Flash News

Rajoni

Bullgaria e prerë: Nuk hiqet vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut, ç’do të thotë kjo për Shqipërinë

Bullgaria e prerë: Nuk hiqet vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut,

Autoritetet bullgare kanë njoftuar se deri në fund të presidencës franceze nuk ka kushte për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njofton se pa një vendim nga qeveria dhe Parlamenti, nuk do të mund ndërtohet një qëndrim lidhur me propozimin francez për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut.

“Nëse kjo nuk ndodh sa më shpejt, Ministria e Punëve të Jashtme ka mandat vetëm t’i përmbahet qëndrimit Kornizë, Deklaratës së Parlamentit të vitit 2019 dhe konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2022, mbi të cilat drafti i propozuar nuk i plotëson kushtet”, thuhet të komunikatë.

Sipas kësaj, vetoja bullgare do të mbetej në fuqi nëse nuk do të ketë qëndrim nga Qeveria dhe Parlamenti bullgar deri më 21 qershor, në mbledhjen e këshillit për punë të përbashkëta të BE-së dhe Këshillit Evropian për 23 dhe 24 qershor.

Pak ditë më parë, Presidenti i Këshillit Europian, Chales Michel, në Forumin e Prespës në Ohër tha se së shpejti priten zhvillime pozitive, sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Tiranën dhe Shkupin.

Ai tha se zhbllokimi i procesit të zgjerimit të BE-së do të ishte një sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Deklarata vjen përpara samitit të 27 vendeve të Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel. 

Ç’do të thotë kjo për Shqipërinë

Në maj të këtij viti, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nëse Bullgaria vijon të bllokojë Maqedoninë e Veriut për negociatat, atëherë vendi ynë ka të drejtë të kërkojë largimin. Qëndrimin e ka ripërsëritur Kryeministri Rama në konferencën me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Ne nuk preferojmë të ndahemi për sa kohë ka ende hapësirë që të mendohet se Bullgaria mund t’i hapë rrugën. Gjysmë milionë shqiptarë e kërkuan në Këshillimin Kombëtar që nëse në qershor nuk marrim negociatat, jemi të lirë të kërkojmë daljen nga bllokimi që Bullgaria I ka bërë Maqedonisë së Veriut. Ky do të jetë qëndrimi ynë, por deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian qëndrimi ynë do të jetë që negociatat duhet të hapen me të dyja”, tha Rama.

Të fundit