
Rama ka kontrollin e kartonit, por jo të zemrës së qytetarëve. Ka shumicën e deputetëve, por jo shumicën e shpresës.
Dhe është pikërisht këtu hapsira që opozita duhet të hyjë: të flasë drejtpërdrejt me qytetarët, të organizojë shpresën, të kthejë pasigurinë e përditshme të njerëzve në revoltë demokratike.
Grande Peur i Ramës është strategjia e tij më e fortë: t’i mbajë të gjithë nën ankth, të gjithë në pritje, të gjithë të heshtur.
Por nëse opozita nuk ka guximin të thyejë këtë rreth vicioz frike ku ka hyrë prej mbi 1 dekade, atëherë do të mbetet vetëm spektatore e një teatri ku Rama luan të gjitha rolet.
Historia na kujton se nuk kanë fituar ata që numëronin më shumë kartona, por ata që dinin të kthenin frikën kolektive në guxim politik.
Pyetja nuk është më çfarë bën Rama me 83 mandate. Pyetja është: a ka opozita guximin të mos jetojë më nën Grande Peur të tij? A ka mundësi t’ua kthejë qytetarëve në guxim këtë frikë, siç u bë në Francën e 1789-ës?
Sepse frika kur zgjat shumë, nuk mban më — ajo ose të mbyt, ose të shpërthen.

Të fundit